1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si e shohin serbët e Kosovës misionin EULEX?

Bekim Shehu / Prishtinë 4 Dhjetor 2008

Shumica e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës pranojnë të bashkëpunojnë me misionin evropian EULEX, por sipas tyre ky mision duhet të shtrihet gradualisht në veri të Kosovës.

Shefi i Misionit EULEX, Yves de Kermabon takohet me një polic në Priyren - 19 maj, 2008
Shefi i Misionit EULEX, Yves de Kermabon takohet me një polic në Priyren - 19 maj, 2008Fotografi: AP

Shumica e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës janë pajtuar tashmë që misioni evropian për polici dhe drejtësi, EULEX të shtrihet në veri të Kosovës. Por kjo sipas tyre duhet të bëhet gradualisht dhe jo që në ditën e parë të zyrtarizimit të misionit. Ata thonë se misioni EULEX, duhet të bisedojë fillimisht me përfaqësuesit e serbëve për mënyrën se si do të funksionojë ky mision. "Unë mendoj se para se të shtrijë veprimin e vet në veri, ky mision duhet të bisedojë me përfaqësuesit politik të serbëve për mënyrën se si do të funksionojë misioni. Ndërsa sa i përket datës së shtrirjes, nëntë dhjetorit unë mendojë se është shumë shpejtë për dislokimin e këtij misioni," thotë Nebojsha Joviq.

Mijra shqiptarë protesojnë "No-Eulex", 2 dhjetor 2008Fotografi: AP

Në radhët e përfaqësuesve serbë, të cilësuar të vijës së ashpër thuhet se misioni EULEX nuk duhet të shtrihet fare në veri të Kosovës, pavarësisht pajtimit të Beogradit. Marko Jakshiq, kryetar i të ashtuquajturës "Bashkësi e Komunave Serbe", ka thënë se se komuniteti serb nuk do të bashkëpunojë me EULEX-in, por vetëm me misionin e UNMIK-ut, sepse sipas tij misioni EULEX sadoqë është modifikuar prapë se prapë legjitimon pavarësinë e Kosovës.

Udhëheqësit politik kosovarë kanë kërkuar nga zyrtarët e misionit EULEX që të kenë prioritet shtrirjen në veri të Kosovës. Sipas tyre nëse kjo nuk ndodhë më datën 9 dhjetor, atëherë misioni do të shpallet i diskutueshëm nga ana e institucioneve të Kosovës. Por njohësit e rrethanave politike në Kosovë thonë se është iluzion të mendohet që misioni EULEX më datën nëntë dhjetor të shtrihet edhe në veri të Kosovës.

Policë të EULEX-it në Kosovë, PrishtinëFotografi: AP

Veton Surroi është publicist i njohur: "Duhet të jemi realisht dhe të theksohet se është e pamundur për misionin EULEX që të shtrihet në tërësi të Kosovës me nëntë dhjetor. Kjo është e pamundur dhe nuk duhet fajësuar EULEX-i për mungesën e veprimeve të politikës kosovare," thotë Surroi.

Zyrtarët e misionit evropian EULEX, nga ana e tyre kanë theksuar disa herë se misioni do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës, por pranojnë se shtrirja në veri do të do bëhet me kujdes. E gjithë kjo për shkak të ndjeshmërisë se gjendjes që mbretëron që nga shpallja e pavarësisë. Ata thonë se gradualisht në kufirin verior të Kosovës do të vendosen doganierët ndërkombëtarë, një numër i vogël i gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë dhe një numër policësh që do të punojnë disa muaj së bashku me policët e UNMIK-ut. Policët e UNMIK-ut, sipas kreut të këtij misioni Lamberto Zanieri, brenda katër muajsh do të dorëzojnë të gjitha përgjegjësitë tek policët evropianë dhe asnjë polic me uniformë të UNMIK-ut, sipas tij nuk do të shihet më në rrugët e Kosovës.