Shtyhet vendimi i i Eurogrupit për Greqinë
13 Nëntor 2012Raporti për Greqinë i Trojkës së përbërë nga Komisioni i BE-së, BQE dhe FMN pritet prej javësh. Qeveria gjermane ka thënë vazhdimisht se vetëm, pasi të njihet me raportin mund të vendosë për hapat e mëtejshëm në lidhje me Greqinë.
Tani ministrat e financave të Eurogrupit janë njohur me hollësitë e raportit dhe kanë diskutuar për to. Ai përmban vlerësime pozitive dhe negative. Thënë shkurt: Greqisë i njihen përparime të dukshme në kursime dhe reforma. Por dyshime ka ende, sa i takon të ashtuquajturës "aftësi për përballimin e borxheve", që do të thotë aftësisë së vendit për të shlyer detyrimet nga borxhet aktuale dhe për t'i reduktuar ato. Që tani janë bërë të dukshme boshllëqe financimi për vitin e ardhshëm. Greqia shpreson fillimisht në pagesën e këstit të ardhshëm të kredisë prej rreth 30 miliardë eurosh nga programi ekzistues i ndihmës. Nëse nuk i merr paratë, vendi kërcënohet nga falimentimi brenda pak ditësh. Kjo nuk është hera e parë.
Lëvdata për përjekjet e grekëve për kursime
Por shtetet e eurozonës nuk duan të lejojnë, që punët të shkojnë deri atje. Disa ministra financash i lëvduan shprehimisht përpjekjet për kursime të Greqisë. Francezi Pierre Moscovici foli për "përpjekje të guxihmshme" të vendit. Populli grek e ka "merituar" ndihmën e mëtejshme, tha ai. Shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker u shpreh më i kujdesshëm: "Raporti i Trojkës është në përgjithësi pozitiv, pasi grekët vërtet kanë dhënë rezultate." Shefja e FMN-së Christine Lagarde theksoi: "Greqia ka bërë shumë punë dhe ka dëshmuar aftësi të vërtetë vendimmarrëse." Tani e kanë radhën kreditorët të bëjnë të njëjtën gjë. Por në të njëjtën kohë ajo paralajmëroi: "Nuk kemi nevojë për zgjidhje të shpejtë, por për një zgjidhje të vërtetë."
Probleme të reja me gjetjen e financimeve
Por cila është "zgjidhja e vërtetë"? E sigurt është se mali i borxheve greke po bëhet gjithnjë e më i lartë. Sipas përllogaritjeve të Komisionit Evropian deri në 2014 borxhi mund të arrijë nivelin e patolerueshëm prej 190 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Fillimisht kreditorët kishin formuluar si objektiv një borxh prej 120 për qind të PBB deri në 2020, në mënyrë që Greqia të mund të financohet përsëri vetë në treg. Tani ministrat e financave u shprehën të gatshëm ta shtyjnë këtë afat me dy vjet. Shefja e FMN-së Lagarde në një konferencë për shtyp deklaroi shprehimisht se 2020 duhet të respektohet si afat.
Pas reduktimit të borxheve nga kreditorët privatë disa kërkojnë tani edhe një heqje dorë nga kreditorët publikë. Juncker tha pas konsultimeve se sipas mendimit të tij kjo nuk do të ndodhë. Tema është shumë delikate politikisht, pasi politikanët kanë përsëritur vazhdimisht se barra nuk do të bjerë gjithnjë mbi taksapaguesit.
Edhe një paketë e re ndihme për Greqinë vështirë se mund të justifikohet nga ndonjë qeveri kundrejt votuesve. Por edhe zgjatja e afatit për përmbushjen e objektivave nuk bëhet pa kushte, tërhoqi vëmendjen ministrja austriake e Financave, Maria Fekter: "Më shumë kohë do të thotë edhe më shumë para. Dhe taksapaguesit nuk arrijnë të kuptojnë, se përse ne na duhen para shtesë për Greqinë çdo tre muaj."
Ministrat e financave e kanë shtyrë njëherë për njëherë vendimin se si do ta zgjidhin saktësisht problemin. Në 20 nëntor ata do të takohen përsëri. Deri atëherë do të shqyrtohen të gjitha mundësitë. Të premten e ardhshme (16.11.) Greqia duhet të shlyejë detyrime borxhesh në shumë prej 4 miliardë eurosh, por ka të ngjarë që në momentin e fundit t'i vijë në ndihmë Banka Qendrore Evropiane.
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble nuk lejon megjithatë të vihet nën trysni nga afatet. "Nuk mund të hiqet dorë nga shqyrtimi i kujdesshëm", u shpren ministri me stoicizëm, i pyetur për problemet akute të Greqisë.