1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hartz-IV Bundesverfassungsgericht

9 Shkurt 2010

Qeveria gjermane duhet ta llogarisë nga e para asistencën sociale për rreth 6,5 milionë të papunë prej një kohe të gjatë, të ashtuquajturit marrës të ndihmës Hartz IV, dhe për familjet e tyre.

Trupi gjykues nën drejtimin e Hans Jürgen Papier (në mes)
Trupi gjykues nën drejtimin e Hans Jürgen Papier (në mes)Fotografi: AP

Për një shuplakë për qeverinë u shprehën shumë në Berlin pas vendimit: mbështetja shtetërore e nisur në vitin 2005 për miliona të papunë për një kohë të gjatë si dhe familjet e tyre nuk është në përputhje me kushtetutën. Këtë e bëri të ditur Presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Hans Jürgen Papier: "Benefitet e rregullta, si ato të kontributit për të papunët II për të rriturit, ashtu edhe kontributet sociale për fëmijë deri në mbarimin e moshës 14-vjeçare nuk janë të mjaftueshme për të garantuar të drejtën e njeriut për një minimum ekzistence të denjë për njeriun."

Sa e madhe është shuma që paguhet në kuadër të së ashtuquajturës "Kuotë - Hartz IV", kjo përcaktohet pjesërisht "me dorë të lirë" dhe "pa ndonjë bazë solide", tha Papier-i. Ligjet për kontributin Hartz IV hynë në fuqi në vitin 2005, dhe me to u reformua rrënjësisht sistemi i asistencës për të papunët dhe kontributi social. Këtë reformë atëherë e mbështetën të gjitha partitë në Bundestag, me përjashtim të Të Majtëve.

Për shkak të varfërisë në rritje në Gjermani, duhet bërë më shumë veçanërisht për fëmijëtFotografi: AP

Në përgjithësi ky vendim mund të rezultojë i shtrenjtë për portofolin e shtetit, opozita flet madje për 10 miliardë euro. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të vihet në jetë, garanton Ministrja federale për Çështjet Sociale, Ursula von der Leyen: "Nuk diskutohet çështja, nëse jemi në gjendje ta paguajmë këtë, por minimumin për ekzistencë, që diskutohet sot, këtë e kemi thënë si shoqëri, do ta marrin të gjithë ata që nuk janë në gjendje ta fitojnë vetë."

E sigurtë duket se në të ardhmen do të ketë më shumë para për fëmijët e të papunëve për një kohë të gjatë. Të gjitha partitë në Gjermani janë të një mendimi se për shkak të varfërisë në rritje në Gjermani, duhet bërë më shumë veçanërisht për fëmijët.

Autor: Bernd Grässler / Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW