1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria shkatërron armët e saj të dëmtimit në masë

Aida Cama16 Korrik 2007

Shqipëria arriti të shkatërronte armët e saj këtë vit dhe është vendi i parë në botë që bëri një hap të tillë. Tani në botë ekzistojnë edhe pesë shtete me armë kimike SHBA, Rusia, India, Libia, Korea e Jugut

Fushatë e Amnesty International kundër armëveFotografi: AP


Deutsche Welle: Shqipëria është vendi i parë që zhduk armët e dëmtimit në masë. Lajmi është bërë i ditur nga Organizata për ndalimin e armëve të dëmtimit në masë, me seli në Hagë (OVCW). Peter Kaiser, është zëdhënës i organizatës.

Peter Kaiser: Ekzistojnë edhe gjashtë vende të tjera që kanë deklaruar armë kimike dhe të gjitha janë duke i shkatërruar ato. Shqipëria ishte vendi i parë i cili arriti të shkatërronte të gjithë sasinë deri në fund.

Deutsche Welle: Procesi i shkatërimit të armëve të dëmtimit në masë zhvillohet sipas Konventës së armëve kimike e cila kujdeset që të gjitha vendet e botës të marrin pjesë në të. Deri tani 182 vende e kanë ratifikuar Konventën. Të gjitha vendet janë të detyruara të thonë nëse kanë apo jo armë kimike. Nëse kanë, atëherë duhet t`i shkatërrojnë ato brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Deutsche Welle: Ardiana Mandia, ka marrë pjesë në projektet për zhdukjen e armëve kimike në Shqipëri. Në kuadër të ratifikimit të Konventës për armët e dëmtimit në masë, Shqipëria ka punuar për njohjen e kimikateve të ndryshme, që ekzistonin në vend dhe shkatërrimin e tyre. Shkatërrimi është bërë në dy faza. Faza e parë në vitin 2000 me projektin "Vetoksa" dhe faza e dytë, e cila ka shkatëruar përfundimisht armët e dëmtimit në masë në Shqipëri është kjo e vitit 2007.

Bodo Hombach duke shkatëruar armë në Shqipëri

Deutsche Welle: Shqipëria i pati trashëguar armët e dëmtimit në masë nga periudha komuniste. Ato nuk ishin prodhime shqiptare, por të ardhura nga Kina.

Peter Kaiser: Kujdesi ynë kryesor është që pavarësisht se nga vijnë armët, ato duhen deklaruar dhe shkatërruar. Ndaj nëse një vend ka kapacitete prodhimi armësh kimike, fabrika për armë të dëmtimit në masë, ose kapacitete laboratorësh, të gjitha duhet të shkatërrohen, që në të ardhmen të mos prodhohen më armë kimike dhe që armët ekzistuese të shkatërrohen.

Deutsche Welle: Me çfarë metode janë zhdukur armët e dëmtimit në masë në Shqipëri?

Ardiana Mandia: Metoda ka qenë kimike, neutralizim kimik për t`i kthyer lëndët nga të rrezikshme në të parrezikshme.

Deutsche Welle: Ndër lëndët e dëmtimit në masë prezente në Shqipëri kanë qenë iprit, luizit, përzierje ipriti luiziti, adamsit dhe kloracetofenon.

Ardiana Mandia: Cloracetofenonin ka qenë në sasi shumë të vogla, sepse u shkatërrua në vitin 2000. Tani së fundi për tu shkatëruar kanë qenë vetëm iprit, luizit dhe përzierje e tyre. Sasia e parë e shkatërimit ka qenë më e vogël, kurse kjo e dyta më e madhe. Sepse lëndët që u shkatërruan të parat ishin solucione të holluara, solucione mësimore kurse këto të tjerat kanë qenë të koncentruara, me përqindje të lartë. Ipriti me avuj shkakton për shembull edema në trup, sepse është lëndë që vepron në lëkurë.

Peter Kaiser: Metoda e shkatërrimit të armëve është e sigurt si në përdorim ashtu edhe në siguri sepse kërkush nuk rrezikohet dhe nuk ka dëmtime të ambientit. Si metodë është e kontrollueshme, sepse në rastin e Shqipërisë kishim të bënim me sasi të vogla. Në Shqipëri ndodheshin me 16 ton kubik, që do të thotë 16 mijë kg lëndë kimike. Në SHBA kemi të bëjme me 28 mijë ton kubik, që do të thotë 2,8 milionë kg. Pra kemi të bëjmë me raporte krejt të tjera. Në rastin e Shqipërisë mjaftoi një punishte.

Deutsche Welle: Shqipëria ka marrë ndihmë prej Greqisë dhe ShBA-ve dhe Zvicra si dhe Italia. Ndihma ka qenë ne formë këshillash teknike, pajisjesh si dhe ndihma financiare. Sa e sigurt është që armët në Shqipëri janë zhdukur?

Ardiana Mandia: Ne kontrollojmë. Të gjitha kontrollohen. Edhe laboratorët, sipas konventës duhet të kenë vetëm një sasi të vogël lëndësh e cila përdoret vetëm për eksperimentime. Nuk kalohet vlera ose sasia e atyre lëndëve që përcaktohen mirë në konvent.

Peter Kaiser: 182 vende bëjnë punën tonë. Një herë në çdo tre muaj në Hagë zhvillohet një takim në të cilën diskutohet për hapat e bëra në drejtim të shkatërrimit të armëve. Nuk ekziston asnjë pajisje që futet në punë, që të mos provohet më parë teknikisht dhe nga ana operacionale, që të mos kontrollohet nga ekspertët tanë por edhe nga ekspertët e vendeve të ndryshme. Kur armët janë duke u zhdukur në jemi prezent 24 orë në shtatë ditët e javës dhe shoqërojmë zhdukjen e tyre. Çdo armë që zhduket numërohet, dhe ne kujdesemi që armët kur mblidhen të numërohen me saktësi dhe të mos ketë mundësi që të humbasë ndonjë gjë. Ne kujdesemi që çdo copë, çdo gram kimikalesh të futet në sistem dhe të shkatërrohet.

Ardiana Mandia: Në përfundim mund të thuash që Shqipëria është një nga vendet e para në të cilën nuk ka më lëndë të dëmtimit në masë.