1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtetet e Vishegradit kërkojnë "një Evropë më të mirë"

Gerhard Gnauck
3 Mars 2017

Shtetet e Vishegradit shfaqen në takimin e nivelit të lartë me besim në vetvete, si rrallë më parë. Ato kërkojnë që të ruhet uniteti i BE dhe katër liritë bazë të tij.

Polen | Ministerpräsidenten der Visegrad-Staaten in Warschau
Fotografi: picture-alliance/dpa/PAP/R. Pietruszka

Me qendrime kaq të përbashkëta i kemi përjetuar rrallë shtetet e Vishegradit. Në takimin e tyre të nivelit të lartë në Varshavë, katër shtetet, Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, u drejtuan kërkesa të qarta shteteve të tjera anëtare të BE. Me qendrim të përbashkët ky grup do të shkojë edhe në takimin e nivelit të lartë të BE në fund të marsit në Romë.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico formuloi një paralajmërim të ashpër për të ardhmen e BE: "Gjendja e përgatitjeve të takimit të nivelit të lartë në Romë është për të qarë hallin." Ai tha se takimi kërcënon të kthehet në një takim, në fund të të cilit "të mos dalë një vizion i një Evrope të së ardhmes, por rreshtim i interesave inviduale, nacionale".

Mikpritësja, kryeministrja e Polonisë, Beata Szydlo, lexoi para kamerave një deklaratë të detajuar, e cila përmbledh në disa pika pozicionet e Grupit të Vishegradit. Shefit të Këshillit Evropian, Donald Tusk i kërkohet që të përpunojë mbi këtë bazë propozime për Romën. "Nuk bëhet fjalë për më shumë ose më pak Evropë, por për një Evropë më të mirë", tha Szydlo.

Për "Shtetin Juridik, kundër proteksionizmit"

Në tekst, katër shtetet e quajnë BE qartësisht "instrumentin më të mirë për të përballuar sfidat që kemi përpara". Ato deklarohen edhe në mbështetje të vlerave të demokracisë dhe të shtetit juridik dhe shprehen kundër "proteksionizmit, si brenda, ashtu edhe jashtë BE" - me sa duket duke bërë aludim për SHBA nën Donald Trumpin. Aq më tepër BE duhet të mbetet i hapur "për ato vende, të cilat i mbështesin këto vlera, para së gjithash për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe fqinjët tanë lindorë".

Edhe tema e "Evropës me dy shpejtësi" u përmend. Brenda BE duhet të jetë e hapur çdo formë e një bashkëpunimi më të ngushtë "për çdo shtet anëtar, për të penguar në mënyrë absolute çdo desintegrim të tregut të brendshëm, të hapësirës së Shengenit dhe vetë të BE", thuhet në tekst. Ende ekziston një "potencial i madh" për thellimin e tregut të brendshëm, për shembull në çështjet energjetike, në sektorin digjital dhe në lirinë e ofrimit të shërbimeve. Veç kësaj, parlamentet nacionale dhe Këshilli Evropian, pra përfaqësia e qeverive, duhet të forcohen - gjë që me sa duket njëkohësisht do të thotë që duhet të dobësohet Komisioni Evropian.

Fotografi: Reuters/K. Pempel

"Ushqime të klasit të dytë" për Evropën Lindore?

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban i mbështet sipas fjalëve të tij "me 100 përqind"pozicionet e përbashkëta të Vishegradit. Një temë tjetër e takimit të Varshavës ishte cilësia e ndryshme e ushqimeve në Evropë. Sipas studimeve dhe raporteve të medieve koncernet dërgojnë në tregun e shteteve të reja të BE nën emra të njëjtë produkte më të këqia se në shtetet e vjetra. Ky prodhim "me dy kute", tha Orbani, duhet të marrë fund. Szydlo tha se për këtë temë është ngritur një grup i përbashkët pune.

Njëkohësisht në Varshavë u takuan ministrat e Financave të Grupit të Vishegradit dhe kolegët e tyre nga Evropa Juglindore si dhe Komisarja e BE, Corina Cretu. Ministrat lëvduan politikën e kohezionit të BE, e cila duhet të vazhdohet edhe në kuadrin e ri financiar prej vitit 2020. Bashkëpunimi midis grupeve të Vishegradit është intensifikuar. Të gjitha ministritë e shteteve anëtare takohen rregullisht dhe vënë në jetë programe të përbashkëta. Ato mbështesin së bashku sanksionet kundër Rusisë, së bashku ato ndihmojnë edhe Ukrainën.