1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjermanofon mbi situatën në Shqipëri

24 Janar 2011

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" dhe gazeta austriake "Der Standard" analizojnë situatën në Shqipëri.

"Trazira në Tiranë, Raporte shqiptare", nën këtë titull, në gazetën gjermane FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG, në numrin e së dielës (23.01.) shkruhet:

"Një shkallëzim i konfliktit në Shqipëri kishte kohë që pritej: socialistët bllokojnë parlamentin dhe kryeministri Berisha nuk pranon të hetojë kritikat për manipulim të zgjedhjeve. BE duhet të përdorë një ton më të fortë ndaj Tiranës", kërkon autori i artikullit Karl Peter Schwartz. Dhe më tej:

"Për fat të keq kanë të dy të drejtë: kryeministri Sali Berisha, i cili e akuzon opozitën shqiptare, se me ndihmën e "kriminelëve, banditëve dhe terroristëve", sipas "modelit tunizian" ka inskenuar trazira, dhe drejtuesi i opozitës, Edi Rama. Ai e akuzon qeverinë për korrupsion, shpërdorim postesh e manipulim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Prej një viti e gjysëm e bojkotojnë socialistët parlamentin dhe mobilizojnë mbështetësit e tyre në rrugë. Berisha nga ana e tij refuzon që të lejojë hetime kritikat për manipulimin e zgjedhjeve. Kësaj iu shtua afera e korrupsionit rreth zëvendëskryeministrit Ilir Meta- i cili i mundësoi Berishës formimin e qeverisë. Dorëheqja e tij dhe një riformim i qeverisë nuk e zbutën opozitën.

Të premten në Tiranë u vranë tre demonstrues, dyzina të tjerë u plagosën rëndë. Por se kush i shkrehu të shtënat mbetet e paqartë. A donte qeveria të jepte një mësim paralajmërues? Apo donin provokatorë nga radhët e socialistëve që të derdhej gjak, në mënyrë që hendeku midis qeverisë dhe opozitës të bëhet i pakapërcyeshëm? Të dyja hipotezat të duken bindëse.

Në vend që ta futin vendin në BE, socialistët dhe demokratët e hedhin atë pas, në kaosin e viteve '90. Është momenti më i përshtatshëm që në BE të artikulohet një ton më i qartë përballë Tiranës" shkruhet në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG.

Ndërsa në gazetën austriake DER STANDARD, Norbert Mappes Niedik shkruan:

"Një Tunis i dytë nuk po përvijohet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ku të premten u vranë tri demonstrantë. Është shumë më keq: demokracinë, për të cilën luftuan tunizianët, shqiptarët tashmë e kanë. Vetëm se askush nuk di ç'të bëjë me të.

"Ti apo unë - kjo është e vetmja çështje, për të cilën grinden ata!"

Që prej fundit të diktaturës brutale komuniste në Shqipëri, dy parti qendrojnë në urrejtje të papajtueshme përballë njëra-tjetrës: "demokratët" dhe "socialistët". Ndryshime programatike midis të dyve është vështirë të dallosh. Ti apo unë - kjo është e vetmja çështje, për të cilën grinden ata. Një konkurencë për të spostuar tjetrin. Nuk ka asnjë fitore në zgjedhje që prej vitit 1992, të cilën partia e nënshtruar ta ketë njohur pa ankesa - dhe nuk janë zhvilluar asnjëherë zgjedhje, të cilat të mos jenë manipuluar në njëfarë mënyre.

Korrupsioni në vend, kundër të cilit po demonstrohet këto ditë kaq dhunshëm është vetëm një rast i mirëpritur për një raund të ri në luftën permanente finale. Por një ndryshim pushteti nuk do ta zgjidhte problemin, sepse kur ishte në pushtet Partia Socialiste, vendi nuk ishte më pak i korruptuar," shkruhet ndër të tjera në gazetën DER STANDARD.

Autor: FAZ/Der Standard/aud

Redaktoi: Elert Ajazaj