1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria para ndryshimeve në politikën fiskale

16 Shtator 2010

Komiteti i biznesit kërkon shtrirjen e aplikimit të tatimit të vlerës së shtuar, TVSH, në të gjithë sektorët e ekonomisë si dhe reduktimin e tatimit për turizmin dhe bujqësinë.

Komisioni parlamentar i Ekonomisë
Komisioni parlamentar i EkonomisëFotografi: DW

Për të bërë një oponencë të fortë në disktutimin e paketës së re fiskale komuniteti i biznesit ka përgatitur një sërë pikash, të cilat i prezanton si të debatueshme dhe të ndryshueshme nga varianti që ka përgatitur qeveria. Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë mendon se do të ketë një lobim të fortë në rradhët e deputetëve nga të gjitha krahët e politikës për të marrë në konsideratë disa propozime dhe sygjerime.

TVSH në të gjithë sektorët e ekonomisë

Një prej kërkesave thelbësore është futja e skemës së Tatimit të Vlerës së Shtuar, TVSH, në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kjo godet drejtëpërdrejtë informalitetin, jep shanse të barabarta në treg dhe konkurencë të ndershme, thotë Jaka për DW.

“Kjo do të thotë që për çdo faturë, mall e produkt tek konsumatori duhet të shoqërohet me faturë TVSH-je. Kjo eliminon në mënyrë të dukshme dhe të ndjeshme informalitetin dhe futjen e mallrave kontrabandë, pasi ata e kanë të pamundur të bëjnë shitjen e tyre”.

Sherefedin ShehuFotografi: DW

Tarifat e akcizave ndryshojnë vazhdimisht

Nikolin Jaka quan si shqetësuese për biznesin ndryshimin e vazhdueshëm të tarifave të akcizave. Ai argumenton se nësë bizneset vendase apo te huaja që operojnë në Shqipëri bëjnë plane afatmesëm, psh 3 vjeçare, atëhere çdo ndryshim qe i bën qeveria duke rritur akcizat dhe taksat e drejtëpërdrejta kjo ndikon negativisht në aktivitetin e tyre. “Pasi rritin kostot duke rrezikuar bilancet dhe në tërësi sipërmarrjen”.

Propozim tjetër kryesor nga rradhët e komunitetit të biznesit është aplikimi i diferencuar i TVSH-së. Ka sektorë që konsiserohen si prioritarë apo specifikë për të cilët TVSH nuk duhet të jetë më e ulët. Ai i referohet dhe rastit të Greqisë fqinje, që megjithëse është në presionin e efekteve të krizës ekonomike, për sektorin prioritar, atë të turizmit, TVSH-ja është lënë në kufijtë e 7 përqindshit.

“Ne mendojmë se TVSH-ja në sektorin e turizmit si dhe në atë të bujqësisë të jetë jo më shumë se 10 përqind. Duhet të përjashtohet nga detyrimi me TVSH gjithë artizanati shqiptar, pra e gjithë punë me dorë nga artizanët e vegjël”.

I pamundur ndryshimi i TVSH

Deputeti Sherefedin Shehu, është një nga ekspertët finaciarë më të mirë në rradhët e mazhorancës së djathtë. Si ish zëvëndës ministër i Financave ai komenton kërkesën që bën biznesi për aplikim të Tatimit të Vlerës së Shtuar në të gjithë sektorët e ekonomisë. Shehu e quan këtë një kërkesë racionale, por sqaron se tashmë qeveria ka filluar një skemë për TVSH-në dhe është e pamundur ndërrimi saj brenda një periudhe të shkurtër.

“Ajo që po tenton qeveria është gjetja e rrugëve për ta ulur nivelin e TVSH-së”, thotë Shehu për DW.

Pyetjes nëse mund të plotësohet kërkesa e komunitetit të biznesit që të ulet deri në masën 10 përqind TVSH-ja në turizëm dhe shëndetësi, Sherefedin Shehu shfaq një mendim të kundërt.

“Ka një përfundim të nxjerrë nga zbatimi i TVSH-së nga të gjitha vendet e botës, sipas të cilit ulja e këtij tatimi nuk është shoqëruar me uljen e cmimeve. Pra qeveria nuk ka garanci që këta operatorë që kërkojnë uljen e TVSH-së nesër do ta reflektojnë këtë dhe në uljen e çmimeve. Kështu unë nuk e mbështes këtë. Qeveria ka konsideruar disa politika të tjera që do të kontribuojnë në uljen e kostos, që është e kundërta e asaj që kërkojnë bizneset. Sepse duke ulur TVSH-në duhet kuptuar se nuk ulet kostoja, pasi ky tatim rëndom direkt mbi konsumatorin”.

Nikolin JakaFotografi: DW

Tarifat për biznesin e vogël

Pjesë e propozimeve të komunitetit të biznesit është dhe qëndrimi ndaj binzesit të vogël. Nikolin Jaka shprehet se autoritetet qëndrore ose lokale duhet të kenë parasysh trajtimin e këtij biznesi sepse ai përfaqëson rreth 95 përqind të totalit të biznesit.

“Unë do ti bëja thirrje jo vetëm qeverisë, por dhe pushtetit lokal që ka një rol të rëndësishëm në tarifat e taksave. Këto autoritete duhet të jenë të kujdesshme me lëvizjen e tarifave të taksave ndaj bizneseve të vogla”. Jaka merr si shembull tarifën fikse të taksës së tabelave që edhe kur ka një të tillë, edhe kur nuk ka detyrimi për sipërmarrësit është 50 mijë lek në vit, “çka mund të konsiderohet një nonsens, apo një gjobë antiligjore për biznesin e vogël”.

Gjithashtu Nikolin Jaka, president i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës shikon si rëndim për këtë kategori biznesi lloj lloj taksash për gjelbërimin dhe pastrimin e ambjentit, “në një kohë kur sipërmarrja psh është e ngritur në një zonë pa kurrëfarë gjelbërimi, ose kur kujdeset vetë për pastërtinë e ambjentit përreth”.

Deputeti i mazhorancës Sherefedin Shehu e mbështet këtë kërkesa të biznesit, pasi sipas tij qeveria është në një proces rivlerësimi për ato që njihen si taksa vendore apo të shërbimeve publike që i ofrohen biznesit.

“Sidomos ulja e këtyre kostove të tjera që janë të pakontrolluara dhe në disa njësi të qeverisjes vendore ato janë shumë të larta. Po bëhet një studim, i cili do të konkretizohet dhe me ndryshimin e paketës fiskale që ka të bëjë me këto lloj taksash”, thotë Shehu për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama