1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman mbi atentatin e së dielës në ishullin spanjoll të Majorkës

10 Gusht 2009
Shtypi gjerman mbi atentatin e së dielës në ishullin spanjoll të Majorkës. Ne foto: faqe te para te gazetave gjermane
Shtypi gjerman mbi atentatin e së dielës në ishullin spanjoll të MajorkësFotografi: picture-alliance/dpa

Pas atentateve të përsëritura të ETA-s këto dy muajt e fundit, të cilat kanë pasur në shënjestër edhe ishullin turistik të Majorkës, gazeta "Badische Neueste Nachrichten" (Karlsruhe) vëren:

"Tani shtrohet pyetja: A po bëhet ETA vërtet një rrezik serioz për pushuesit në Spanjë? Për momentin nuk duket kështu. ETA ka ushtruar gjithmonë me ndërgjegje atentante me bomba në zona turistike, për ta prekur Spanjën në një vend që i dhemb, te industria e turizmit. Këto të ashtuquajtura fushata verore ndjekin gjithmonë të njëjtin model si edhe dje. ETA vendos bomba dhe paralajmëron para shpërthimit të tyre. Por ndonjë ditë edhe mund të ndodhë ndonjë gjë."

Nisur nga 50-vjetori i themelimit të ETA-s gazeta "Leipziger Volkszeitung" shkruan:

"Festa e ditëlindjes është mëse makabre. ETA po e kremton 50-vjetorin e themelimit të saj me një seri deri tani të panjohur sulmesh dhe atentatesh. Dhe drejtësia spanjolle, e cila e kishte deklaruar këtë organizatë ilegale baske pak a shumë të mundur, nuk di si të veprojë. Që ETA ka si objektiv industrinë e turizimit e bëjnë të qartë shpërthimi i bombave në restorante apo qendra tregtare. Më parë sulmet, të cilat nuk shkaktonin dëme apo shkaktonin dëme të pakta nuk merreshin seriozisht, ose minimizoheshin. Tani kjo mund të ndryshojë, sepse terroristët janë ende në Majorkë dhe me sa duket planifikojnë vepra të reja. Në rast se te pushuesit do të përhapet ideja se Sangria nuk është vetëm një pije, por se në spanjisht do të thotë edhe "gjak", atëhere kjo mund të ketë pasoja afatgjata."

"Nordwest-Zeitung (Oldenburg)" shkruan:

"Majorka nuk është vetëm ishulli më i dashur i turistëve gjermanë, por shihet si sinonim i pushimeve, i çlodhjes dhe i diellit. Ky ishull konsiderohet si i sigurt dhe administrata lokale është përpjekur që, megjithë një sërë hotelesh prej betoni, ishulli të mos konsiderohet si vend për të kaluar pushime të lira në mes të zhurmës, por si një ishull i bukur dhe ekologjik. Por që nga kjo fundjavë është e qartë se sfidat janë më të mëdha. ETA ka vënë në shënjestër turizmin masiv, duke goditur kështu drejtpërdrejt bazën e ekonomisë spanjolle."

Autor: dpa/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi