1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së mërkurës për trupën paqeruajtëse të OKB-së në Liban

ADD19 Korrik 2006

Analistët e shtypit gjerman ndalen edhe sot në propozimin e vetëm deri tani për rrugëdalje nga kriza: në dërgimin e helmetkaltërve të OKB-së në kufirin mes Libanit dhe Izraelit.

Trupa të Kombeve të Bashkuara në Liban
Trupa të Kombeve të Bashkuara në LibanFotografi: picture-alliance / dpa
Situata në Lindjen e Mesme nuk po jep shenja qetësimi. Edhe pas takimeve me të dërguarin e posacëm të OKB-së, kryeministri izraelit Olmert tha se Izraeli do t'i vazhdojë sulmet ndaj Libanit, derisa të jenë plotësuar kushtet e vëna: dorëzimi i ushtarëve të rrëmbyer izraelitë dhe carmatosja e Hisbollave.

Kështu lexojmë ndër të tjera në FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG:

"Dërgimi i një trupe të OKB-së në Libanin e jugut do të mbetet një iluzion, për aq kohë sa Hisbollatë të mos pranojnë se janë mundur, por në vend të kësaj, të festojnë si fitore cdo raketë që bie në Haifa, ose deri në momentin kur Izraeli të shpallë të arritur synimin e tij ushtarak: këto janë dy anë të së njëjtës medalje. Derisa të sqarohet kjo punë ekziston megjithatë edhe rreziku i një përshkallëzimi të situatës. Një goditjeje me raketa kundër Tel Avivit, Izraeli ndoshta do t'i përgjigjet me një goditje kundër fuqive, që qëndrojnë pas radikalëve dhe terroristëve në Gaza dhe Liban. Synimi tjetër do të ishte Damasku. Por edhe qeveria izraelite e di, se kjo do të ishte lëndë shpërthyese për një zjarr të përmasave të papara në botën arabe."

Për FRANKFURTER RUNDSCHAU, stacionimi i një trupe paqeruajtjeje në kufirin izraelito-libanez është plani i vetëm realist për rrugëdalje:

"Stacionimi i një trupe ndërkombëtare në Libanin e jugut, midis alternativave të mundshme është me siguri plani i vetëm realist,për ta bërë më të sigurtë kufirin me Izraelin. Dhe vetë ky hap do të ishte vetëm një fillim për të vënë në jetë rezolutën e OKB-së 1559: carmatosjen e milicëve në Libanin e Jugut. Ai që kërkon të dëmtojë në mënyrë konsekuente islamistët, ai duhet të bëjë hapa të mëtejshëm: para së gjithash të forcojë forcat e moderuara. Edhe ky shkallëzim situate në Lindjen e Mesme dëshmon nevojën e negociatave dhe të menaxhimit të krizës."

Për OFFENBURGER TAGEBLATT trupa paqeruajtëse midis palëve ndërluftuese është punë e mirë, por e pamjaftueshme:

"Propozimi, për ta paqëtuar Libanin me trupa paqeje të OKB-së është një mundësi për të penguar luftën e madhe, por në tërësi i pamjaftueshëm. Megjithëse ideja në plan të parë të duket shumë atraktive. Mund të funksiononte ngjashëm si në Bosnjë. Helmeltkaltër të OKB-së hidhen midis izraelitëve dhe luftëtarëve hizbollah, që janë futur në Libanin e Jugut. Megjithatë, në Liban ndodhet prej 28 vjetësh një trupë prej 2000 vetësh e OKB-së. Dërgimi i disa mijëra ushtarëve më shumë në rajon tani, nuk sjell paqe. Përkundrazi: mund të krijohet një situatë e ngjashme si në Irak. Atje, ushtarët amerikanë të armatosur deri në dhëmbë nuk arrijnë të mbajnë nën kontroll terroristët. Ajo që duhet të ndryshojë është situata e përgjithshme. OKB dhe në krye të saj KS të OKB-së duhet të ushtrojnë së bashku presion ndaj palëve kundërshtare."


THÜRINGER ALLGEMEINE që botohet në Erfurt kujton që dërgimi i një trupe evropiane paqeje në kufi mund të jetë vetëm një angazhim i parë nga ana evropiane:

"Vendimi mund të kishte pasoja të rënda. Në rastin se një trupë paqeje evropiane do të kujdeset vërtet për qetësi në kufirin midis Libanit dhe Izraelit, atëherë Evropa do të vihej para presionit për të vepruar edhe në raste të tjera. Fatahët në Rripin e Gazës kanë shprehur që tani interes. Prandaj edhe sondazhi i OKB-së për mbledhjen e helmetkaltërve u prit me rezerva."

Ndërsa komentatori i FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND është skeptik për shanset reale të dërgimit të trupës:

"Ideja për të dërguar një trupë të OKB-së në zonën e konfliktit midis Izraelit dhe Libanit nxjerr në pah para së gjithash një gjë: paaftësinë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila në mungesë të levave diplomatike turret në aksionizëm puro. Dhe e cila ndoshta shpreson fshehtas se e gjitha do të përfundojë me një propozim sa për të larë gojën të bashkësisë ndërkombëtare. Gatishmëria e Izraelit dhe e Libanit për ta aprovuar këtë trupë aktualisht nuk ekziston dhe me siguri do të mungojë edhe në të ardhmen."