1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Shqipëria mund të ishte gati, por nuk është gati sot"

Arben Muka 8 Nëntor 2007

Ftesa e Shqipërisë për në NATO varet nga realizimi konkret i reformave të domosdoshme

Fotografi: DW / Aida Cama

Shqipëria ka shumë për të bërë deri në marrjen e një ftese për anëtarësimin në NATO, në fillim të vitit 2008. Ambasadorja e SHBA në Aleancën Veriatlantike në Bruksel, Viktoria Nuland, gjatë qëndrimit në Tiranë ka apeluar tek autoritetet dhe forcat politike që arrijnë rezultate konkrete në realizmin e reformës në drejtësi, në atë zgjedhore dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Duke folur për nivelin aktual të realizimit të reformave, dhe se sa larg është në marrjen e ftesës për anëtarësim, ambasadorja Nuland u shpreh se “Ne besojmë se me më shumë punë Shqiperia mund të ishte gati, por nuk është gati sot. Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme, por sa më shumë që i afrohemi Samitit të Bukureshtit, prillin e ardhshëm, lipset të garantohet shpejtësia në realizmin konkret të reformave të domosdoshme”.

Duhen 26 vota pro për vendin që do të meritojë ftesën për anëtarësim

Pikërisht arritjet dhe mangësitë e procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, kanë qënë në fokus të kontakteve që ka patur në Tiranë, ambasadorja Nuland. Ajo deklaroi se ka shprehur nevojën e forcimit të sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për vazhdimin e realizmit të reformes zgjedhore etj.

Është një proces i tërë angazhimesh që do të vlerësohet në mënyrë konkrete nga vendet anëtare të Aleancës. Sipas saj nuk do të ketë vlerësim paraprak “por vetëm në ditën kur do të mbahet Samiti në 3 prill 2008”. Dhe për këtë thotë Nuland, “do të duhen 26 vota pro për atë vend që do të meritojë ftesën për anëtarësim”.

Ambasadorja e SHBA-ve në NATO duke folur për Nismën e Adriatik 3, ku janë përfshirë tre vende aspirante për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike, Shqipëri, Kroaci e Maqedoni, sqaroi se pavarësisht kooperimit të tre vendeve, vlerësimi dhe vendimi për afrimin në NATO do të bëhet në mënyrë individuale, në bazë të performancës konkrete dhe arritjeve ne realizmin e reformave thelbësore.