Si përkthehet një deklaratë dashurie në gjuhën gjermane - Libri i fundit i Günter Grassit
21 Mars 2011
Günter Grass shijon duhanin që thith përmes llullës në bibliotekën e kolegjit. Në tryezën e gjatë janë ulur akrobatët e gjuhës nga e mbarë bota, të cilët sivjet po merren me përçimin e librave të tij në gjuhët amtare. Për herë të parë në takimin e përtkhyesve janë lejuar të marrin pjesë si vizitorë edhe nxënësit e nivelit të lartë. Ata mbajnë shënime po me aq zell sa edhe gazetarët në sallë.
Grass-it duket se i shijon jo vetëm duhani, por edhe rezervat e përkthyesve çka tregojnë, se nobelisti nuk ka premtuar shumë. „Në takimin e fundit me përkthyesit - bëhej fjalë për librin tim "Die Box"- në fund mbajta një fjalim dhe shpreha keqardhjen time, se libri i ri, në të cilin po punoj, nuk mund të përkthehet - ky ishte vlerësimi im“, shpjegon Günter Grass.
Ateherë atë e kundërshtoi holandezi Jan Gielkens: se çfarë përkthehet ose jo, këtë e kanë gjykuar gjithmonë përkthyesit dhe jo autori. E megjithatë për gjermanistin nga Holanda, i cili ka përkthyer në gjuhën e tij 12 vepra të Grass-it, romani "Fjalët e Grimit" është një sfidë e jashtëzakonshme.
Pse përkthimi i "Fjalëve të Grimit" është i vështirë?
Duke nisur qysh nga gërmat e alfabetit gjerman e deri tek fjalët e veçanta nga vepra e njohur, që Jakob dhe Wilhelm Grimm e nisën në vitin 1838, Grass-i rrëfen për jetën e tij. Lexuesit i prezantohet historia e gjuhës, fjalës dhe letërsisë gjermane. Si homazh për çdo gërmë Grass shkruan një vjershë me aliteracione dhe lojë fjalësh që sillen rreth termave, të cilat nisin me këto gërma. Duke nisur qysh nga fjalia e parë e librit: "Nga A si Anfang (fillim) e deri tek Z si Zettelkram (rremujë letrash)" përkthimi është thuajse i pamundur, sepse në gjuhë të tjera fjalë të tilla nisin me gërma të tjera.
Por holandezi Jan Gielkens megjithatë ka besim, sepse gjuha e tij është e afërt me gjermanishten - nga ana tjetër edhe vetë Grass u lejon mjaft autonomi përkthyesve të tij: „Ai gjithmonë thotë: ‚Shpikni diçka!' Ai na ka dhënë ne tani shumë më tepër dorë të lirë nga sa bën zakonisht. Unë jam për atë, që përkthyesi ka një rol mjaft të lirë, ai ka një pozicion autonom."
Liria e përkthyesit dhe shkrimtari
Por as në luftën kundër "fluksit të fjalëve të Alfabetit" që përdor Grass, përkthyesi nuk lejohet të kthehet në një co-autor, mendon Jan Gielkens. Nobelisti 83-vjeçar nuk ka ndonjë kundërshtim ndaj një përvetësimi të tillë të tekstit, përkundrazi: "Tani do të varet nëse përkthyesi do ta konsiderojë veten në gjendje që ta përvetësojë tekstin në atë mënyrë që përkatësisht në gjuhën e vet - duke u konfrontuar edhe me historinë e gjuhës së vet - të hedhë diçka në letër, të shpikë diçka, si të thuash të prezantohet si autor - me një rezultat që të jetë suprizues edhe për mua si autor.“
Vetëm një gjë nuk duhet të bëjnë përkthyesit: të falsifikojnë tekstin, p.sh. duke lënë jashtë me kokën e tyre skena të caktuara, thotë Grass. Kjo i ka ndodhur atij me një version në portugalisht të romanit "Mace dhe mi" (Katz und Maus), ku përkthyesi ka hequr dorë prej pjesëve që i ka konsideruar seksualisht të pahijshme.
Prej më shumë se 30 vjetësh Grass pas çdo libri të ri takohet me përkthyesit e tij - ndonjëherë bisedimet zgjasin me ditë e netë të tëra. Por fakti nëse vepra mund të përkthehet ose jo, tematizohet pasi ajo të ketë përfunduar:"Më duhet ta pranoj, se kur shkruaj libra asnjëherë nuk mendoj, se çfarë vështirësish mund të kenë përkthyesit, sepse nëse e bën këtë, atëherë nis e shkruan në një gjuhë, që vërtetë mund t' i shërbejë globalizmit, por në një mënyrë sipërfaqësore", thotë Günter Grass.
Kapitullim apo pushtim i majës Günter Grass?
Tek "Fjalët e Grimit" vështirësitë janë kaq të mëdha, sa shumë përkthyesve u është dashur të kapitullojnë. P.sh. ekspertë të Grass-it nga Finlanda, Spanja apo Letonia. Veçanërisht problematike janë lojërat me alfabetin për përkthyesin bullgar Ljubomir Iliev: "Alfabeti ynë - bullgar - ka vetëm tri gërma, të cilat janë identike me alfabetin gjerman: zanoret A, O dhe E. Për mua ky është shqetësimi më i madh, sepse unë jam i mrekulluar me librin, por sa më tepër thellohem në të, aq më e qartë bëhet, që unë nuk mund ta përkthej këtë libër."
Krejt ndryshe mendon amerikani nga SHBA-ja Michael Henry Heim. Ai kishte sjellë në takimin në Straelen pjesë të përkthimit të tij, në të cilat lojërat e fjalëve dhe aliteracionet i rijepen në gjermanisht. Krahas termave të tilla ai përdor edhe kllapat duke dhënë shpjegimet në anglisht me fjalë të tjera.
Por kush do ta lexonte një libër të mbushur me shpjegime në kllapa dhe leksione filologjie?
Nëse lojërat artistike të fjalëve i shpjegon gjerë e gjatë përmes kllapave apo shënimeve në fund të faqes, humbet po aq shumë sa edhe me një shaka, të cilën të duhet ta shpjegosh fillimisht, për këtë janë të një mendimi të gjithë përkthyesit e Grass-it. Ndaj zgjidhje të tilla s'kanë kuptim. Me sa duket në disa gjuhë nuk do të mund të ekzistojë asnjëherë libri "Fjalët e Grimit". Epiteti "i papërkthyeshëm" mund të përkëdhelë sedrën e çdo shkrimtari, sepse nxjerr në pah veçorinë e veprës së tij. Por është e pasigurtë se sa kohë ky libër do të vazhdojë ta mbajë këtë epitet. Tek e fundit ndonëse edhe libra të tjerë vazhdimisht janë cilësuar si "të papërkthyeshëm" si p.sh. "Finnegan's Wake" i James Joyce ato janë përçuar mjeshtërisht edhe në gjuhë të tjera.
Autor: Alexandra Scherle/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Lindita Arapi