Eurokrise spaltet Europa
19 Korrik 2011
Të përditshmet gjermane këto ditë kanë hyrë në një garë të vërtetë: cila jep spekulimet më të mira për pyetjen se çfarë vendimi do të marrin kryetarët e shteteve dhe qeverive të eurozonës në samitin e tyre të jashtëzakonshëm të enjten (21.7.2011). Gazeta "Süddeutsche Zeitung" pretendon të ketë informacione se shtetet e eurozonës po bëjnë pregatitje për të riblerë obligacionet shtetërore greke.
Disa koncepte janë të favorizuara
Dy koncepte për riblerje "konsiderohen aktualisht me më shumë gjasa për arritje konsensusi", shkruan "Süddeutsche Zeitung", pasi për të dy variantet agjencitë e vlerësimit pritet të heshtin: ose Greqia riblen në treg obligacionet e veta, ku çmimi është aktualisht i ulët. Paratë për këtë blerje Greqia do t'i merrte nga fondi i shpëtimit për vendet në vështirësi financiare (EFSF).
Ose vetë fondi i shpëtimit blen obligacionet shtetërore greke me çmim tregu. Për këtë duhet të zgjerohet fusha e kompetencave të EFSF-së në mënyrë që të ketë të drejtë të blejë obligacione në treg. Në të dyja rastet do të kishim të bënim me një të ashtuquajtur "reduktim borxhi" për Greqinë.
Edhe sektori privat thuhet se do të përfshihet në riblerjen e obligacioneve shtetërore greke, njofton gazeta "Die Welt", në numrin e së hënës, duke iu referuar qarqeve diplomatike. Veç kësaj të gjitha bankat private, edhe ato të cilat nuk kanë investuar në Greqi, do të paguajnë në të ardhmen një taksë për bankat.
Por ekziston edhe një koncept i tretë, ai gjerman. Ky koncept parashikon zgjatjen e maturimit të obligacioneve greke me shtatë vjet. Sipas gazetës "Süddeutsche Zeitung" ky koncept ka pak shanse. Edhe vetë kancelarja Merkel e cila deri tani ka kundërshtuar në mënyrë strikte një reduktim të borxhit grek, në një intervistë me kanalin e parë televiziv gjerman ARD nuk e përjashtoi më këtë mundësi.
Trichet kërcënon
Edhe Jean-Claude Trichet duket se pret që 17 vendet e eurozonës të preferojnë një zgjidhje që çon në faljen e një pjese të borxhit grek. Sidoqoftë shefi i BQE u ndje i detyruar të kërcënonte qeveritë e vendeve të eurozonës. Për numrin e së hënës (18.7.) të gazetës "Financial Times Deutschland", Trichet u shpreh se nëse vendimi i samitit të enjten (21.7.) do të çojë në një anulim të obligimeve të Greqisë ndaj kreditorëve, "qeveritë duhet të marrin masa që sistemit të euros t'i jepen garanci që të jenë të pranueshme".
Thënë më qartë, nëse 17 shtetet e eurozonës do të vendosin për një zgjidhje e cila nga agjencitë e vlerësimit do të shihet si mospagim borxhesh, BQE nuk do t'i pranojë më si garanci obligacionet greke. Bankat greke pra nuk do të mund të marrin më para nga BQE në këmbim të obligacioneve shtetërore greke. Kjo mund të çojë në një kolaps të bankave grekeve. "Qeveritë mbajnë përgjegjësi për këtë", tha Trichet.
Por BQE është gjithnjë e më e vetmuar me refuzimin për reduktimin e borxhit grek. Shumë ekspertë të ekonomisë e shohin faljen e një pjese të borxhit grek si të domosdoshme.
Autore: Jutta Wasserrab / E. Xhani (SZ, FTD, Handelsblatt, dapd, rtr)
Redaktoi: P. Pani