1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria mbështet pa rezerva pavarësinë e Kosovës

Bekim Shehu18 Maj 2007

Ministri i jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha tha se vendi i tij është në një linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës

Kryeministria, Tiranë
Kryeministria, TiranëFotografi: DW / Aida Cama


Ministri shqiptar i punëve të jashtme Lulzim Basha, tha në Prishtinë se Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegësitë për stabilitet në rajon. Sipas tij pjesë e pandashme e këtij stabiliteti është pikërisht pavarësia e Kosovës. Qëndrimi i Shqipërisë sa i përket çështjes së Kosovës sipas ministrit Basha, është në të njëjtën linjë me atë të SHBA-së.

"Qëndrimi i SHBA-ve dhe i Shqipërisë është identik sa i përket Kosovës. Ne mbështesim fuqimisht pavarësinë e Kosovës. Ne jemi shprehur disa herë që favorizojmë fuqishëm një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, si një instrument që garanton konsensusin për pavarësimin e Kosovës. Por, asgjë nuk do të na pengojë në dinamikën tonë diplomatike, që të luajmë rolin tonë krahpërkrah SHBA-ve dhe BE-së, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkan," tha ministri Basha.

Ministri shqiptar i punëve të jashtme Lulzim Basha, ka shfaqur shpresën se komuniteti ndërkombëtar do të gjejë një zgjidhje të shpejtë për Kosovën, pavarësinë
saj përmes KS-it duke ruajtur të gjithë elementët e paqes dhe stabilitetit në rajon. Duke komentuar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës edhe pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit ministri Basha tha se Shqipëria, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar është e gatshme të jetë pjesë e çdo dinamike.

"Edhe një herë dua të them, se Shqipëria shpreson shumë dhe nuk dëshiron të paragjykojë zhvillimet që do të vijnë. Ne shpresojmë shumë që Këshilli i Sigurimit
do ta miratojë rezolutën, por siç e thashë, jemi të gatshëm, që bashkë me komunitetin ndërkombëtar të marrim të gjitha përgjegjësitë sa i përket stabilitetit të rajonit, ku pjesë e pandarë e tij është pavarësia e Kosovës," u shpreh ministri Basha.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, erdhi të enjtën mbrëma në Kosovë. Fillimisht ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Sot ai po zhvillon biseda me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe anëtarët e Ekipit Negociator. Nesër në përfundim të vizitës së tij të parë në Kosovë në këtë cilësi, ministri shiptar i punëve të jashtme, do të vizitojë kompleksin memorial Adem Jashari, në Prekaz të Drenicës.