1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së shtunës: Guantanamo, reforma e federatës dhe Osthof

ADD17 Shkurt 2006

Kërkesa për mbylljen e burgut amerikan në Guantanamo, reforma e federalizmit dhe vajtja sërish në Irak e Suzane Osthoff, gjermanes së mbajtur peng atje dhe të liruar pas thirrjeve publike të politikanëve gjermanë janë temat që u interesojnë komentatorëve gjermanë.

Për temën e Guantanamos, pas botimit të një raporti ndërkombëtar që kërkon mbylljen e këtij burgu, SAARBRÜCKER ZEITUNG shkruan:

"Ajo që ndodh në Kubë, minon me cdo synimet që i ka vënë vetes aleanca në luftë kundër terrorit dhe vlerat që ajo mbron. Këtë po e kuptojnë edhe evropianët, të cilët kanë gjetur një mbështetës me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan. Por ç'të bësh kur fuqia botërore, SHBA i refuzon me ashpërsi kritikat? Evropianët mund të shpresojnë vetëm për rritjen e kritikës së vetë amerikanëve për Bushin. Ata munden dhe duhet ta nxisin këtë proces me fjalë të qarta."

HANNOVERSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG mendon ngjashëm:

"Sjellja e Ananit, por edhe presioni politik nga Berlini dhe Londra, që u përforcua dje do t'i ndikojë diskutimet në SHBA dhe do ta bëjë të kalojë sërish në defensivë presidentin Bush. Nuk mund të lejohet që Bushi, për hapat e tij kundër terroristëve të vërtetë apo të supozuar të ketë një hapësirë ku nuk veprojnë ligjet dhe njëkohësisht t'u kërkojë amerikanëve t'i besojnë në luftën kundër terrorit. Këtë besim ai nuk e ka merituar, kur të burgosurit torturohen dhe kur ata nuk kanë asnjë shans për një proces korrekt gjyqësor."

Për temën e reformës federale në Gjermani në AUGSBURGER ALLGEMEINE lexojmë:

"Krahasuar me synimin e madh, për ta bërë qeverisjen më të lehtë dhe për t'i rregulluar në mënyrë të qartë përgjegjësitë, rënia dakord u bë me një emërues shumë të vogël të përbashkët. Gjërat, sipas parimit të dhënies dhe marrjes vërtet që u thjeshtësuan duke u kujdesur që shumë më pak ligje federale se deri tani të kërkojnë miratimin e Dhomës së Landeve. Kjo e bën të gjithë shfaqjen transparente dhe efikase dhe shënon një përparim të rëndësishëm... Por nënë e të gjithë reformave (për të cituar kryeministrin bavarez Shtoiber) kjo reformë do të qe bërë, nëse do të kishte shkolepsur edhe marrëdhëniet e ngatërruara financiare. Koalicioni Zi e Kuq në pushtet ka ndërmend ta bëjë më vonë këtë punë. Të shohim cdo të bëhet."

WESTDEUTSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG e hedh vështrimin përpara:

"Në mars parlamenti do të fillojë konsultimet për paketën e ligjeve, por shpikësit e saj kërcënojnë që tani se ai që kërkon ndryshime, i vë pikëpyetje të gjithë ndërmarrjes. Kjo tingëllon si presion dhe ushqen më tej dyshimin që arsimi kaloi në përgjegjësinë e landeve në tregtinë e paqartë të këmbimeve. Prej vendit të ideve, prej ku dija konsiderohet burimi më i rëndësishëm, do të kishim pritur ide më të mira për vendin."

Kthimi në Irak i Suzane Osthofit, për lirimin e së cilës nga pengmarrësit irakianë u angazhuan politikanët kryesorë të Gjermanisë komentohet kudo në shtypin gjerman.

KIELER NACHRICHTEN konstaton:

"Ashtu sic kishte thënë, Suzane Osthof shkoi sërish në Irak, megjithë paralajmërimet. Ajo e mban kështu për budallaqe qeverinë gjermane, e cila u angazhua për lirimin e saj. Ajo zhgënjen shumë qytetarë, të cilët shpresuan atëherë se drama e pengjeve do të përfundojë qetësisht. Dhe ajo rrezikon jo vetëm veten, por të gjithë të huajt e rrëmbyer në Irak, së bashku me dy inxhinjerët gjermanë. Sepse pengmarrësit mund ta shohin të gjithën si një rast për të krijuar një shembull, nëse një viktimë e rrëmbyer, zonja Osthoff tregon se i kanë bërë kaq pak përshtypje ngjarjet."

Ja së fundi edhe FRANKFURTER NEUE PRESSE:

"Që Osthofi nuk u kushton rëndësi thirrjeve të politikës për t'ju shmangur Irakut, kjo nuk të cudit. Me zemër ajo është irakene. Me Gjermaninë arkeologen e lidh me sa duket vetëm ndjenja se këtu keqkuptohet, ndoshta një relikt nga fëmijëria e saj, e cila sipas të gjitha gjasave duhet të ketë qenë e palumtur. Një përsëritje e rrëmbimit do të ishte një goditje e rëndë për shtabin e krizës në Berlin, një mision i rrezikshëm për diplomatët tanë në Bagdad dhe do ta vinte në mënyrë të panevojshme para presionit për t'u justifikuar qeverinë gjermane, se pse ajo vazhdon të angazhohet edhe më tej për Osthofin. Edhe nëse Susane Osthof nuk ndihet e lidhur me Gjermaninë, nënshtetësia e saj të detyron që qeveria gjermane të angazhohet për të - një botë së prapthi."