1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria nënshkroi konventën e re të Keshillit të Evropës për parandalimin e dhunës ndaj grave

27 Tetor 2011

Për autoritet e Tiranës kjo Konventë e sjell Shqipërinë më pranë standartëve ndërkombëtae dhe europiane. Për shoqërinë civile dhënia fund e dhunës ndaj grave në Shqipëri do të vijë nga zbatimi në praktikë i neneve të saj

Fotografi: picture-alliance/Photoshot

Me 81 nenet e saj Konventa e re e Këshillit të Europës është instrumenti i parë ligjor detyrues në botë për t' i thënë “ ndal” dhunës ndaj grave dhe ndështuar autorët e saj. Ajo e konsideron dhunën vepër penale. Kjo Konventë parashikon funksionimin e një grupi ndërkombëtar ekspertësh të pavarur për të monitoruar zbatimin e neneve të saj në nivel kombëtar. Çdo vend, që e nënshkruan, është i detyruar me ligj të sigurojë strehimin, kujdesin mjekësor dhe ndihmën ligjore për gratë, që kanë përjetuar dhunë në të gjitha format e saj: në familje, dhunë seksuale, martesë, abort, apo sterilizim i detyruar, dhunë emocionale, apo psikologjike. Statistikat tregojnë, që 15 % e grave në 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës perjetojnë gjatë jetës së tyre një nga format e dhunës.

Filloreta Kodra, Zv. Ministre në Ministrinë e Punës, e cilëson nënshkrimin e kësaj konvente një tregues të vokacionit të saj europian të Shqipërisë: “Konventa e re e Këshillit të Europës për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e viktimave të saj e sjell Shqipërinë më pranë standarteve europiane dhe ndërkombëtare” thotë znj. Kodra.

Dhuna ndaj gruas mbetet një fenomen shqetësues në Shqipëri. Statistikat e Qëndrës Aleanca Gjinore për Zhvillimin, një organizëm i shoqërisë civile me seli në Tiranë, tregojnë se 1/3 e grave kanë përjetuar një nga format e dhunës. Nuk mungojnë rastet e një dhune ekstreme ndaj grave, që shkon deri në marrjen e jetës nga dhunuesit..

Mirela Arqimandriti, drejtore e kësaj Qëndre, thotë për programin shqip të DW: “Kemi të dhëna që 13 gra gjate ketij viti kanë humbur jetën në Shqipëri si pasojë e dhunës, që është ushtruar ndaj tyre. Dhuna duket si një fenomen i fshehur, por në fakt në Shqipëri shfaqet në forma të shumta, madje edhe në këtë formë ekstreme”, thotë Znj. Arqimandriti.

E drejtë themelore e njeriut - edhe gruaja gëzon të drejten e një jete publike dhe private të lirë nga dhuna

Filloreta Kodra Zëvendësministre në Ministrinë e PunësFotografi: DW

Kjo situatë shqetësuese, ku autorët e dhunës ndaj grave arrijnë deri në vrasjen e tyre, vjen nga një sërë faktorësh socialë dhe ekonomikë. Ajo lidhet me varfërinë, papunësinë, mungesën e informacionit, me mendësinë, pabarazinë gjinore, të gjitha të ndërthurura mes tyre. Ndonëse të ndryshëm këta faktorë i lidh një fill i përbashkët: mendësia për ta parë gruan si pronë, trajtimi i saj më shumë si objekt, sesa si subjekt, gjë që i jep të drejtën gjinisë mashkullore për ta dhunuar fizikisht, psikologjikisht, seksualisht dhe ekonomikisht. Në këtë përfundim ka arritur shoqëria civile në Shqipëri, e cila ndodhet në avangardën e përpjekjeve për t'i thënë ndal dhunës ndaj gruas. Por zbatimi jo rigoroz në rastin më të mirë dhe moszbatimi i ligjeve në rastin më të keq si edhe i Konventave ndërkombëtare, ku Shqipëria aderon, i bën të vështira fitoret e betejave në luftën për t' i thënë “ndal” dhunës ndaj gruas, si nga shoqëria civile ashtu edhe nga strukturat shtetërore.

“Ligjet mbeten të shkruara në letër. Konventat ndërkombëtare ku Shqipëria është palë janë të përkthyera shumë mirë por nuk janë endetë shoqëruara nga një plan veprimi nga strukturat përkatëse shtetërore”, thotë Mirela Arqimandriti.

Por Konventa e re e Këshillit të Europës pritet të ndryshojë klishenë e deritanishme: “Shqipëria ka ligje shumë të mira, europiane por që nuk zbatohen në praktikë”. Kjo Konventë e konsideron dhunën ndaj gruas shkelje të së drejtës themelore të njeriut për të jetuar në jetën publike edhe atë private i lirë nga dhuna. Konventa e konsideron edhe një formë diskriminimi të njeriut të bazuar në përkatësinë gjinore dhe ka ngritur instrumentat për të ndryshuar në menyrë pozitive situatën. Ndërkohë që Shqipëria ka një ligj europian kundër diskriminimit. Përmes grupit të ekspertëve të pavarur ndërkombëtarë, kjo Konventë ka mekanizma, që monitorojnë zbatimin e saj në çdo vend, që e ka nënshkruar atë.

Konventa e re e Këshillit të Europës për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës u paraqit në Maj të këtij viti në takimin e Ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, që u zhvillua në Stamboll. Gjermania ishtë një nga vendet e para ndër 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës, që e nënshkroi atë që në takimin e Stambollit.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica