Shqiptarët dhe serbët bisedojnë - Nuk priten kompromise
15 Shtator 2006
Moment i rëndësishëm për Kosovën
Bisedimet për decentralizimin e pushtetit po zhvillohen në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën. Me 22 shtator pritet që ndërmjetësuesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisari të raportojë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për ecurinë e bisedimeve të deritanishme.
Megjithatë, mundësia e marrëveshjes për decentralizimin e pushtetit është shumë pak e mundur. Në takimin e fundit kushtuar kompetencave të komunave të reja, palët jo vetëm që nuk afruan qëndrimet, por kanë ashpërsuar edhe më shumë pozicionet e tyre. Ndërkohë që nuk ka paralajmërime as për lëshime në numrin e komunave të reja me shumicë serbe dhe çështjen e Mitrovicës.
Mosmarrëveshje për numrin e komunave
Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Lufti Haziri para takimit të sotëm tha se propozimi i tyre nuk ka ndryshuar. "Bazat e dokumentit tonë i kemi shpjeguar këtu disa herë. Propozimi ynë parashikon benificione për komunat serbe. Më shumë se 85 përqind e popullatës serbe dhe 76 përqind e territorit të banuar me serb, do të përfshihet në këto komuna. Ato do të kenë kompetenca të qarta dhe të gjëra, duke përfshirë këtu edhe arsimin, shëndetësinë dhe disa lëme të tjera", theksoi Haziri.
Ministri i pushtetit lokal nënvizoi se në propozimin e tyre nuk ka ndryshuar asgjë as sa i përket numrit të komunave të reja me shumicë serbe. "Aktualisht në Kosovë kemi pesë komuna me shumicë serbe. Ne kemi ofruar krijimin edhe të pesë komunave të tjera, që do të thotë se do të bëhen 10. Ndërkohë që shumica shqiptare ka 20 komuna. Në shtetin e pavarur të Kosovës, komunat duhet të jenë funkcionale dhe stabile" theksoi Haziri.
Beogradi i ka hedhur poshtë ofertën e Prishtinës me shpjegimin se komunat e propozuara i ngjajnë enklavave, ku nuk përfshihet një numër i madh i fshatrave me shumicë serbe. Beogradi kërkon që pesë komunave të tanishme tu shtohen edhe 12 të tjera. "Ne sërish do të prezatojmë propozimin tonë për krijimin e 12 komunave të reja dhe zgjerimin e komunës së tanishme Novo Brdo. Bisedimet e sotme do të jenë shumë serioze dhe të rënda. Do të ishte mirë sikur të shënoheshin përparime, por nuk pres që kjo çështje të përfundojë", theksoi udhëheqësi i delegacionit serb, Sllobodan Samarxhiq duke shtuar se: "rreth këtyre çështjeve nuk do të bëhet tregti. Për ne është me rëndësi që të pranohen kriteriet për krijimin e komunave të reja. Përparimi mund të arrihet vetëm nëse pranohet që si parametër për krijimin e komunave të merret gjendja e vitin 1999, sepse duhet krijuar edhe disa komuna ku serbët duhet të kthehen."
Një prej kërkesave të palës serbe është që territoret e komunave të reja të jenë të ndërlidhura, me shpjegimin se kjo do të mundësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë.
Mosmarrveshje për Mitrovicën
Mosmarrveshje të mëdha ka edhe sa i përket çështjes së Mitrovicës. Pala serbe kërkon që pjesa veriore e qytetet të bëhet komunë më vete, ndërsa ajo kosovare që Mitrovica të jetë një qytet me dy komuna.
Lutfi Haziri shpjegon për Dojçe Velen: "Formula e vetme që siguron integrrimin dhe interesat e të gjithë qytetarëve është dy komuna një qytet. Mitrovica duhet të integrohet. Nuk mund të lejohet bashkangjitja e saj me ndonjë komunë tjetër, shkëputja e qytetarëve shqiptarë dhe cënimin e interesave të qytetarëve."
Rezultatet e takimit të sotëm do të prezantohen në fund ditës, kur ndërmjetësuesi Albert Rohan udhëheqësit e delegacioneve do të mbajnë konferenca të ndara për shtyp.