1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria nuk prodhon më çelik të vetin

Ani Ruci2 Shkurt 2006

Në Shqipëri falimenton e vetmja fabrike e prodhimit të çeliqeve, e privatizuar nga kompania turke" KURUM"

Fotografi: AP

Falimentimi i aktivitetit prodhues të fabrikës së prodhimit të çeliqeve në Elbasan, të privatizuar 7 vjet më parë nga kompania turke" Kurum International" i heq Shqipërisë të vetmin burim prodhimi në vend. Kjo pasi nuk ekziston më asnjë fabrikë që të prodhojë çelik për industrinë dhe konsumatoret e Shqipërisë. Nevojat e tyre duke filluar nga dita e sotme do të plotësohen vetëm nga importi.

Lajmin e falimentimit të prodhimit të çeliqeve e dha vetë, drejtori i Kompanisë turke, Zeki Kaya, permes nje njoftimi zyrtar. Sipas tij mbyllja e fabrikes është pasojë e dështimit të negociatave me qeverinë e Tiranës për të plotësuar kushte ekonomike,të cilat çuan fabrikën të falimentojë.

Kërkesat janë tre: ulja e çmimit të energjisë elektrike që Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë i shet kompanisë turke; ngrirja etarifave doganore në masën 15% dhe së fundi dhënia me konçesion e një kalate në portin e Durrësit për të shkarkuar në çdo kohë skrapin që i duhet prodhimit. Mosplotësimi i këtyre kerkesave e ka çuar shumë të lartë koston e prodhimit, ku 34% etij e perben vetem energjia elektrike. Pala turke ankohet që asaj i shitet energjia elektrike 3 herë më shtrenjtë nga investitorët vendas.

Falimetimi i fabrikës është shoqëruar edhe me nxjerrjen në rrugë të rreth 800 metalurgëve , të cilët nuk kanë më se ku të ushtrojnë profesionin e tyre. Kanalet televizive të Tiranës treguan ne hapje të edicioneve të tyre të lajmeve qindra metalurgë të mbetur pa punë të qëndronin para dyerve të fabrikës, tanimë të mbyllura. Kontrata e tyre kolektive me kompaninë turke skadonte në Maj të vitit 2007. Në një protestë që ata zhvilluan para kryeministrisë në Tiranë, në fillim të kësaj jave, i kërkuan qeverisë të detyronte kompaninë turke të zbatonte kontratën. Por pa asnjë rezultat pozitiv për ta.

" KURUM INTERNATIONAL" do të zhvillojë vetëm aktivitet importues dhe tregëtar për të mos humbur klientet e saj në Shqipëri duke importuar çeliqet nga fabrikat që ka në Turqi. Vetë nëse negociatat me qeverinë rifillojnë dhe plotësohen kërkesat ajo ka gjasa të rifillojë prodhimin.
" KURUM INTERNATIONAL", i vetmi prodhues çeliqesh në Shqipëri ka prodhuar deri në 160 mijë ton çeliqe në vit. Investimi i saj që nga 1999 kur mori me konçesion për 30 vjet ish Kombinatin Metalurgjik në Elbasan i kalon të 70 milion dollarët.