1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëUkrainë

Si e sheh Trumpi takimin me Putinin?

15 Gusht 2025

Presidenti Trump nuk e përjashton mundësinë që takimi me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin, të mbyllet pa ndonjë përfundim. Sipas tij ky takim është kryesisht përgatitje për një takim të dytë me Putinin dhe Zelenskin.

Takim mes Vladimir Putin dhe Donald Trump qe po i japin doren njeri-tjetrit.
Trump nuk e përjashton mundësinë që takimi i tij me Putinin të mbyllet pa ndonjë përfundim. Fotografi: Sergey Guneev/SNA/IMAGO

Në prag të takimit të planifikuar me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka minimizuar rëndësinë e takimit, duke thënë se qëllimi kryesor i tij është të përgatisë terrenin për një samit të dytë. Edhe Kremlini i ka minimizuar pritshmëritë nga ky takim duke thënë se nuk mund të parashikohet ndonjë rezultat konkret.

I pyetur nga Fox News Radio Trumpi tha se sipas tij probabiliteti që takimi me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin, mund të dështojë është 25 përqind. Në të njëjtën kohë Trumpi u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se e sheh takimin e parë në Alaskë kryesisht si përgatitje për një takim të dytë me Presidentin rus Putin dhe atë ukrainas Volodymyr Zelenski. Trump tha se ai synon vetëm të "përgatisë terrenin për takimin e ardhshëm" me Presidentin ukrainasVolodymyr Zelenski. "Takimi i dytë do të jetë shumë, shumë i rëndësishëm, sepse ai do të jetë takimi ku ata do të arrijnë një marrëveshje", tha Trump.

Protesta në Berlin kundër takimit midis Presidentit të SHBA-së Trump dhe Presidentit rus Putin në Alaskë. Protestuesit kërkojnë të mos bëhen dallavere në kurriz të Ukrainës.Fotografi: Sven Kaeuler/dpa/picture alliance

Sipas tij edhe ky samit i dytë për Ukrainën mund të zhvillohet gjithashtu në Alaskë dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Po ashtu Trump tha se takimin e dytë mund të marrin pjesë edhe disa udhëheqës evropianë.

Kremlini: Pas takimit nuk planifikohet ndonjë deklaratë e përbashkët

Sipas informacioneve zyrtare nga Moska pas takimit mes Presidentit rus, Vladimir Putin, dhe Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Alaskë nuk është planifikuar asnjë deklaratë e përbashkët.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për agjencinë ruse të lajmeve Interfax, se samiti u përgatit në një kohë shumë të shkurtër duke shtuar: "Jo, nuk pritet asgjë, nuk është përgatitur asgjë dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë dokument".

Sipas tij do të ishte gabim nëse përpiqemi të parashikojmë paraprakisht rezultatin e takimit.