Shtypi për Serbinë dhe BE
23 Dhjetor 2009Fillimisht në 'Frankfurter Allgemeine Zeitung' lidhur me këtë lexojmë:
"Deri sot parlamenti i Beogradit nuk ka arritur të kapërcejë vetveten për një kërkim faljeje për masakrat e luftës. Por heqja dorë nga hipernacionalizmi me siguri që është një parakusht i nevojshëm për antarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst mund të shihet edhe çështja e Kosovës, e cila qëndron si hipotekë në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Se problemet e kësaj natyre nuk mund të zgjidhen lehtë brenda BE-së, dëshmon rasti i Qipros. Bashkimi Evropian do të duhej ta kursejë veten nga importimi i një problemi tjetër që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare", thuhet ndër të tjera në numrin e sotëm të gazetës 'Frankfurter Allgemeine Zeitung'.
I ngjashëm është edhe komenti që shkëpusim nga 'Süddeutsche Zeitung':
"Lajm i mirë, por i nxituar...Skandaloz është fakti, që një shumicë e serbëve vazhdojnë të jenë kundër dërgimit të Mladiçit në Gjykatën e Hagës dhe që parlamenti deri tani nuk e ka dënuar gjenocidin e Srebrenicës. E megjithatë, Italia, Spanja dhe Suedia e shtynë Beogradin që ta paraqiste kandidaturën, përkundër këshillave të anëtarëve të tjerë të BE-së. Por në rajon Bashkimi Evropian duhet të flasë me një zë, nëqoftëse kërkon paqe", shkruan 'Süddeutsche Zeitung'.
Ndërkaq e këtij mendimi nuk është e përditshmja tjetër gjermane 'Frankfurter Rundschau'. Në numrin e së martës (22.12.09) ndër të tjera ajo thekson:
"...Fakti, që krimineli i luftës Ratko Mladiç nuk është kapur ende dhe që statusi i Kosovës ende nuk është zgjidhur, nuk flet kundër integrimit të shpejtë të Serbisë. Burimi më i rëndësishëm i zgjidhjes si të njërit ashtu edhe të tjetrit problem është vullneti i mirë. Ai nuk arrihet, duke vendosur kushte", nënvizon 'Frankfurter Rundschau'.
Dhe së fundi nga 'Coburger Tageblatt' veçojmë:
"Ka ardhur koha që të ndërpritet batareja artilierike propagandistike ndaj Serbisë, para së gjithash nga republikat e dikurshme të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Evropa duhet ta kuptojë që Serbia tani për tani nuk mund të pajtohet me humbjen e Kosovës. Kush të thotë falemnderit, kur ia heq zemrën?", pyet analisti i gazetës 'Coburger Tageblatt'.
Autor: Esat Ahmeti/ dpa
Redaktoi: Auron Dodi