1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri:Vazhdojnë lëkundjet e tërmetit

Ani Ruci'
22 Shtator 2019

Lëkundjet e tërmetit 5.8 ballësh në Shqipëri kanë vazhduar. Janë 105 qytetarë të plagosur, 293 banesa të dëmtuara, nuk ka viktima.Ngrihen kampe me ҫadra për të kaluar natën.

Albanien Erdbeben
Fotografi: Reuters/F. Goga

 

Lëkundjet e tërmetit të fuqishëm, që goditi Shqipërinë të shtunën pasdite, (21.09.2019) kanë vazhduar edhe sot, e diel (22.09). Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në Tiranë dhe organizata SOS Earthquakes, me qendër në Belgjikë, kanë regjistruar shtatë lëkundje ditën e sotme: të parën pak pas mesnate, me magnitudë 5 ballë dhe të fundit në mëngjes, në orën 06.46, me magnitudë 3,7 ballë. 

Të dhënat zyrtare të Institutit bëjnë me dije se epiqendra e tërmetit është në Detin Adriatik,  6 kilometra nga veriu i Durrësit, me një thellësi prej 44 kilometeash në veri të Durrësit, tek vendi i quajtur Kepi i Rodonit. Ato bëjnë me dije se tërmeti ka prekur Bullgarinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroaconë, Greqinë, Italinë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut.  Por dëmtimet më të mëdha kanë ndodhur në qarkun e Tiranës dhe Durrësit.

Bilanc paraprak i dëmeve të tërmetit

Bilanci vjen nga Ministria e Mbrojtjes, ku rykemnistri Rama zhvilloi mbledhjen urgjente të qeverisë, në mesnatë, menjëherë pas kthimit të tij nga Frankfurti dhe anulimit të udhëtimit për në New York, ku do të merrte pjesë në takimin vjetor të Kombeve të Bashkuara.

Fotografi: AFP/G. Shkullaku

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaҫka, raportoi se në total, në të gjithë vendin janë " 105 qytetarë të plagosur, 293 banesa të dëmtuara dhe nuk ka viktima. Dëmet janë modeste në krahasim me ato që mund të kishin ndodhur nga një tërmet i tillë i fuqishëm prej 5,8 ballësh” theksoi ajo në mbledhjen e qeverisë.

Autoritetet lokale në të gjithë vendin filluan sot, në orën 10.00, një takim me kryeministrin dhe qeverinë në Tiranë për të marrë masa në vijim dhe shmangur dëmet dhe viktimat e mundshme në rast se tërmeti vazhdon.

Panik dhe frikë, çadra për qytetarët

Fuqia e tërmetit dhe lëkundjet e mëdha që ai shkaktoi në pasditen e të shtunës, ( 21.09) kanë ngjallur panik dhe tmerr tek qytetarët.

Diana Jani, mësuese tha për DW se familjen e saj, që banon në katin e 9-të , e zuri paniku dhe frika sidomos kur prindërit e moshuar nuk mund të dilnin jashtë me shpejtësi dhe ashensori nuk arrinte të përballonte fluksin e banorëve që përpiqeshin të dilnin jashtë. "Ne arritëm të dilnim jashtë kur lëkundjet kishin mbaruar. Patëm një frikë dhe tmerr të paprovuar kurrë më parë. Prindërit e moshuar nuk donin të dilnin, shpëtoni fëmijët. Po si mund të iknim pa ata?", thotë ajo e përlotur..

Në rrethinat e Tiranës shumë qytetarë kanë fjetur jashtë banesave të tyre. Burime nga Prefektura e Tiranës bëjnë sot me dije për DW se gjatë natës së mbrëmshme janë ngritur kampingje me ҫadra, në zonat më të prekura nga tërmeti të qarkut të TIranës, që qytetarët të kalojnë natën e sotme ose ato në vijim në rast nevoje.

Për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe shmangur viktimat në rast të vazhdimit të lëkundjeve të tërmetit në Tiranë janë ngritur 6 qendra emergjence në zonat më problematike dhe të prekura nga tërmeti, pranë  të cilave qëndron ambulance dhe zjarrfikëset.