Shtyhet gjykimi në apel ndaj Timoshenkos
27 Qershor 2012Ish-kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko u dënua në tetor për shpërdorim detyre me shtatë vjet burg dhe një gjobë prej miliona dollarësh. Procesi u kritikua ndërkombëtarisht si i motivuar politikisht. Duke ju referuar gabimeve proceduriale Timoshenko do që vendimi për shpërdorim të postit të anulohet. Por Gjykata e Lartë e Posaçme në Kiev e shtyu të martën (26.06) përsëri seancën e ankimit.
Vendimi i gjyqtarit të gjykatës së apelit për shtyrjen e sancës për datën 12 korrik mezi kuptohej dhe pas tij reagimet në sallë qenë të larta.
Gjyqtari ndoqi kërkesën e prokurorisë. Ajo kishte kërkuar shtyrjen e procesit për një datë pas 10 korrikut. Më 10 korrik në Kharkiv zhvillohet një seancë e re në gjyqin e dytë kundër Timoshenkos për evazion fiskal dhe përvetësim të fondeve shtetërore. Deri atëherë pritet të paraqitet edhe një raport zyrtar mjekësor rreth shëndetit të saj.
Për deputetin e partisë së Timoshenkos "Atdheu" Oleg Tishenko, kjo është një manovër e qartë. Qeveria shmang me këtë publicitetin negativ para finales së Kampionatit Evropian të Futbollit në Kiev. Timoshenko mbetet në paraburgim dhe pa vendim të formës së prerë të gjykatës së apelit - nuk mund t'i drejtohet Gjykatës Evropiane për Drejtat e Njeriut: "Përveç kësaj, mund të krijohet edhe një lidhje e drejtpërdrejtë - në mes rastit të parë, rastit të gazit, si dhe gjykimit të ardhshëm në gjyqin e dytë, në të cilën bëhet fjalë për veprimtarinë e saj në Sistemin e Bashkuar Energjetik të Ukrainës."
Qëllimi është i qartë, thotë avokati i Timoshenkos, Sergei Vlasenko: Janukoviçi do ta paralizojë politikisht për një kohë të gjatë udhëheqësen e opozitës: "Ju e dini, në Ukrainë drejtësia është aq e varur saqë ndoshta as prania e Zotit në sallën e gjyqit nuk do të ndryshonte asgjë. Sepse në anën tjetër të telefonit është Janukoviçi. Mendoj se gjyqtarët ukrainas duhet të kujtohen dalëngadalë, se ata janë gjyqtarë dhe jo si i quante dikur ish-presidenti Kravçuk ndihmësa përmbarimi. "
As prania e vëzhguesve të BE-së nuk mundi ta ndryshojë sjelljen e gjyqtarëve, thotë Vlasenko. Dhe edhe pse ish-presidenti polak Kvashnjevski dhe ish-presidenti irlandez Cox nuk lejoheshin të jepnin komente, fytyrat e tyre folën vëllime.
Disa qindra përkrahës të Timoshenkos, që qëndruan megjithë shiun e madh për orë të tëra para gjykatës, reaguan me zemërim ndaj shtyrjes së përsëritur të procesit të apelit. Me zë të lartë ata kërkuan lirimin e lideres së opozitës.