Si një takim midis dy njerëzve që nuk janë takuar më parë
5 Nëntor 2004Tema nuk qëndronte në agjendën zyrtare të samitit evropian në Bruksel, megjithatë diskutimi mbi emërimin e Komisionit të ri Evropian doli menjëherë në plan të parë. Kancelari gjerman Gerhard Schröder kishte theksuar që në prag të takimit, se shpresonte për një zgjidhje të shpejtë:
"Të gjithë ne jemi shumë të interesuar që ky debat të mos kthehet në krizë."
Çuditërisht shpejt e paraqiti pastaj presidenti i caktuar i komisionit Jose Manuel Barroso ekipin e tij të ri. Në vend të të diskutueshmit Rocco Buttiglione tani portofoli i drejtësisë dhe punëve të brendshme do të merret nga ministri i jashtëm italian Franco Frattini, dhe Letonia dhe Hungaria do të ndërrojnë fushat e tyre të përgjegjësisë. Kandidati hungarez Laszlo Kovacs do të jetë në të ardhmen pra përgjegjës për tatimet dhe doganat, kandidati i ri leton Andris Piebalgs do të bëhet komisioner i energjitikës. Qeveria hollandeze nga ana tjetër këmbënguli për kandidaten e vet Neelie Kroes në postin e komisioneres për entin e karteleve, megjithëse ajo ishte vënë në kritikë për arsye të lidhjeve shumë të ngushta me ekonominë. Përvoja e saj në industri përbën një avantazh, deklaroi Barroso. 21 komisionerët e tjerë mbeten të pandryshuar.
Pas votimit në mes të nëntorit në parlament marrja e detyrës nga komisioni më 1 dhjetor do të ishte e mundshme; kjo ishte kafshatë e fortë. Njëra nga arsyet për këtë është forma e procedurës, tha Barroso:
"Të ngresh një komision është si takimi i dy njerëzve që nuk janë takuar më parë. Presidenti i caktuar duhet të zgjedhë 24 persona, të cilët nuk i njeh, sepse këta nuk përzgjidhen prej tij, por prej krerëve të shteteve dhe të qeverive."
Në sfondin e lajmeve kundërthënëse mbi gjendjen shëndetsore të presidentit palestinez Jaser Arafat diskutimi mbi situatën në Lindjen e Afërme mori një ngjyrim tepër urgjent. Pjesëmarrësit e samitit u shprehën pro një autoriteti autonom palestinez të aftë për të vepruar. Ata duan të angazhohen më fuqishëm për rifillimin e procesit të paqes dhe shpresojnë të fitojnë këtu mbështetjen e SHBA, siç theksoi kryeministri danez Anders Fogh Rasmussen:
"Shpresoj, që procesi i paqes në Lindjen e Afërme të rigjallërohet pas zgjedhjeve në SHBA. Shpresoj gjithashtu, që presidenti Bush në periudhën e tij të dytë legjislative t'i kushtojë një prioritet të lartë Lindjes së Afërme. Besoj, se përparimi në këtë fushë është vendimtar në luftën kundër terrorizmit."
Në fakt tema kryesore e takimit të nivelit të lartë doli në plan të dytë. Krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian donin të bënin një bilanc paraprak për të ashtuquajturën Strategji të Lisbonës. Në takimin e nivelit të lartë të katër viteve më parë BE-ja i vuri vetes një synim tepër ambicioz, që deri në 2010-ën t'i zëvendësonte SHBA si hapësira ekonomike më konkurruese në botë, por ai ka mbetur prapa me zbatimin e objektivit. Kjo u pohua nga një grup ekspertësh, i cili i paraqiti samitit raportin përkatës.