1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria në dialog- Konferencë në Berlin

Aida Cama17 Tetor 2007

Dje të martën më 16 tetor u zhvillua në Berlin konferenca „Shqipëria në dialog“. Konferenca hodhi vështrimin në Shqipërinë politike, shoqërinë civile shqiptare dhe si shihet Shqipëria në politikën e jashtme.

i
Shqipëria në dialogFotografi: DW / Aida Cama

Ku ndodhet Shqipëria sot?

Shqipëria nuk është trajtuar me dashurinë e duhur, mendon Sekretari i shtetit në Ministrinë e jashtme gjermane, Gernort Erler. Shqipëria po bën përpjekje të mëdha për tu afruar me familjen europiane, ato duhen vazhduar. Ajo duhet të jetë më aktive në rajon në kuadër të Paktit të Stabilitetit. Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e asocijimit me BE-në, ratifikimi saj në Gjermani është rrugës. Vendi ka bërë hapa të mëdha në procesin e transformimit, megjithatë ka ende shumë për të bërë në proceset bazë politike si zgjedhjet, luftimin e korrupsionit, kulturën e dialogut etj. Gjermania e përkrah Shqipërinë në afrimin me Nato-n dhe BE-në. Në këto 20 vjet Gjermania ka dhënë 358 milionë euro në ndihmë të Shqipërisë. Në fushën e tregtisë mund të bëhet më shumë. Vendi duhet të prodhojë lajme të mira, për të përmirësuar imazhin e vet

Shqipëria në rrugën drejt BE

Shqipëria ndodhet para Bosnjë Hercegovinës, Serbisë dhe Kosovës në rendin e vendeve që pritet të pranohen në BE. Gjermania do të ratifikojë marrëveshjen e asocijim stabilizimit që Shqipëria ka nënshkruar me BE-në. Me humor Dr. Emily Haber nga ministria e jashtme gjermane, tregon pse ratifikimi është shtyrë: “për shkak të gabimeve në përkthim”. Bashkimi Europian është lodhur me zgjerimin, por procesi i bashkimit në Europë nuk përfundon pa përfshirë edhe Ballkanin perëndimor. Si do bëhet ky bashkim? Me zgjerimine BE-së dhe me integrimin e vendeve të Ballkanit në të. Europa po rrit aftësitë e zgjerimit, dhe vendet e Ballkanit duhet të plotësojnë kriteret. Çdo vend e ka vetë në dorë se kur hyn në BE.

Politika e jashtme e sukseshme

Patrick Moore nga Radio Free Europë vlerëson se politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë më e sukseshme se politika e brendshme. Mbi rolin e SHBA-ve në Ballkan ai thotë, se anëtarësia e vendeve të Ballkanit në Nato dhe në BE është përfshirje në proceset euroatlantike. Ai vëren se Shqipëria shihet negativisht nga fqinjët për shembull Italia, shqiptarët si kriminelë, njësoj siç shiheshin italianët 60 vjet më parë nga amerikanët.

Shqipëria duhet të shkëputet nga e kaluara

Për Besnik Mustafajn Shqipëria ka probleme me të kaluarën dhe duhet të ndahet prej saj. Shqipëria nuk ka përvojë demokratike dhe ajo ndodhet para sfidave të mëdha, të cilat nuk mund t’i përballojë pa ndihmën edhe të Gjermanisë. „Ne jemi të vendosur të shkojmë në BE, si qeveria ashtu edhe parlamenti punon për këtë“, por afrimi i Shqipërisë me BE është edhe në të mirë të unionit.

Shoqëria civile në tranzicion- OJQ pa shoqëri civile

Shoqëria civile në Shqipëri nuk mund të ndahet nga ekonomia dhe politika, thotë Fatos Lubonja. Ideja e tij në ndërtimin e shoqërisë civile është se sa ka mundur perëndimi të implementojë konceptin e vetë të demokracisë, si është transformuar „populli“ në „shoqëri civile“. Në Shqipëri është bërë shartimi i modeleve perëndimore, sepse toka nuk ishte neutrale. Rezultati është hybrid, shoqëria civile shqiptare nuk lindi natyrshëm, por u implementua nga perëndimi e anë të OJQ-ve, pra i ka rrënjët lart dhe jo në tokë. Pa ndihmat perëndimore OJQ- të shqiptare nuk ekzistojnë. Mafia ekonomike ka kapur inteligjencën shqiptare dhe e ka vënë në shërbim të vetes, si për shembull kapjen e mediave.

Shkaqet e konfrontimit politik në Shqipëri

Fabian Schmidt mendon se “sistemi hybrid” shqiptar ka të bëjë me „sistemin e klientelës“, që lidhet me të kaluarën shqiptare e cila nuk ka përvojë demokratike. Spektri politik është i polarizuar, konfrontimi politik ndodh midis dy partive megjithë ekzistencën e disa partive. Sistemi i koalicionit midis partive në Shqipëri nuk është i zakonshëm. Në zgjedhjet e fundit „Sistemi Dushku“ tregoi se u hap hapësirë për kandidatë të pavarur ose parti të vogla, por kjo ndodhi jo në bazë të koalicionit, por sepse ata i shërbenin një klientele të caktuar. Mediat nuk patën përvojë në fazën e lindjes së demokracisë dhe ato u polarizuan politikisht me fyerje, sharje të kundërshtarëve politikë. Kjo bëri që të mos zhvillohej dialog, por të gjithë të shanin reciprokisht njeri tjetrin. Sot është ndryshe, por kjo ka të bëjë me përvojën. Institucionet në Shqipëri keqpërdoren nga partitë. Organizatat ndërkombëtare keqpërdoren si shpëtimtarë në konfliktet politike, përdoren si ndërmjetës, por ato detyrohen të bëjnë hapa që nuk përputhen me misionin e tyre. Politika shqiptare shpesh kthehet në politikë të varur nga organizatat ndërkombëtare.

Shqipëria vend multifetar, gjerësisht sekularist

Shifrat 70,20,10 për përkatësinë e shqiptarëve në tre fetë shqiptare duhen korrigjuar sepse nuk i përgjigjen realitetit, mendon Remzi Lani. Peisazhi sot është i ndryshëm nga ai i vitit 1942, prej nga vijnë këto shifra. Marrëdhëniet ndërfetare karakterizohen nga tolorenca dhe harmonia. Shqipëria nuk ka përjetuar kurrë konflikt fetar. Në tranzicion liria e fesë u kthye në symbol të lirisë. Ateizmi dhe komercializmi ekstrem janë sot karakteristikat e tranzicionit, ku nuk dominojnë aq shumë vlerat e fesë. Shqipëria nuk është vend islamik i moderuar, siç përpiqet ta trajtojë qeveria amerikane, por as i krishterë, por është vend multifetar. Pluralizmi fetar jep mesazhe pozitive, pluralizmi politik jep mesazhe konfliktuale.

Publiku i interesuar që përfshinte disa dhjetra vinte nga institucionet gjemane, ambasadat e vendeve fqinjë të akredituara në Berlin, studentë, historianë, anëtarë të Shoqatës së miqësisë Shqipëri Gjermani, bashkatdhetarë. Ata ishin të interesuar të dinin kur do të mbarojë eksodi shqiptar, si ndikon globalizimi në Shqipëri, pse u fol pak për ekonominë. Konferenca u zhvillua në Akademinë Europiane e ndihmuar nga Ambasada Shqiptare në Berlin, Toepfer Stiftung dhe Deutsche Welle.