1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria, gati për t'u zbuluar

Anila Shuka, Berlin10 Mars 2007

Për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, ministri shqiptar i turizmit organizon një konferencë për shtyp. "Popull mikpritës, natyrë e virgjër dhe kulturë e larmishme, janë tri atraktivitetet kryesore turistike të Shqipërisë," thotë ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj

Fotografi: ITB
“Albania - yours to discover” (Shqipëria - e juaja për ta zbuluar) shkruhet me të kuqe në sfondin e stendës 202 të njërit prej salloneve të Evropës në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin. Një fotomontazh me shtëpi të vjetra të Beratit, njerëz të veshur me kostume popullore, të tjerë me kaska mbrojtëse dhe kajakë duke bërë rafting mbi ujërat e një lumi të rrëmbyer, pamje malesh e bregdetesh, përfaqëson atë që ofrojnë turoperatorët shqiptarë në panairin e turizimit Berlin 2007. Ministri Bujar Leskaj, që mbulon këtë sektor, e përmbledh shkurt me tri fjalë atë që e pret vizitorin e huaj në Shqipëri: “Një popull mikpritës, një natyrë e virgjër dhe një kulturë e pasur.” Në panairin më të madh të turizmit në botë, i cili mbyll portat të djelën (11.03) u zhvillua për herë të parë një konferencë shtypi me ministrin shqiptar të turizimit: “Një nga qëllimet kryesore të kësaj konference ishte të tregohej se cili është atraktiviteti që ka Shqipëria në sytë e turistëve të huaj,” sqaron ministri Bujar Leskaj. Në Shqipëri mund të zhvillohet çdo lloj turizmi, thotë ai më tej: “Duke filluar nga udhëtimet e ndryshme, ngjitjet alpine, peshkimi, sportet dimërore e verore, biçikleta, ekoturizëm etj. “ E pasur në bukuri natyrore dhe me mbi 2000 monumente të kulturës Shqipëria ka një pasuri potenciale turistike. Qëllimi ynë është që ta shndërrojmë atë në pasuri reale, thotë Leskaj më tej për Deutsche Wellen. Në pavionin shqiptar në Berlin është shmangur enkas promovimi i bregdetit si vend për pushime në masë, sqaron Luan Dervishi nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Teknik, GTZ: “Është shumë e vështirë të konkurrosh aktualisht me të gjithë tregun botëror. Kjo është arësyeja, se përse po shpërndahet turizmi gjatë gjithë vitit, si edhe gjeografikisht, pra, që të mund të përfitojnë edhe komunitetet e vogla.“ Përveç GTZ-së, në paraqitjen e Shqipërisë në Berlin, kanë ndihmuar edhe programi EDEM i USAID/it si edhe Enti Kombëtar i Turizmit. “Bashkëpunimi ndërmjet këtyre institucioneve ka qenë më i frytshëm sivjet,” - vlerëson për Deutsche Welle-n Nevila Popa, specialiste e turizmit në projektin EDEM të USAID-it. “Jo vetëm që është rritur sipërfaqja e pavionit nga 84 në afro 120 metra katrorë (2006), por gati është dyfishuar numri i agjencive turistike. Ndërsa në panairin e vitit 2006 merrnin pjesë tetë firma, këtu prezantohen 15.” Një element tjetër i ri, shton Popa, ishte edhe performimi me muzikë dhe valle popullore shqiptare. Në krye të pavionit është një stendë e Entit të Turizmit. Bukra Malasi është një nga punonjëset që rrinë në pritje të vizitorëve. “Kryesisht janë turoperatorë të huaj që duan të bashkëpunojnë me ata shqiptarë”, - sqaron ajo. Por ka edhe shumë gazetarë që duan të dinë, se çfarë turizmi do të prezantojë Shqipëria në vitin 2007. Në të djathtë të stendës së Entit të Turizmit janë radhitur banakë, pas të cilëve qendrojnë përfaqësuesit e firmave. Mbi tryeza ata mbajnë laptopët me fotografi të ndryshme nga vendet turistike të Shqipërisë e prospekte promovuese. Sonja Popa, pronare e Gulliver OK, e ka punuar me kujdes katalogun e agjencisë së saj, ku premtohen të kënaqen jo vetëm shqisat e të parit, por edhe ato të shijimit: “Tani kemi filluar të promovojmë rajonin e Korçës me fshatra, në mënyrë që turistët të njihen me vendasit, të provojnë gjellët tradicionale e të njohin mentalitetin e vendit,” – sqaron ajo. Megjithëse turizmi në Shqipëri ka ecur përpara në aspektin sasior, me një rritje prej 28 për qind nga viti 2005 në atë 2006, por edhe në atë cilësor, përsëri ka shumë punë për të bërë, gjykon Popa. “Na duhet një komunikim më i mirë midis agjencive turistike, hoteleve, sajteve arkeologjike etj., në mënyrë që produkti final të dalë i kopsitur mirë. Duhet bërë edhe klasifikimi i hoteleve, standardet, ligji të jetë i tillë, që ne të mund ta bëjmë punën ashtu siç duhet.” Rritje të turizmit në Shqipëri ministri Bujar Leskaj shpreson veçanërisht pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, që para pak kohësh kaloi në kabinet e që tani pritet të miratohet nga parlamenti.