1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtazi në Bundestag? Dosja "Rozenholz hapet për gazetarët dhe studjuesit

Monika Dietrih3 Gusht 2006

"Rozelnholc" - ky emër i përket një druri tropikal që ka erën e trëndafilit. "Rozenholc" është koduar edhe një aksion i CIA-s në vitin 1990. Në rrethana të paqarta agjentët amerikanë asokohe ia arritën që të marrin dosje delikate të ish-shërbimit sekret në RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë), shtazi.

E ngarkuara e qeverisë gjermane për dosjet e Shtazit, Mariane Birtler
E ngarkuara e qeverisë gjermane për dosjet e Shtazit, Mariane BirtlerFotografi: AP

Dosja "Rozenholc" përmbante ndër të tjera informacione mbi 43 deputetë të Bundestagut gjerman nga periudha 1969-1972. Parlamentarët gjermano-perëndimorë ose kanë qenë aktivë si agjentë të shtazit, ose janë përgjuar pa dijeninë e tyre. Ndërkohë këto të dhëna janë verifikuar edhe prej të ngarkuarës së qeverisë për dosjet e shtazit, Mariane Birtler. Ajo ka lejuar tani që një pjesë e kësaj dosjeje të hapet edhe për gazetarët dhe studjuesit.

Gati katërqindmijë skeda për persona dhe veprime operative të dosjes "Rozenholc" janë regjistruar në mikrofilm dhe në CD-Rom. Tre vjet resht studjuesit e kanë përpunuar këtë material. Ndërsa tani zyra e dosjeve të shtazit ka publikuar dosjet e para për politikanët gjermano-perëndimorë. Këto dokumenta tregojnë, se si RDGJ është përpjekur të influencojë në Gjermaninë Perëndimore, tha e ngarkuara e qeverisë për dosjet e shtazit, Mariane Birtler:

"Ministria për sigurimin e shtetit është interesuar për Perëndimin, për Republikën Federale të Gjermanisë dhe deputetët duke u përpjekur që të marrë sa më shumë informacione prej tyre. Shumë pak të dhëna ka për punën e shtazit në Perëndim, për këtë posedojmë vetëm të dhëna të pjesshme. Ndaj kjo që posedojmë është e rëndësishme. Këto janë të dhënat e dosjes "Rozenholc", që na jep mundësi të njohim përmasat e aktivitetit të shatzit në Perëndim."

Në dokumentat "Rozenholc" përmenden 43 deputetë të Bundestagut nga periudha 1969 deri në 1972. Por pesë prej tyre me sa duket kanë punuar faktikisht si bashkëpunëtorë jozyrtarë për shtazin, ndër ta Karl Vienand i partisë socialdemokrate, Leo Vagner e Juluis Shteiner të partisë kristiandemokrate. Shteiner dhe Vagner janë paguar prej shtazit, gjë që në prill të vitit 1972 bëri që të dështojë vota e mosbesimit ndaj ish-kancelarit socialdemokrat, Vili Brand.

Por mendimi, se shtazi ishte i pranishëm në grupin më të madh parlamentar në Bundestag është i ekzagjeruar, thotë Britler. Por sipas saj, shumica e politikanëve të përmendur në dosjen "Rozenholc" si ish-kancelari socialdemokrat, Helmut Shmid, paradhësi i tij Vili Brand, apo ish-kryetari i partisë kristiansociale, Franc Jozef Shtraus janë më shumë viktima, se sa autorë: "Ne kemi mundur të rendisim nëpër skeda një sërë politikanësh, që janë shënuar si bashkëpunëtorë jozyrtarë me dosje më vete, por midis tyre ka pasur edhe bashkëpunëtorë jo zyrtarë pa dosje. Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me persona, që janë shfrytëzuar ose janë përgjuar."

Bashkpunëtorë jozyrtarë me dosje, emërtoheshin prej shtazit persona që kanë qenë interesant për ndonjë arësye të caktuar. Këta mund të kenë qenë edhe njerëz që janë spiunuar prej të tjerëve. Hapja e dosjeve duhet të aprovohet nga vetë personat e prekur. Edhe kjo është një arësye, se përse dosja "Rozenholc" do të qëndrojë për një kohë të gjatë në sisrtarët sekret, sepse nuk është sqaruar sa duhet se kush ka qenë viktimë dhe kush ka qenë autor. Vitin e ardhshëm zyra e dosjeve të shtazit do të publikojë një raport të hollësishëm lidhur me dosjen "Rozenholc".