1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri–Kosovë: Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij

2 Tetor 2020

Nën moton "Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij" përfundon në Tiranë takimi i radhës mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Treffen der Regierungen Albanien und Kosovo in Tirana
Fotografi: Ani Ruci/DW

Rezultatet konkrete të këtij takimi, i gjashti mes dy qeverive që nga viti 2014, tregojnë vullnet politik në rritje të Shqipërisë  dhe Kosovës drejt synimit në perspektivë, që shpreh logoja e këtij takimi: "Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij”.

Në takimin që përfundoi të premten, (02.10), në Tiranë, mes Shqipërisë dhe Kosovës u nënshkruan 14 marrëveshje ndërqeveritare si dhe marrëveshje specifike mes ministrave përkatës të të dy vendeve.

Marrëveshjet ndërqeveritare kanë një diapazon të gjerë: që nga siguria dhe mbrojtja, ekonomia dhe lehtësirat doganore,shëndetësia dhe përballimi i COVID-19, krijimI I një korridori digjital me teknologjinë 5G mes dy vendeve, bashkëpunim në kulturë dhe sport.

Avdullah Hoti dhe Edi RamaFotografi: Press office, Premiership

Ndër marrëveshjet e nënshkruara të premten bën pjesë edhe ajo për krijimin e Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës.

Kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti e vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjeve ndërqeveritare si "hyrjen në një fazë të re të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë me qëllim lehtësimin e funksionimit të jetës së qytetarëve dhe të bizneseve”.

Kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp vuri në dukje se nënshkrimi i tyre mund të ishte bërë kohë më parë, por ishte penguar dhe anashkaluar nga  "luftëra imagjinare që nuk ekzistojnë”, pa i përmendur ato.

" Sot Shqipëria dhe Kosova kanë vetëm një luftë: atë për zgjerim, zhvillim dhe integrim” tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp..

Porti i Durrësit: "de facto” edhe i Kosovës, edhe strategjik rajonal

Do të ndodhë së shpejti që porti i Durrësit të bëhet edhe port i Kosovës, bëri me dije kryeministri Rama në këtë konferencë shtypi.

"Ka filluar funksionimi i Zyrës Operative të Kosovës në doganën e Portit të Durrësit dhe aplikimi i  funksionimit të një sistemi të ri të përbashkët doganor” tha ai.

Rama vuri në dukje firmosjen, javët e ardhshme, të marrveshjes për zbatimin e lehtësirave të ndërsjellta për procedurat doganore dhe kontrollin e hyrje-daljes së mallrave, gjë që e "shndërron portin e në një port "de facto” edhe të Kosovës, në një stacion të vetëm, ku hyrja e të gjitha mallrave për në Kosovë, nga pikëpamja legjislative dhe juridike do të trajtohet si një hyrje në Kosovë në momentin kur mallrat zbarkohen në Durrës” dha detaje ai.

Fotografi: Mimoza Dhima

Duke iu referuar marrëveshjes muajin e kaluar në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë për mundësinë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në Adriatik ai tha se "shndërrimi i portit të Durrësit edhe në një port të Kosovës është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivit që ky port  të kthehet në një port strategjik, jo vetëm për të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, por edhe për atë rajonale” .

Schengen-i rajonal, Kosova  dhe hapja e kufinjve në rajon

Krahas marrëveshjeve të firmosura takimi mes dy qeverive në Tiranë risolli temën e zgjerimit dhe të integrimi të tregjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe projektin e Schengen-it rajonal.

"Kjo nuk sjell në rajon asgjë të keqe, përkundrazi sjell më shumë ekonomi, punësim dhe mundësi për paqe apo zgjidhjen përfundimtare të çështjes themelore, që është njohja e Kosovës nga Serbia” - tha kryeministri Rama.

Ai tha pjesëmarrja edhe e Kosovës në projektin e Schengen-in rajonal mundëson heqjen e të gjitha barrierave kufitare. Pa këtë zhvillim Uashingtoni, Brukseli, por edhe Beogradi, do të ngrihen e thonë se po krijohet "Shqipëria e Madhe” tha Rama.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, konfirmoi në Tiranë se Kosova "do të ulet në tryezën e përbashkët të liderëve rajonalë si e barabartë për të diskutuar " nismën e Schengen-it rajonal, që është i përkohshëm, pasi interesi është një Schengen i plotë në BE”

Mosliberalizimi i vizave për Kosovën, turp për BE-në

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën zuri vend përsëri në bisedimet Shqipëri-Kosovë. "Nuk di çfarë të besoj për liberalizimin e vizave, thjesht turp për BE-në. Një turp i pashlyeshëm dhe i pajustifikueshëm. Jo se Kosova nuk i ka bërë detyrat, por se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme nga vendet e BE-së. Kosova duhet të presë si mbarojnë një palë zgjedhje në një vend dhe pastaj kur ka zgjedhje në një vend, kjo duket sureale.” - tha kryeministri Rama në takim.

Kurse kryeministri Hoti vendosi si prioritare kriteret për liberalizimin e vizave. "Mos ta shajmë shumë BE-në por të mbajmë të plotësuara kriteret” tha ai.