070710 Bericht Ausländer Deutschland
8 Korrik 2010Me gjithë disa përparime në fitimin e njohurive gjuhësore dhe në arsim gjendja e shumë migrantëve, pikërisht në sektorin e arsimit, të aftësimit profesional dhe në tregun e punës, mbetet dramatike. Këtë u desh të pranonte e ngarkuara e qeverisë gjermane për integrimin Maria Böhmer gjatë paraqitjes së raportit mbi gjendjen e të huajve në Gjermani, të mërkurën (7.7.) në Berlin:
"Ne vazhdojmë të përballemi me "kantiere të mëdha ndërtimi" në fushën e gjuhës, të arsimit, të aftësimit profesional dhe të tregut të punës. Këto do të jenë edhe sfidat kryesore të viteve të ardhshme."
Përballë të dhënave të raportit nuk mund të bëhet ende fjalë për barazi shancesh dhe për pjesëmarrje të barabartë të migrantëve, tha Böhmer. Prandaj duhet të intensifikohen përpjekjet në politikën e integrimit:
"Edhe në sfondin e zhvillimit demografik, po të kemi parasysh gjithë popullsinë në Gjermani, mund të themi se integrimi është një çështje fati për vendin tonë. Sa vjen e pakësohemi, sa vjen e plakemi. Por, kur sheh grupin e migrantëve mund të thuash: Ajo është një pjesë që sa vjen e rritet dhe ata janë mesatarisht më të rinj."
Në arsim të rinjtë me rrënjë të huaja vazhdojnë të kenë shance dukshëm më të këqija. Sipas raportit, 13,3 për qind e 15- deri 19-vjeçarëve largohen nga shkolla pa e kryer, 33 për qind më shumë sesa vitet e kaluara.
Migrantët e kanë të vështirë edhe në tregun e punës. Sipas raportit gjendja e punësimit nuk është përmirësuar thelbësisht vitet e kaluara. Në 2008-ën përqindja e të papunëve tek njerëzit me rrënjë të huaja ka qenë, sipas Böhmer-it, dy herë më e lartë sesa tek ata pa sfond migrimi. Arsyet janë para së gjithash kualifikimet më të dobëta dhe mungesa e dëftesave. Kjo do të ndryshojë. Sipas Böhmer-it në gjashtëmujorin e dytë duhet llogaritur me një projektligj për njohjen e dëftesave të huaja.
Në fund të fundit bëhet fjalë për aftësinë tonë konkurruese dhe për atë që Gjermania të mbetet një vend i hapur, tolerant, ku ia vlen të jetosh dhe të cilin mund ta duash, tha Böhmer.
Autor: Sabine Ripperger / Elert Ajazaj
Redaktoi: Eliana Xhani