1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypje, liri apo patologji fetare? - Debati për Burkën në Francë

12 Shtator 2009

„Burka“ afgane, ferexheja me të çarën për të parë, si një dritare me hekura, i ka dhënë emrin komisionit parlamentar i cili po konsultohet nëse nevojitet një ligj për të ndaluar mbulimin e gruas

Burka - ferexheja me të çarën për të parë
Burka - ferexheja me të çarën për të parëFotografi: Dzevad Sabljakovic

Si „burg ambulant“ e pati quajtur André Gerin, deputeti komunist nga një periferi e Lionit, mbulimin e plotë të disa grave, kur ai së bashku me 60 parlamentarë të të gjitha partive kërkoi ndërhyrjen e një komisioni, sepse nuk mund t'i duronte më figurat hije të grave në tregjet e qytetit të tij.

E vetmja grua me burkë, që ka dëgjuar opinioni francez, është një 19 vjeçare franceze, e konvertuar në fenë islame, e cila pranë bashkëshortit të tij me mjekër të gjatë deklaroi në stacionin e dytë televiziv francez France 2, se e mban me dëshirë të plotë ferexhenë.

"Burri im më ka njohur kështu. Kur njerëzit pyesin, në se kam nxehtë, apo në se shoh dot, nuk ua marr për të keq. Por të tjerët na shajnë! Unë jam një njëri si çdo tjetër. Në shtëpi e heq ferexhenë, përgatis për të ngrënë. Unë nuk jam ekstremist sepse e zbatoj fenë time me rigorozitet."

Përdryshe njeriu i ndesh ata si hije të zeza në periferitë apo në rrugët e disa lagjeve të Parisit, Lionit apo të Marsejës: Gratë në niqab-in e Arabisë-Saudite, një veshje e zezë, që lë të lirë vetëm një të çarë për sytë. Edhe në vapën e madhe të verës këto gra muslimane mbajnë dorashka të zeza dhe çorape të zeza të patejdukshme. Kjo veshje e quajtur në debatin publik "burka", është e rrallë në Francë dhe blihet jashtë shteti përmes internetit. Ministria e brendshme franceze ka numëruar gjithsej 367 gra të mbuluara krejtësisht, në shumicën e rasteve gra të reja nën 30 vjeç, gjysma thotë se e mbajnë veshjen me vullnetin e tyre. Një e treta e tyre janë franceze të konvertuara në fenë islame. Presidenti i moderuar i Këshillit musliman Mohamed Moussaoui e konsideron të tepërt trajtimin e "fenomeneve margjinale" në "kohë krizash".

Gra me burka në Afganistan - njëra vetëm me shami kokeFotografi: AP

"Këto gra, që mbajnë burka, nuk janë për ne në rrugën e duhur. Por ne nuk mund të detyrojmë askënd, që dëshiron të tregojnë fenë e vet me këtë veshje."

Shpesh janë gratë që mbështesin ndalimin e burkës, si sekretarja e shtetit Fadela Amara:

"Mua më pengojnë Burka dhe Niqab. Më kujtojnë që në vendin tonë ka rryma fundamentaliste. Presidenti Sarkozy ka kujtuar me të drejtë, se këtu nuk bëhet fjalë për një shenjë fetare, por për dinjitetin e grave dhe shtypjen e tyre. është fjala për barazinë e gjinive, dhe ky është një parim bazë i Republikës sonë."

Sekretarja e shtetit Fadela Amara është themeluese e organizatës feministe „Ni putes ni soumises“, shqip " "as kurva as të nënshtruara". Edhe diskutimi për ndalimin e mbajtjes së shamisë së kokës, që u zhvillua në vitin 2004 në shkollat franceze, pati çuar në debate të ashpra brenda lëvizjes feministe dhe brenda së majtës: Për universalistet barazi të vertetë kishte vetëm pa shami, diferencialistet donin t'u lejonin muslimaneve zakonet e tyre. Në rastin e burkës duket se të gjitha gratë janë një. Politikanja e gjelbër Dominique Voynet:

"Unë aty shoh një burg për gratë, nganjëherë një burg të zgjedhur vetë. ... Disa thonë, se nqs ndodhem përpara dikujt të pastër, atëherë e tregoj fytyrën time. Por kush janë këto gra, për të vendosur, se kush është i pastër dhe kush jo?"

Edhe filozofja feministe Elisabeth Badinter është e shokuar nga mbulimi i zi i të gjithë trupit.

„Në civilizimin perëndimor duhet një minimun mirësjelljeje, njërëzillëku, që t'ia tregosh tjetrit fytyrën. Nëqoftëse fshihesh pas një dritareje apo një ferexheje të zezë, ky është në minimum një krim kundër shoqërisë. Djemtë dhe vajzat, që fshehin fytytrën, janë në gabim. Kjo duhet ndaluar.“

Ferexheja me të çarën për të parë, si një dritare me hekuraFotografi: Dzevad Sabljakovic

Kur të gjithë shpehen kundër burkës, janë shpesh burra, ata që në emër të lirisë shprehen kundër ndalimit të mbulimit në publik. Studjuesi Raphael Lioger:

„Nga ana juridike më shokon fakti, kur në emër të dinjitetit të grave dhe të lirisë së tyre përpilohet një ligj, që u ndalon atyre, të vishen siç duan.“

Koncept i lirisë, që injoron megjithatë disa probleme, mendojnë nga ana tjetër edhe shumë muslimanë dhe e përshëndetën debatin, si filozofi dhe shkrimtari Abdenour Bidar:

„Kur si musliman thua, se ky nuk është problem fetar, është sikur një futbollist thotë se huliganët nuk janë punë e tij! Burka është një patologji, ajo tregon ekscesin apo karikaturën e fesë islame, nga e cila vuajnë më së shumti muslimanët francezë. Shumica është e indinjuar.“

Një peticion i iniciativës „Riposte Laique“ i nisur në fund të gushtit për ndalimin e burkës ka arritur të mbledhë brenda pak ditësh 1700 nënshkrime. Që kjo çështje mund të fitonte aktualitet edhe në vende të tjera të Evropës, e tregon intervista e bashkëshortit me mjekër të gjatë e gruas franceze të konvertuar në televizionin francez. Pyetjes lidhur me një reagim në rastin e ndalimit 26 vjeçari Xhamel i përgjigjet:

„Nëqoftëse gruaja ime nuk del dot më kështu nga shtëpia në Francë, unë nuk do ta mbyll në shtëpi. Unë as nuk do ta detyroj, që të heqë çarçafin. Atëherë më së miri mbetet të shkojmë në Angli ose në vende të tjera evropiane, ku ajo e sigurtë të mund të dalë e mbuluar në rrugë."

Autor: Martina Zimmermann / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti