Shteti Itali jo vetëm që luan me muskujt, por edhe i përdor ato
31 Gusht 2007
Dy javë pas vrasjes së gjashtë vetëve në Gjermani nga mafia italiane, policia italiane arrestoi dje disa të dyshuar. Në Kalabri u nxorrën 40 urdhra arresti. Të dyshuarit akuzohen për vrasje, lidhje me mafian dhe tregti armësh. Përgjegjësit për vrasjet e Duisburgut nuk janë midis të arrestuarve. Ja edhe komentet e gazetave gjermane për këtë temë.
Nga gazeta WESTDEUTSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG shkëpusim:
"Pothuaj në të njëjtin moment godet policia italiane në folenë e mafias, San Luka (Luca). E planifikuar ushtarakisht, me shumë vendosmëri. Shteti Itali jo vetëm që luan me muskujt, por edhe i përdor ato. Pa lënë shteg për keqkuptime. Dhe në Gjermani, komisioni prej 120 vetash i vrasjes flet për një gjurmë shumë premtuese konkrete, që mund të çonte "te dorasit". Të krijohet përshtypja, sikur nën peshën e ngjarjeve rrugët po shkurtohen. Hetues italianë në Gjermani, gjermanë në Itali."
Në gazetën NEUE RUHR/NEUE RHEIN ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:
"Policia italiane u dha një goditje të fortë dy klaneve të ngurtësuara në një armiqësi për vdekje. Për Ndranghetan këto janë megjithatë vetëm shpime me gjilpërë. Ajo nuk do të heqë dorë nga perfeksionimi i biznesit prej miliardash të drogës. Për aq kohë sa nuk arrin te bosët, nuk arrin të bllokosh xhirollogaritë e tyre, për aq kohë sa në Evropë puna e policisë të bëhet në një masë të madhe shumë e pakoordinuar, për aq kohë sa vrasësit e paidentifikuar mund të udhëtojnë pa u penguar midis BE të pakufij, për aq kohë do të vazhdojë të jetojë mafia hidër dhe do ta zëvendësojë një kokë të prerë me një tjetër. Suksesi i San Lukas është i bukur. Më bukur do të kishte qenë nëse vrasësit e Duisburgut të qenë kapur dhe të qenë dënuar. Vetëm se: vrasësit janë vetëm shumë rrallë bosat."
Ja edhe bilanci i analistit të gazetës MAIN-ECHO:
"Deri tani, shteti italian megjithë përpjekjet e vazhdueshme nuk ka arritur të paraqesë një koncept afatgjatë dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e jugut. Skandalet, vrasjet dhe krizat pasohen nga programe të menjëhershme dhe kataloge masash, përpara se të pasojë skandali tjetër. Në jug të Italisë rrjedhin shumë para, është e vërtetë. Por këto para investohen në mënyrë të gabuar. Për të lumturuar partnerë të koalicionit, sindikata dhe grupe zgjedhësish, policia italiane vendosi vetëm pak kohë më parë që të ardhurat nga taksat për vitin 2007 t'i përdorë për të uluir moshën e kalimit në pension. Njëkohësisht, policët ankohen që për shkak të automjeteve të prishura ose mungesës së benzinës nuk janë në gjendje të shkojnë të patrullojnë."
Ndërrojmë temë: propozimin më të fundit për klimën të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila ndodhet në udhëtim në disa vende aziatike, komentatorët gjermanë përgjithësisht përshëndesin.
SÜDWEST PRESSE që botohet në Ulm shkruan:
"Propozimi i kancelares, për ta matur nxjerrjen e dioksidit të karbonit të një populli në numrin e njerëzve të tij, është mjaft i thjeshtë. Dy blloqe shtetesh të vijnë në mendje me këtë rast: vendet e industrializuara dhe vendet me zhvillim të shpejtë ekonomik, para së gjithash Kina dhe India, të cilat po i arrijnë vendet e tjera duke u zhvilluar me shpejtësi marramendëse. Këto vende me një farë të drejte thonë se rritja e tyre ekonomike nuk duhet të frenohet përmes kushteve shumë të rënda. Këto vende ka parasysh Merkeli. Megjithatë, vendimtare do të jetë se kush do t'i fitojë zgjedhjet në SHBA pas 14 muajsh. Për klimën botërore do të ishte më mirë sikur të fitonte një kandidat demokrat."
Dhe së fundi mendimi i WESTFALENPOST:
"Propozimi i Merkelit funksionon vetëm po të bashkëpunojnë të gjithë. Për aq kohë, sa SHBA as që e cojnë në mendje të reduktojnë nxjerrjen për frymë të dioksidit të karbonit, vendet me zhvillim të shpejtë dhe ato në zhvillim padyshim që do të vazhdojnë t'i shtojnë emisionet e tyre. Në fund të fundit, në lojë është mirëqënia e tyre."