1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria nga vendet me nivelin më të ulët të zhvillimit të tregut të sigurimeve

14 Janar 2010

Nisur nga përmbytjet e fundit në veriperëndim të Shqipërisë, ekspertët e rekomandojnë skema dhe formula ligjore që krijojnë fonde të posacme për përballimin e dëmeve dhe humbjeve nga katastrofat dhe fatkeqësitë.

Filiale të kompanive të sigurimit në Tiranë.
Fotografi: DW/Arben Muka

Eqeremi, prej 15 viteve ka një dyqan të vetin në njërën prej lagjeve të Tiranës. Ai thotë se është i rregullt në shlyerjen e të gjitha detyrimeve fiskale për aktivitetin e tij. Por kur bie fjala për aktin e sigurimit për biznesin e pronën përgjigja është negative. “Për vetë faktin se nuk kam besim tek kompanitë që bëjnë sigurimet”, shpjegon ai arsyen. Në rast të ndonjë katastrofe apo dëmi ai duket i përgatitur për rezultatin: “Katastrofa do të shkojë me katastrofën dhe asgjë më tepër”.

Lefteri, dhe ky i pasiguruar për biznesin e pronën e tij, përmend një argument tjetër: "S'kemi fuqi më shumë, se aq fitohet. Tatimi do paguar, jo taksa vendore, jo të tjera. Pse gjithë lekët do t'i paguash sigurime? Pastaj të mos mbetet asnjë lek për fitim. Se kështu i bie”.


Niveli i sigurimit në Shqipëri dy herë më i ulët se mesatarja e rajonit

Bardhyl Minxhozi, specialist i sigurimeve, menaxher i përgjithshëm i kompanisë INTERALBANIAN.Fotografi: DW

Mossigurimi i pronës, biznesit apo dhe jetës janë një dukuri e përhapur në Shqipëri. Mjafton t'i referohemi treguesit aktual të peshës specifike që zënë sigurimet në prodhimin e brendshëm bruto, GDP, që luhatet nga 0.65 -0.70 përqind. Ky nivel është të paktën dy herë më i vogël krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe disafish më i ulët në raport me atë që ndodh në vendet e BE-së.

Eskpertët: zhvillimi i tregut të sigurimeve kërkon sensibilizim të qytetarëve dhe rolin rregullator të shtetit

Bardhyl Minxhozi është një ekspert i njohur i sigurimeve qysh prej vitit 1991. Një pjesë të aktivitetit të tij në këtë sektor ai e ka zhvilluar dhe në Kosovë. Minxhozi e konsideron të ri tregun e sigurimeve në Shqipëri dhe përmend disa arsye pse ai megjithë përmirësimet ka mbetur sërish i pazhvilluar krahasuar me vendet e tjera. “Tradita, mungesa e kulturës për sigurimet, pamundësia financiare, por dhe informacioni i pakët që ka popullata janë disa prej shkaqeve kryesore”, thotë ai për DW. Në gjallërimin e tregut duhen të harmonizohen të tre faktorët: vetë konsumatorët, kompanitë e sigurimeve, por dhe shteti që luan një rol të madh rregullator dhe mbikqyrës në këtë drejtim, thotë Bardhyl Minxhozi, drejtues i kompanisë shqiptare të sigurimeve “Interalbanian”.

Mungesa e sigurimit privat bën që pasojat e fatkeqësisë natyrore të ndihen gjatë

Ai i referohet situatës aktuale në veriperëndim të Shqipërisë. “Në këtë moment të gjithë thonë kush do të paguajë. Individi thotë: mua duhet të më paguajë shteti. Por shteti nuk mund të ketë në çdo moment fonde të tilla të gatshme për t'i ndihmuar ata. Çfarë ndodh? Për shkak të një minimumi investues nga individët, nga shteti dhe nga bizneset, ne vijmë në një situatë, që një zonë e tërë të mos e marrë veten për 4 ose 5 vjet për shkak të humbjeve. Sepse dhe kompesimet do të jenë minimale, nuk do të jenë kompensime që do ti rifusin sërish në biznes. Në mënyrë objektive ne duhet të gjejmë ato skema a formula të mbrojtjes së individit, të programit të jetës së tij financiare, të tilla që ai të përfitojë sot”. Sipas Minxhozit sigurimet nuk janë vetëm biznes, por janë dhe industri e interesit publik, ku përgjegjësi nuk mbajnë vetëm lojtarët, por dhe shteti me politikat dhe strategjitë që aplikon.

Qemal Disha, specialist i sigurimeve, menaxher i përgjithshëm i kompanisë SIGMA.Fotografi: DW

Propozimi: skema që bashkojnë fondet e individëve, bizneseve private dhe qeverisë

Qemal Disha është një nga pionerët e tregut të sigurimeve në Shqipëri. Si drejtues i njërës prej kompanive kryesore që operojnë në tregun shqiptar, SIGMA, ai propozon aplikimin e skemave si ato në vende të tjera, në Turqi, Greqi, Rumani etj. Thelbi i këtyre skemave sigurimesh është që me ligj të bëhet bashkimi i fondeve të individëve, të kompanive që paguajnë primet e sigurimeve dhe gjithashtu me fondet rezervë që kanë qeveritë. Për shtresën e popullatës që nuk mund ta bëjë pagesën e dëmeve ndërhyn shteti për pagesën e primit të sigurimit, thotë Disha për DW. “Këto fonde nuk do të lejohen të përdoren nga kompanitë e sigurimeve dhe të përdoren si fitim nga ato. Ato akumulohen dhe kur ndodhin fatkeqësitë bashkohen këto të tre burime të ardhurash dhe paguhen dëmet për këto lloj dëmesh e fatkeqësish. Me sa di unë kjo çështje është në diskutim nga strukturat përkatëse të shtetit, për të zbatuar këto lloj skemash edhe në vendin tonë. Këto skema janë të rekomanduara dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, si psh Banka Botërore”.

Sipas tij, çështja e fatkeqësive, si tërmete, përmbytje, apo në forma të përzjera, nuk duhet të lihen të menaxhohen vetëm në momentin kur ato ndodhin. Çdo pësim në kësi rastesh duhet të vlejë si një mësim për të ardhmen. “Edhe ndërgjegjësim i qytetarëve dhe biznesit, por dhe ndërhyrje të autoritetit të shtetit me ligje dhe skema parapërgatitjeje”, thotë Disha për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani