Shtypi gjerman rreth vizitës së kancelares Merkel në Ballkan
22 Gusht 2011Në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung në artikullin "Ndërmjet revoltës dhe tërheqjes - Kosova dhe hyrja e Serbisë në BE: Kancelarja gjermane zhvillon bisedime në Beograd" të gazetarit Michael Martens lexojmë:
Në raportin e qeverisë gjermane të publikuar në prill për "strategjinë e përgjithshme për shtetet e Ballkanit dhe gjithë Evropën Juglindore" thuhet, se gjendja e sigurisë në Kosovë është kryesisht e qëndrueshme: "Në qoftë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ka patur sulme nga serbët e Kosovës në stacionet kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që atëherë nuk janë shënuar incidente të tjera të rëndësishme destabilizuese." Një tërheqje e pjeshme dukej se ishte e mundur: "Për shkak të përmirësimit të ndjeshëm të situatës së sigurisë Kfor-i do ta reduktojë gradualisht prezencën e tij dhe pas vendimit përkatës të këshillit të NATO-s do ta reduktojë në 2500 ushtarë." Vendimi është parimisht i vlefshëm ende, por shpërthimi i dhunës në korrik ka demonstruar, se reduktimi i atëhershëm i Kfor-it nuk justifikohet, përderisa për veriun nuk është gjetur zgjidhje. Por zgjidhje mund të ketë, kur edhe Beogradi ta mbështesë zgjidhjen, ashtu si Serbia nuk mund të realizojë ambiciet e saj për pranim në BE pa Berlinin. Shkaqe të mjaftueshme për kancelaren gjermane dhe presidentin serb për të biseduar me njëri-tjetrin.
Gazeta "Welt Online" e titullon artikullin e saj: Drojë në Beograd - Angela para portës!
Serbët druhen se kancelarja do të sjellë ndonjë ultimatum nga Brukseli në lidhje me grindjen me Kosovën, shkruan Thomas Roser, dhe vazhdon:
Gëzimi në prag të vizitës së një miku të nderuar nga një shtet partner i fuqishëm ka pamje tjetër. Nuk është e rëndësishme vetëm ajo, që Angela Merkel do të thotë në Beograd, "por është e rëndësishme edhe se çfarë do të thotë Presidenti i Serbisë dhe politikanët e tjerë", përgatit opinionin vendas ministri i Brendshëm, Ivica Dacic, për vizitën e kancelares gjermane. "Ne duhet të japim mesazhin e qartë, se askush nuk duhet ta detyrojë Serbinë, që të duhet të zgjedhë ndërmjet Kosovës dhe BE-së." Edhe politikanë drejtues të partisë proevropiane në pushtet DS, që udhëheq koalicionin e qendrës së majtë në Beograd, mbajnë një qëndrim luftarak ndaj ardhjes së kancelares. Beogradi ka dhënë "maksimalen" për një kompromis në grindjen kufitare dhe tregtare me Kosovën, pohon ministri i Serbisë për Kosovën Goran Bogdanovic: "është iluzion, të presësh prej nesh, që të pranojmë diçka, që është tërësisht në kundërshtim me interesat e shtetit." Prej ditësh mediet serbe spekulojnë, se Merkel do të shkojë me një ultimatum të pakëndshëm për mikpritësit. Për statusin e dëshiruar të kandidatit në BE dhe një afat për fillimin e bisedimeve për pranim Beogradi duhet të heqë dorë nga pretendimet për veriun e Kosovës; Në zonën e banuar nga serbët, ku autoritetet kosovare thuajse nuk kanë asgjë se çfarë të thonë, doganat dhe drejtësia duhet të vendosen nën kontrollin e qeverisë qëndrore të Kosovës.
Në fakt qeveria e drobitur e qendrës së majtë në Beograd për shkak të zgjedhjeve, që po afrojnë dhe thellimit të varfërimit të popullisë, është e interesuar urgjentisht për përparimet në rrugën drejt Brukselit. Por në momentet parazgjedhore çdo qeveri serbe e ka të vështirë të bëjë koncesione në lidhje me Kosovën.
Ndërsa Brukseli e fsheh rritjen e presionit ndaj Beogradit me zgjidhjen e domosdoshmërisë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, SHBA flasin hapur që Kosova është një "shtet sovran dhe i pavarur", që ka të drejtën "ta zgjerojë autoritetin në të gjithë territorin shtetëror", deklaroi Philip Reeker, zevëndësndihmësi amerikan i shtetit, në një vizitë të shkurtër. Edhe ndaj pesë anëtarëve të BE, që nuk e kanë njohur shtetin e ri, BE përdor tone më të buta se sa SHBA. Gjermania bën pjesë tek 79 vendet, të cilat në vitin 2008 e kanë njohur pavarësinë e shtetit ballkanik, dhe që nuk janë të interesuara për bisedime të reja për statusin siç kërkohet nga Beogradi.
Autore: Ina Verbica
Redaktor: Pandeli Pani