1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si i kontrollon Kina studentët kinezë në Gjermani

Esther Felden
13 Mars 2023

Kina lidh me studentët kinezë që marrin bursa kontrata detyruese. Kjo është në kundërshtim me lirinë ekonomike, që garantohet në Gjermani nga kushtetuta. Një përmbledhje informacionesh nga DW dhe CORRECTIV.

Universiteti Teknik i Mynihut, TU München
Universiteti Teknik i Mynihut, TU MünchenFotografi: Stefan Kiefer/ImageBroker/picture alliance

Liri. Studim në një vend të huaj, larg shtëpisë. Për këtë ëndërrojnë të rinjtë në të gjithë botën. Për shumë prej tyre kjo gjë është e mundur vetëm me një bursë shtetërore. Por si i bëhet kur kjo bursë pengon lirinë? 

Midis Kinës dhe Gjermanisë ndodhen 7 mijë kilometra distancë. Megjithatë, sipas një kërkimi të bërë nga Deutsche Welle dhe platforma investigative CORRECTIV, studentët kinezë që ndodhen në Gjermani përjetojnë një kontroll të fortë të shtetit kinez. Kjo vlen sidomos për shkencëtarët e rinj, që vijnë në Gjermani me një bursë të këshillit kinez të bursave, China Scholarship Council (CSC). 

Bursistët që marrin bursa nga CSC, duhet të nënshkruajnë më parë që nuk do të marrin pjesë në aktivitete që dëmtojnë sigurinë e Kinës. Ata janë të detyruar, që të paraqiten rregullisht në ambasadën kineze, për të dhënë raport. Kush nuk e zbaton këtë rregull, rrezikon të dënohet. 

Bursistët kinezë të CSC, pranohen me dëshirë nga të paktën 30 universitete gjermane. Disa prej këtyre universiteteve kanë lidhur madje partneritete me Këshillin kinez të bursave, i cili varet nga ministria kineze e arsimit dhe është një nga institucionet më të rëndësishme të Republikës Popullore kineze, për dhënien e bursave. 

Universiteti FU i Berlinit dhe universiteti LMU i Mynihut kanë marrëdhënie të mira me CSC 

Kështu për shembull Universiteti Ludwig-Maximilians në Mynih (LMU) ka vendosur në vitin 2005 një marrëveshje me CSC, për specializimin e doktorantëve. Deri në fund të vitit 2022, në këtë program kanë marrë pjesë 492 bursistë të CSC. Numri i bursistëve çdo vit ka qenë 40. 

"CSC është për LMU partneri ynë më i rëndësishëm akademik në Kinë”, shkruan universiteti i Mynihut në përgjigjen e një pyetje të bërë me shkrim. Në një video për përvjetorin e 15-të të vendosjes së bashkëpunimit, përgjegjësit e këtij bashkëpunimi në LMU dhe CSC festojnë madje një "shtyllë të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare” dhe dërgojnë "falenderime të sinqerta”. 

Në Univesitetin e Lirë të Berlini (FU), që nga viti 2009 kanë marrë pjesë gjithsej 487 doktorantë të CSC. Sipas të dhënave të veta, FU, është në "partneritet të privilegjuar” me CSC, dhe shihet prej saj si "institucion i preferuar pritës për bursistët e CSC”.  

Nuk njihet ndonjë "përpjeke për të mbyllur gojën" 

Deri tani bashkëpunimi me Këshillin kinez të bursave nuk është vënë ndonjë herë në dyshim. "Kontrata të lidhura midis bursisteve dhe bursistëve kinezë dhe qeverisë kineze nuk kanë qenë të njohura prej nesh deri tani", shpjegon LMU. Edhe përpjekje për të ushtruar presion mbi bursistët kinezë nuk janë raportuar deri tani. "Për LMU, çështjet e shkencës dhe lirisë së shtypit janë vlerat bazë që ne u japim si shembull dhe u ndërmjetësojmë studentëve nga vendet e tjera.” 

Kurse në Berlin thonë se nuk dinë të ketë raste individuale me kontrata të tilla. "Ajo që dihet është se pas përfundimit të bursës, bursistët duhet të kthehen në Kinë ose duhet të kthejnë mbrapsht bursën.” Çështja nuk ka aspak të bëjë me klauzolën e vetme kontraktuale.  

Kontrata që duhet të nënshkruajnë studentët kinezë me bursë nga CSC për të studiuar jashtë vendit Fotografi: DW

Edhe FU thekson se "mbron lirinë e shkencës së anëtarëve të saj kundër ndikimeve të huaja.” Por, sa realiste është kjo gjë në rastin e Kinës?  

Luajalitet dhe besnikëri ndaj shtetit 

CORRECTIV dhe DW ka në dorë disa kontrata të CSC nga vite të ndryshme dhe për vende të ndryshme. Kontrata e fundit është e vitit 2021 dhe është për një doktorant që qendron në një universitet gjerman. Dokumenti në origjinal është në gjuhën kineze, është i gjatë nëntë faqe dhe është përkthyer gjatë këtij shkrimi, për t‘u krahasuar me kontrata të  tjera. Ndryshimet janë të vogla. 

Në thelb të kontratës, është pranimi i besnikërisë absolute ndaj shtetit: Bursistët e CSC janë të detyruar "që të zhvillojnë një ndjenjë përgjegjësie për këtë mision, të kthehen në Kinë dhe t'i shërbejnë vendit.” Bursisti nënshkruan që "të mos marrë pjesë në aktivitete që dëmtojnë interesin dhe sigurinë e atdheut.” Më tej thuhet, që bursisti "duhet të mbrojë nderin e atdheut dhe të ndjekë udhëzimet e ambasadave (konsullatave) kineze në vendet e huaja.” 

Konkretisht kjo do të thotë që doktoranti duhet të paraqitet maksimumi dhjetë ditë pas mbërritjes në Gjermani në ambasadën ose konsullatën më të afërt kineze dhe të mbajë "kontakt të shpeshtë me të”. Ai është i detytuar, që të dokumentojë përparimin akademik për t'ia treguar rregullisht ambasadës ose konsullatës, gjë që përfshin marrjen e informacionit nga pala e tretë. Kështu bursisti duhet "të akzualizojë pa humbur kohë” informacionet për mentorët e tij akademikë". Mbas kthimit të tij, bursisti është i detyruar që të jetojë të paktën dy vjet në Kinë, për "t'i shërbyer” vendit. Vetëm pasi ndodh kjo, kontrata që shtrihet deri tek familjarët dhe shokët, nuk ka më vlerë.  

Familja bashkëpërgjegjëse 

Në kuadër të dhënies së bursës, për çdo bursist të CSC bëhen të ditur dy persona garant, për të garantuar që gjatë marrjes së bursës të mos qëndrohet jashtë Kinës për një periudhë më të gjatë se tre muaj. Nëse shkelen klauzolat e kontratës, këta garantë bëhen bashkëpërgjegjës, dhe dënohen personalisht dhe financiarisht. 

Kjo gjë ndodh kur bursisti nuk jep rezultatet e duhura akademike ose kur bursisti i jep fund para kohe qendrimit me bursë, pa pasur arsye të mjaftueshme. Në këtë rast përveç kthimit mbrapsht të bursës, duhet paguar edhe një gjobë. Për të pasur një ide: Për një bursë me periudhë katër vjeçare, paguhen rreth 75 mijë euro.  

"Çmenduria e kontrollit" kinez 

Ekspertja për çështjet e Kinës, Mareike Ohlberg punon për programin aziatik të organizatës jofitimprurëse, German Marshall Fund. Ajo mendon se kontratat e CSC tregojnë "çmendurinë e kontrollit” të Partisë Komuniste të Kinës, që mbërrin deri tek thirrjet e qarta për mobilizim: "Njerëzit inkurajohen aktivisht që të ndërhyjnë nëse ndodh diçka, që mund të mos jetë në interes të vendit.” 

Shkelja më e rëndë e kontratës ndodh kur dëmtohen interesat e Kinës. "Në kontratë kjo gjë zë vend para aktiviteteve të tjera që mund të jenë pjesëmarrje e mundshme në krime, pra praktikisht edhe para kryerjes së një vrasjeje. Për këtë Kina vendos prioritete të qarta,” analizon Ohlberg. 

Megjithatë, nuk thuhet cilat mund të jenë aktivitetet që dëmtojnë interesat kineze dhe kjo çështje lihet me qëllim e hapur. Njëjtë edhe me pasojat që mund të kenë. Ohlberg arrin në përfundimin se: "Edhe jashtë vendit kinezët nuk janë të lirë, përkundrazi vazhdojnë të jenë nën vëzhgimn e partisë.” Rezultati është krijimi i klimës së frikës, e cila çon në vetëcensurim. 

Një i ri që ka nënshkruar një kontratë me CSC, tregon kur flet me CORRECTIV për frikën që ka për familjen. Këtë frikë ai e ka të ndaluar ta tregojë në Gjermani, sepse ambasada reagon "shumë ashpër”. Ai tregon për frikën që ka kur të kthehet, se mund të merret në pyetje menjëherë pas mbërritjes në aeroport: "Pyetjet janë për shembull a e njoh unë një person të caktuar apo një tjetër. Unë gjithnjë them po, po, por unë nuk e di çfarë kanë bërë këta persona." Bisedat e bëra me pesë studentë të tjerë kinezë, që nuk kanë të bëjnë me CSC, pasqyrojnë të njëjtën frikë që ekziston ndaj shtetit kinez të kontrollit.  

Rëndësinë që ka për Kinën shkëmbimi ndërkombëtar e tregon kjo pamje nga viti 2016 -Zëvendëskryeministrja e Kinës, Liu Yandong takon studentë kinezë në Universitetin e Lirë të BerlinitFotografi: Rainer Jensen/dpa/picture alliance

CSC – i përmbahet fort linjës së Partisë Komuniste 

CSC ka dërguar pesë vitet e fundit, 124 mijë studentë në vendet e huaja, thotë sekretari i përgjithshëm i Këshillit, Sheng Jianxue. Për të siguruar suksesin e programeve shtetëtore të bursistëve, Sheng pati theksuar dhjetorin e kaluar: "Së pari ne duhet të kërkojmë që për kohët e reja të armatosim ndërgjegjen tonë me ideologjinë socialiste të llojit kinez kryetarit të shtetit dhe partisë Xi Jinping." Detyra kryesore është të sigurojmë sundimin e partisë dhe ta forcojmë atë. 

Deutsche Welle dhe CORRECTIV kanë kërkuar disa here të flasin me Këshillin kinez të bursave në Pekin dhe ambasadën kineze në Berlin. Të gjitha kërkesat kanë mbetur pa përgjigje. 

Reagimet gjermane për kontratat e CSC 

Kai Gehring, kryetar i Komisionit për arsimin dhe shkencën në parlamentin gjerman, mendon se kontratat e CSC, "nuk janë në përputhje me Kushtetutën”, e cila garanton lirinë e shkencës: "Luajalitetet dhe qëndrimet patriotike e vëna si kusht nga sistemet njëpartiake, si dhe vendosja e përgjegjësisë kolektive kur gjoja shkelet kontrata, e bëjnë të pamundur punën e përbashkët, të pavarur shkencore, që karakterizohet nga kurioziteti, shpirti i lirë dhe krijimtaria.” 

Por kush duhet të paguajë për pasojat? Ministria gjermane e Arsimit dhe Shkencës (BMBF), thotë e pyetur nga DW dhe CORRECTIV se e di që "Këshilli kinez i bursave u kërkon bursisteve dhe bursistëve të vet përshtatje ideologjike.” 

Institucioni i ngjashëm gjerman, Deutsche Akademische Austauschdienst (DAAD), i cili po ashtu jep bursa dhe bashkëpunon prej vitesh me CSC, shpjegon pyetur nga ne, se kontrata të tilla të bëra nga CSC pasqyrojnë realitetin kinez, ku "prej vitesh universitetet duhet të mjaftohen me dhënien e detyrave gjithnjë e më të forta ideologjike”. DAAD nuk ka njohuri për përmbajtjen e kontratave për të cilat po flitet. 

Biblioteka e Filologjikut, FU BerlinFotografi: D. Andree/Helga Lade Fotoagentur GmbH/picture-alliance

Liria e shkencës 

Në Gjermani, Kushtetuta e mbron shkencën nga ushtrimi i ndikimeve politike. Prandaj, sipas mendimit të Ministrisë së Arsimit, universitetet gjermane janë në krye: "Sipas Ministrisë gjermane të Arsimit dhe Shkencës, është e rëndësishme që institucionet që pranojnë studentët në Gjermani të jenë të vetëdijshëm për detyrimet e mundshme vendosur për bursistë të CSC dhe të kujdesen që liria e mendimit dhe shkencës që sigurohen me kushtetutë, të zbatohen edhe për këtë grup personash.” 

Universiteti LMU i Mynihut dhe universiteti FU i Berlinit kanë bërë të ditur se do merren me këtë gjë, ndërkohë që profesorë të veçantë gjermanë njoftojnë për frikën që studentët kinezë kanë nga vëzhgimi dhe spiunimi. 

Edhe rrethet që merren me çështjet e sigurisë vërejnë, sipas informacioneve që ka Deutsche Welle, "lidhje të forcuar” të studentëve kinezë me shtetin, sidomos nga kontrolli që ushtrohet mbi bursistët e CSC. 

Ndërkohë në Suedi, Danimarkë dhe Norvegji, ku që prej fillimit të vitit është raportuar për kontratat problematike të bëra me CSC, kanë reaguar universitetet e para duke ndërprerë bashkëpunimin me CSC. 


Bashkëpunimi redaksional: Një kolege e DW nuk dëshiron të përmendet me emër për shkak të familjes.