Si bënë politikë dy burra shteti në Bosnjë
19 Dhjetor 2020Kur ministri i Jashtëm i një vendi të madh e konsumon kohën e tij të vyer në një vend të vogël, të varfër, pa influencë, të paaftë të manovrojë politiksiht dhe të varur prej vendit të tij, duke e vizituar atë pa ndonjë shkas të veçantë, atëherë kjo tregon, se ka një arsye për këtë. Në rastin e vizitës së ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në kryeqytetin e Bosnjes, Sarajevë këtë javë, arsyeja ishte e qartë: SHBA do të ketë një president të ri me ide të reja për Ballkanin. Amerikanët dhe të gjtiha fuqitë e tjera të interesuara duhet të krijojnë sensibilitete, që në këtë rajon kanë të bëjnë edhe me Rusinë. Për këtë arsye Lavrov donte të takonte udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, duke shtrënguar duart fort me të në praninë mundësisht të sa më shumë kamerave.
Megjithatë ekzistonte rreziku, që lajmi për një miqësi të ripërtërirë mes Federatës Ruse dje Republikës Srpska në Bosnje më së shumti do të tërhiqte vëmendjen deri në Banja Lukë. Që ky takim pa ndonjë shkas të posaçëm u shndërrua në një çështje papritur të madhe, Dodik ia dedikon dy homologëve të tij federalë: bashkëkryetarëve të presidencës treshe të shtetit: boshnjakut dhe kroatit.
Dy burrat e shtetit vendosën me guxim, që ta refuzojnë takimin me Lavrovin. Për indinjatën e tyre, rusi përpara se t'i takonte të tre presidentët bashkë, kishte bërë një vizitë jo zyrtare tek Dodik në rezidencën e tij në një periferi të kryeqytetit, e ç'është më e keqja kishte biseduar me të në një mjedis pa praninë e flamurit boshnjak në sfond.
Ai donte t'i tregonte „miqve tanë në Europë, partnerëve tanë, që ne jemi njerëz krenarë dhe të vendosur", argumentoi refuzimin e tij bashkë-presidenti boshnjak Shefik Xhaferoviç. Kroati Zheljko Komshiç nuk donte të ishte „një figurë shahu ruse në lojërat e tyre dhe në hesapet me vendet e BE-së e anëtarët e NATO-s."
Me këtë refuzim për të takuar Lavrovrin ata të dy arritën në fakt vetëm efektin e kundërt. Që ky takim i rrallë mund të shfrytëzohej prej tyre për një nismë në dobi të vetën, këtë as që e çuan ndër mend. Në vend të kësaj të dy u dëshmuan si figura shahu, pikërisht ashtu siç nuk donin të dukeshin: Pikërisht refuzimi i dha publicitet ndërkombëtar vizitës së Lavrovit, e ky ishte edhe qëllimi i vetëm i kësaj vizite. Bota, për aq sa ajo e regjistroi këtë pozë, mësoi nga njëra anë, se kur një ditë Joe Biden sërish do ta vendosë Bosnjen në rend të ditës, në radhë të parë qëllimi do të jetë për një lojë shahu mes Rusisë dhe Amerikës, mes Lindjes dhe Perëndimit. Së dyti, kjo tregoi, se në Sarajevë qeverisin krerë fisnorë jo fleksibël, që janë të interesuar kryesisht për flamuj, stema e çështje protokollare.
Natyrisht që kjo nuk është krejt kështu. Por sërish do të besohet sikur është kështu.