Shtetet e Vishegradit refuzojnë takimin për migracionin
22 Qershor 2018Kryetarët e qeverive të Polonisë, Çekisë dhe Sllovakisë e vlerësojnë takimin e planifikuar vetëm si aksion ndihme në favor të kancelares gjermane, Merkel. Edhe kryeministri i Italisë ka problemet e tij me takimin.
Shtetet e të ashtuquajturit Grup i Vishegradit kanë protestuar me forcë kundër takimit të lartë të BE për politikën e refugjatëve, të planifikuar të mbahet ditën e diel. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki e quan takimin si "të papranueshëm". "Ne nuk do të marrim pjesë në të, sepse ne nuk duam të merremi sërish me një propozim që e kemi refuzuar një herë", tha kryeministri polak pas një takimi të mbajtur në Budapest me kolegët e tij nga Çekia, Sllovakia dhe Hungaria. Në të morri pjesë shkurt edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz.
Orban: "mos bini në panik mbarë evropian"
Kryeminstri hungarez Viktor Orban tha se takimi i inicuar nga Gjermania është në kundërshtim me zakonet e BE. Formati i duhur është takimi i nivelit të lartë të BE që pritet të mbahet javën e ardhshme. "Ne e kuptojmë që ka vende që kanë probleme të politikës së brendshme, por kjo nuk duhet të shkaktojë panik mbarë evropian", shtoi Orban. Orban nënkuptonte me këtë konfliktin e kancelares Angela Merkel, me ministrin e Brendshëm, Horst Seehofer. Sipas mendimit të tij, ky konflikt ka bërë që të thirret një takim i nivelit të lartë në çështjet e azilit nga aleati i Merkelit, presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker.
Seehofer i ka dhënë Merkelit afat deri në fillim të korrikut për të gjetur një zgjidhje për çështjen e refugjatëve në nivel të BE. Përndryshe ai do japë udhëzime që të gjithë refugjatët e regjistruar një herë në një vend të Bashkimit Evropian duhet të dëbohen nga kufiri gjerman. Kurse Merkel këmbëngul që të gjendet një mënyrë të që aprovohet nga Bashkimi Evropian.
Shtetet e Vishegradit janë kundër rishpërndarjes së refugjatëve
Orban theksoi mbas takimit të vendeve të Vishegradit, se kontrolli i kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian duhet të forcohet. Po ashtu refugjatët duhet të presin jashtë kufijve të Bashkimit Evropian përgjigje për kërkesat e tyre të azilit. Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia ndjekin një linjë të ashpër në politikën e refugjatëve dhe refuzojnë vënien në jetë të kuotave të shpërndarjes së refugjatëve brenda BE.
Në një minitakim që pritet të të zhvillohet në Bruksel, do të marrin pjesë kryetarët e qeverive të Gjermanisë, Francës, Italisë, Greqisë, Maltës dhe Spanjës. Këto vende janë shumë të prekur nga lëvizjet e refugjatëve.
Italia kritikon se nuk është ftuar të marrë pjesë në parapërgatitjen e këtij mini- takimi për migracionin nga partnerët e BE. Kryeministri Giuseppe Conte, shkruante në facebook se ai nuk do të marrë pjesë në takim nëse në të nuk do ketë një deklaratë përfundimtare me shkrim. Këtë ai ia ka thënë edhe kancelares Merkel në telefon: Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert e konfirmoi këtë bisedë telefonike. Për përmbajtjen e bisedës ai nuk dha hollësi.
Conte: Edhe Merkel kundër deklaratës përfundimtare
Sipas Conte-s, Merkeli po ashtu ka thënë se projekti për një deklaratë nga takimi, që u bë hapur ditën e mërkurë, "është vendosur mënjanë". Për çështjet e diskutuara ditën e diel në Bruksel, duhet biseduar më tej në takimin e nivelit të lartë që zhvillohet në fund të qershorit. "Takimi nuk do të mbyllet me një tekst të shkruar", por me një vështrim mbi çështjet e diskutuara, tha Conte më tej.
Qeveria e Italisë ka kundërshtuar edhe përmbajtjen e projektit të deklaratës së përbashkët. Kryesisht diskutimet për marrëveshjen e ripranimit të refugjatëve shihen me sy kritik nga Italian. Italia shpreson t'i shpëtojë rregullave të Dublinit dhe të marrë një përgjigje evropiane për çështjen që refugjatët e anijeve të shpëtuara dërgohen kryesisht në Itali.