1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për vendimin GjND

23 Korrik 2010

Shumë gazeta gjermane komentojnë opinionin e Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Në komentin "GjND mbështet Kosovën e pavarur. Ndarja është e lejueshme"

në gazetën "Die Welt" autori Michael Stürmer shkruan:

"Vendimi nuk është obligativ për asnjërën nga palët. Por ai forcon pozicionin e qeverisë shqiptare në Kosovë dhe të 22 prej 27 vendeve, të cilët e njohën më parë së bashku me SHBA-në si shtet të ri provincën separatiste të Serbisë postjugosllave. Që pesë shtete të BE nuk e kanë bërë këtë, ka të bëjë më pak me vetë Kosovën se sa me shqetësimin, që këtu krijohet një rast precedent, të cilit mund t'i referoheshin provinca, apo pakica të trazuara. Për Serbinë është fjala për dinjitet, identitet dhe pretendimin për rolin udhëheqës në Ballkan. Mesazhi nga Haga është i hidhur. BE-së do t'i duhet të bëjë shumë, që përmes tratativave të mençura në drejtim të pranimit të qetësojë demonët e vjetër. Qeveria kosovare duhet të evitojë çdo lloj triumfalizmi. Ajo që mbetet janë dy përfundime kontradiktore. Nga njëra anë shqetësimi që nga mendimi i GJND-së të marrin zemër dhe energji tendenca të shumta separatiste, por nga ana tjetër edhe shpresa që qeveritë qëndrore t'i përgjigjen me politikë dhe kujdes të gjitha sfidave separatiste. Me vaj mund t'i bësh të dyja: t'i hedhësh e të ndezësh zjarrin dhe të qetësosh gjakrat."

Në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung autori Michael Martens në artikullin

"Jo fitore për Serbinë"

shkruan:

"Ështe një lajm i mirë, që konfliktet në Ballkan tani zgjidhen para gjykatës dhe jo më në fushat e betejave. Opinionet e gjykatave janë ndërkohë armët më të rrezikshme, jo granatat. Për Serbinë ekskursioni në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës përfundoi me humbje, edhe pse politikanë serbë në ditët, që do të vijnë, do të pohojnë të kundërtën. Beogradi me politikën ndaj Kosovës ndjek synimin që të sabotojë, ku të mundë, bërjen shtet të provincës së saj të dikurshme. Duke iu drejtuar GjND-së Serbia shpresonte ndër të tjera, që procesi i njohjeve të Kosovës do të mund të pushonte. Por që para shpalljes së opinionit të Gjykatës së Hagës për pavarësinë kosovare ishte bërë e qartë, se kjo llogari nuk do të dilte."

"Luftërat e Ballkanit kanë hapur në të drejtën ndërkombëtare një dimension të ri, i cili nuk është kuptuar akoma në të gjitha detajet", shkruan Stefan Kornelius në Süddeutsche Zeitung në artikullin:

"E drejta për liri. Opinioni i GjND-së për Kosovën tregon, se raportet politike vendosin lidhur me pavarësinë":

"A lejohet një shtet sovran të kryejë padrejtësi në kufinjtë e tij pa u ndëshkuar? A të mbron sovraniteti nga një intervenim, edhe kur janë kryer krimet më të mëdha kundër njerëzimit? OKB-ja si pasojë e përvojës së saj të hidhur ka futur në katalogun e saj të detyrueshëm parimin e "Responsibility to protect", përgjegjësi mbrojtëse e së drejtës ndërkombëtare. Kështu intervenimi ushtarak i NATO-s u vendos më vonë mbi një bazë ligjore. Bashkësia e shteteve mund të ndërhyjë tani, kur një shtet shkel rëndë të drejtat e njeriut, kur ai lejon dëbime masive, spastrime etnike, apo genocide. Vendimi i GjND-së është një vazhdim logjik i interpretimit të ri juridik. Shteti sovran nuk është aq sovran".

Për dëshirën për liri të një populli nuk ka kufij, as ligjorë. Një shtet heterogjen nuk mund të mbahet i bashkuar me dhunë. Nga ana tjetër dëshira për liri mund të plotësohet vetëm atëherë, kur e lejojnë raportet e pushtetit. BS në kolaps nuk i mbante dot shtetet nën vete. Në Kinë qeveria qendrore sheh me mosbesim grupet e shumta etnike, që kanë etje për më shumë autonomi. Sovranitet ajo nuk do të lejojë. Për të gjithë vlen: Çdo lëvizje për autonomi u nënshtrohet ligjeve të veta, çdo dëshirë për secesion ushqehet në një klimë të veçantë. Gjykata nuk mund të përcaktojë kornizën për rrugën legale për ndarje. Ajo vendos në bazë të rastit dhe fjalët e saj nuk janë obligative. Por vendimi shpalos një efekt politik të pamatë, përmes të cilit i çon palët në konflikt tamam aty, ku vendoset për konfliktin e ndarjes dhe sovranitetit, në skenën e politikës.

Autor: dpa/Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi