1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria e parë nga objektivi i regjizorëve të rinj gjermanë

25 Nëntor 2011

Jeta në Tiranë, izopolifonia, historia, ndërtesat e të tjera copëza të vogla të shkëputura nga Shqipëria u shfaqën në ekranin e madh të kinemasë në Këln të Gjermanisë.

Simone Stewens, drejtoresha Ekzekutive e Shkollës Ndërkombëtare të Filmit në Këln
Simone Stewens, drejtoresha Ekzekutive e Shkollës Ndërkombëtare të Filmit në KëlnFotografi: DW/Amarildo Topi

Falë një bashkëpunimi mes Shkollës Ndërkombëtare të Filmit në Këln dhe Akademisë së Filmit Marubi në Tiranë, 13 studentë gjermanë për katër javë qendruan në Shqipëri për të prodhur nga një film dokumentar.

Të dhjetë filmat e shfaqur gjatë ditës së Mëkurë në një nga sallat e muzeut „Ludwig“ në Këln kishin tema të ndryshme, por ajo që të bënte përshtypje është se studentët gjermanë me objektivin e tyre kishin shkëputur pjesë që ne në Shqipëri i shohim përditë dhe nuk na bëjnë përshtypje.

Mos i beso impresionit të parë

Simone Stewens Drejtoresha Ekzekutive e Shkollës Ndërkombëtare të Filmit në Këln thotë për Deutsche Welle se për filmbërësit është shumë e rendësishme të eksplorojnë pikëpamjet e tyre në një vend të huaj. „Asnjëherë nuk duhet t'i besohet impresionit të parë, ata duhet të bëjnë kërkime, të shkojnë në thellësi, të njohin njerëzit, të shikojnë çfarë ndodh në këtë vend, cilat janë problemet vitale që shqetësojnë njerëzit, cilat janë emocionet e tyre, çfarë ka në mendjen tyre. Për të zbuluar këto duhet të afrohesh shumë, të futesh në shtëpinë e tyre, të flasësh me ta dhe të dëgjosh shumë.“

Anne Maschlanka, ka xhiruar filmin e saj në Kalanë e BeratitFotografi: DW/Amarildo Topi

Stewens, ideatorja e këtij bashkëpunimi, thotë se ky nuk është bashkëpunimi i parë me Shqipërinë dhe nuk do te jetë as i fundit. Sipas saj Shqipëra si një vend dhe shoqëri në transformim, është shumë interesante për studentët gjermane dhe sidmomos për ata të filmit.

„Është një vend ku diktatura ka lënë gjurmë. Mund ta ndjesh akoma. Demokracia është ende e brishtë, por është një vend i gjallë, jam duke folur për Tiranën: kaotike, trafiku është i tmerrshëm, ajri është i ndotur, por duke lënë këto mënjanë mendoj se njerëzit janë shumë miqësorë dhe kjo është e jashtëzakonshme,“ thotë Stewens.

Përshtypjet e studentëve gjermanë nga Shqipëria

Anne Maschlanka ka xhiruar filmin e saj në Kalanë e Beratit dhe përmes Nuries, një vajze 8-vjeçare, ishte përpjekur të tregonte pak nga historia dhe bukuria e atij vendi, por edhe jetën e një fëmije në Shqipëri.

„Më pëlqen shumë filmi, por kur mendoj për kohen që xhiruam ishte e vështirë derisa gjetëm personazhin. Tani që e pashë jam krenare për atë që kam bërë. Në Shqipëri më bëri përshtypje edhe një ndjenjë e dyzuar e njerëzve: të gjithë thonin se donin vendin e tyre, por nuk mund të jetonin atje për shkak të kushteve,“ thotë për Deutsche Welle Machlanka.

Eriona Cami, studente e Akademisë "Marubi"Fotografi: DW/Amarildo Topi

Kontributi i studentëve të Akademisë "Marubi"

Në sallën ku u shfaqën filmat ishin edhe pesë studentë të Akademisë së Filmit Marubi në Tiranë, të cilët kishin ndihmuar kolegët e tyre gjermanë në realizimin e filmave. Eriona Çami vinte për herë të parë në Këln dhe pas shfaqjes së filmit „Hëna është një vend i bukur“, ku ajo kishte dhënë ndihmën e saj, ishte mjaft e kënaqur për punën e bërë. „Kam qenë në çdo fazë të atij filimi, prandaj edhe ndihem mirë kur ai pëlqehet nga publiku. Ky ishte një bashkëpunim interesant, sepse e pamë Shqipërinë përmes syve të të huajve,“ tregon e emocionuar regjizorja e re.

Edhe Emilio, një tjeter student regjizure nga Shqipëria është mjaft entuziast për këtë eksperiencë, por atij nuk i vjen mirë për një gjë: problemet që kanë parë studentët gjermanë sipas tij duhet të ishin zgjidhur shumë më parë në Shqipëri. „Është pak për të ardhur keq sepse filmat e shfaqur mund të jenë të mirë, por si shqiptar që jam, nuk më vjen mirë të shoh ato subjekte, sepse Shqipëria duhet të ishte ndryshe me kohë.“

Emilio, student regjizure nga TiranaFotografi: DW

Bashkëpunimi studentor

Studentët shqiptarë do të qendrojnë në Këln për katër javë dhe gjatë kësaj kohe do të mundohen të eksplorojnë nënsipërfaqen e shoqërisë gjermane për të treguar më pas ato gjëra që ndoshta gjermanët nuk i venë re.

“Ne jemi shumë kuriozë çfarë temash do të zgjedhin të rinjtë shqiptarë, çfarë do të gjejnë dhe çfarë historie do të tregojnë në fund. Problemet që ne po përballim në shoqërinë tonë mund t'i gjesh të gjitha këtu në Këln. Si psh. ekstremistët e djathtë, konfliktin për xhaminë, konfliktet në një shoqëri multikulturore, janë të gjitha aty,“ thotë Drejtoresha Ekzekutive e Shkollës Ndërkombëtare të Filmit në Këln Simone Stewens.

Sipas saj prodhimet ndërkombëtare të filmave janë e ardhmja e kësaj industrie sepse filmat tani janë shumë të shtrenjtë dhe për një vend është shumë e vështirë ta përballoje të gjithë financimin e realizimit të filmit.

Autor: Amarildo Topi

Redaktoi: Lindita Arapi