1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtrohet rruga e Ballkanit drejt BE-së

Viron Gjymshana30 Janar 2006

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian i dha sot mbështetje të plotë dokumentit të paraqitur fund javën e kaluar nga Komisioni Europian rreth rrugës së vendeve ballkanike drejt BE-së. Direktivat do të diskutohen në mars në një konference kushtuar integrimit të vendeve të Ballkanit organizuar në Salcburg.

BE kantjer ndërtimi
BE kantjer ndërtimiFotografi: European Communities
Eshtë pikërisht Austria, kryesuesja e rradhës e BE-së, e cila ka marrë iniciativën e organizimit të kësaj konference, nga përfundimet e së cilës do të varet koha, etapat dhe kriteret e anëtarësimit të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjës në BE.

Siç dihet, Komisioni Europian në dokumentin e paraqitur të premten e kaluar nënvizoi ndër të tjera se kjo komunikatë ndihmon afrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor me BE-në sidomos në fushën ekonomike dhe atë sociale. Ndër propozimet kryesore që përmbahen në këtë dokument, bie në sy krijimi i një zone të lirë tregtie ndërmjet vendeve ballkanike, që duhet të zëvendësojë 31 marrëveshjet e tregtisë reciproke që ekzistojnë deri më sot, rritja e shkëmbimeve universitare dhe arsimore, sidomos nëpërmjet dhënies së më shumë bursave studimore për të rinjtë e këtyre vendeve si dhe lehtësimi i regjimit të vizave për disa kategori të caktuara qytetarësh.

Ministrat e jashtëm të BE-së i bënë thirrje sot edhe një herë tjetër të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre që të punojnë bashkarisht për të çuar më përpara realizimin e standarteve që Kosova të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në procesin e statusit. Njëkohësisht ata i kujtuan Beogradit domosdoshmërinë e bashkëpunimit të plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës si kusht i fillimit të procesit të bisedimeve për marrëveshjen e Asocim - Stabilitetit.

Një vend të veçantë në konkluzionet e shefave të diplomacive europiane zuri edhe çështja e referendumit të ardhshëm në Mal të Zi. Duke theksuar se në kushtetutën e serbo-malazeze i njihet Podgoricës e drejta e organizimit të një referendumi për pavarësi, Këshilli i Ministrave i BE-së kërkoi që ky referendum të zhvillohet konform parimeve demokratike dhe që asnjëra nga palët të mos marrë veprime të njanshme që do të dëmtonin stabilitetin në rajon.

Megjithëse në konkluzionet e sotme të takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian nuk përmendet Shqipëria, burime zyrtare të BE-së bënë të ditur se javët e ardhshme pritet nënshkrimi i marrëveshjes së asocim stabilitetit ndërmjet Brukselit dhe Tiranës gjatë një vizitë që presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barrozo dhe komisioneri Rehn do të zhvillojnë në Shqipëri.
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW