Shtohet numri i të sëmurëve me SIDA në Kosovë
1 Dhjetor 200874 persona janë të regjistruar të infektuar, ndërkohë që autoritetet dyshojnë se numri mund të jetë më i lartë. Udhëheqësi i Shoqatës së infektologëve të Kosovës, doktor Sali Ahmeti, thotë se rasti i parë i SIDA-s në Kosovë është regjistruar në vitin 1986.
"Në institucionet tona shëndetësore janë identifikuar 74 raste me HIV-AIDS. Në vitin 2000-2007 janë raportuar 34 raste, ndërsa shtatë raste më sëmundjen SIDA. Mënyra me e shpeshtë e transmetimit të virusit ka qenë rruga seksuale, ndërsa mosha me e prekur është nga 30 deri 39 vjeç", thotë doktor Sali Ahmeti.
Infektologët kosovar thonë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë propagandë më të madhe kundër SIDA-s, në veçanti tek gjeneratat e reja. Sipas tyre, numri më i madh i të infektuarve është regjistruar pas luftës në Kosovë. Autoritetet kosovare thonë se klinikat infektive, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, janë të përgatitura që të menaxhojnë situatën.
"Për vitin 2009 jemi duke u përgatitur që të kemi një fushatë të gjerë informuese kundër sëmundjes së shekullit AIDS. Fushata dhe rregulla të reja do të përfshihen në të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore. Këto statistika që janë sot dhe që mund të cilësohen të favorshme mund të ndryshojnë për të keq nëse ne nuk jemi më të angazhuar", thotë ministri i shëndetësisë, Alush Gashi. Për luftimin e SIDA-s, Kosova ka fituar një grant nga angazhimi global, i cili parasheh një fond për financimin e aktiviteteve parandaluese brenda 5 vitesh. Vendet e ballkanit perëndimor llogariten si rajonet ku popullsia është e kërcënuar nga infektimi me virusin HIV. Kjo për shkak të procesit të tranzicionit si në rrafshin politik, shoqëror dhe ekonomik.