Shqipëria me 46 bashki - miratohet reforma territoriale
9 Tetor 2026
Rreth orës 01:00 të mëngjesit të së premtes, 85 kartonë jeshilë në Kuvendin e Shqipërisë i hapën rrugën hartës së re administrativo-territoriale të Shqipërisë. Pas më shumë se 14 orësh debate, mazhoranca socialiste miratoi reformën që e ul numrin e bashkive nga 61 në 46.
Zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të zhvillohen sipas hartës së re, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me bashki të tjera. Reforma e propozuar nga Partia Socialiste u kundërshtua nga opozita, por hasi kritika edhe brenda vetë mazhorancës. Deputeti socialist Erion Braçe e kundërshtoi ndarjen e re territoriale, por në fund votoi pro saj.
Opozita kërkoi referendum, mazhoranca miraton projektligjin
Deputetët e opozitës kërkuan tërheqjen e projektligjit, duke akuzuar shumicën socialiste se kishte vendosur për ndryshimin e kufijve administrativë pa marrë më parë mendimin e qytetarëve që preken nga reforma.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi që vendimi t'u lihej në dorë qytetarëve përmes një referendumi. "Në rast se ka mbetur një nanogram në thellësitë, në labirintet e ndërgjegjes suaj të mykur, një nanogram pro qytetarëve, detyrimeve që kemi ndaj tyre, hidheni poshtë këtë projekt si një projekt armiqësor ndaj tyre. Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë në referendum” - tha Berisha.
Por mazhoranca nuk pranoi ta shtynte votimin. "Javën e ardhshme të ngremë Komisionin e Reformës Territoriale, jo për ndarjen, por për pjesën e kompetencave. Keni një javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave. Kjo sot do të votohet” – tha Taulant Balla, Kreu i grupit parlamentar socialist.
Kritikat ndaj reformës erdhen edhe brenda partisë Socialiste. Deputeti Erion Braçe, foli për rreth 19 minuta në Kuvend. Sipas tij parimet mbi të cilat ishte ndërtuar harta e re nuk ishin zbatuar në të njëjtën mënyrë për të gjitha bashkitë. "Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin” – u shpreh Braçe. Megjithatë, kur erdhi momenti i votimit, deputeti socialist ngriti kartonin jeshil, duke iu bashkuar shumicës që miratoi ligjin. Fill pas seancës, i pyetur nga gazetarët për këtë vendim, Braçe tha se për vendimin e tij do të fliste të nesërmen. "Jam kundër, do e sqaroj nesër”- tha ai.
Tensione brenda Kuvendit, përplasje me policinë jashtë tij
Debatet politike u shoqëruan edhe me incidente në sallën e Kuvendit. Pak sekonda përpara votimit, në seancë u shfaq ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, prania e së cilës solli tensione të tjera me opoziten.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, hodhi ujë në drejtim të saj, ndërsa deputete te tjere opozitarë qëlluan me shishe në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, jashtë godinës së Parlamentit, mbështetës të opozitës ishin mbledhur për të protestuar kundër reformës territoriale.
Protesta u shoqërua me përplasje të herëpashershme mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Situata u tensionua veçanërisht kur disa protestues tentuan të kalonin kordonin e sigurisë pranë hyrjes së Parlamentit. Policia ndërhyri për të penguar kalimin e tyre, duke përdorur edhe spraj me piper.
Cilat janë 15 bashkitë që shkrihen?
Reforma parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me bashki të tjera. Sipas saj Fushë-Arrëzi i bashkohet Pukës, Klosi Matit, Rrogozhina Kavajës, ndërsa Dimal dhe Poliçan i bashkohen Beratit. Në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi i bashkohen Elbasanit, ndërsa Përrenjasi bashkohet me Librazhdin. Bashkia e Patosit bashkohet me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Maliqi me Korçën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën.