1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria pret sot Antony Blinken

15 Shkurt 2024

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken qëndron sot në Tiranë. Ai takohet me krerët e shtetit shqiptar, pjesë e agjendës është po ashtu edhe nënshkrimi i një memorandumi kundër manipulimit informativ.

Para vizitës së Antony Blinken, Pllakat me foton e Blinnken varur në godinën e Universitetit të Tiranës
Fotografi: Ardit Toca/DW

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken pritet të mbërrijë në Aeroportin e Rinasit rreth orës 11:00, duke filluar një ditë të ngarkuar me takime që do të zgjasin deri në orën 19:00 të së enjtes në Tiranë. Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur në faqen zyrtare se ndalesa e parë e Sekretarit Blinken do të jetë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, ku do të përshëndesë stafin që punon aty. Në orën 13:35, Sekretari do të takohet me disa shtetas afganë që kanë aplikuar për viza speciale emigrimi në Shqipëri, dhe që qëndrojnë këtu nga viti 2021, pas rikthimit të talebanëve në pushtet.

Për rreth 30 minuta, duke nisur nga ora 15.05, Sekretari Amerikan i Shtetit do të pritet në Institucionin e Presidencës për t'u takuar me kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begajn. Sipas agjendës së publikuar nga Departamenti Amerikan, takimi mes kryediplomatit amerikan dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, do të nisë në orën 16.15, që do të pasohet edhe me një dalje të përbashkët për mediat në orën 18.10. Pjesë e agjendës së Sekretarit është edhe nënshkrimi i një memorandumi Mirëkuptimi për Kundër Manipulimit Informativ të Shtetit të Huaj në Tiranë.

Fokusi i vizitës - e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor

Vizita njëditore e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, do të këtë në fokus të adhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim nënvijëzoi se Blinken do të veçojë bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. "Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t'i falënderojmë që ishin mikpritësit kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t'i strehuar ata që janë në rrezik”, u shpreh Kim. 
Ndërsa zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, para vizitës së Sekretarit Blinken në Shqipëri, vlerësoi qëndrimin e vendit si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si kryesuese e OSBE-së për vitin 2020.
‘'Shqipëria është një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës” – tha Miller.
Në Shqipëri vizita e kryediplomatit amerikan është konsideruar historike, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se "Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë''.

Fotografi: Rashela Shehu/DW
Fotografi: Ardit Toca/DW

Tirana nën masa të rrepta sigurie

Ardhja e Sekretarit Amerikan të Shtetit po pritet nën masa të larta sigurie. Të angazhuar në terren janë rreth 1000 forca policie, ndërkohë që janë bllokuar zonat ku Blinken do të ketë takime. Prej orës 19:30 të së mërkurës ka nisur ndalimi i parkimit të automjeteve në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit” dhe disa prej rrugëve që lidhen me këtë bulevard. Po ashtu është ndaluar levizja e automjeteve nga Rinasi, ku ndodhet Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Krahas masave të sigurisë, në dy anët e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit” janë vendosur flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Një poster me mbishkrimin: "Mirë se vjen, zoti Blinken” është shpalosur në fasadën e ndërtesës së Universitetit Politeknik të Tiranës në sheshin pranë Presidencës dhe Kryeministrisë. Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Shqipërinë e vizitoi në vitin 1991 James Baker, pasuar nga Madeleine Albright në vitin 2000, Colin Powell në vitin 2003, Hillary Clinton në vitin 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.