1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si student duhet të jesh fleksibël - mobilitet i pazakontë nëpër qytetet gjermane

25 Gusht 2011

Me biçikletë në arealin e korpusit universitar, "blind booking" dhe "mitfahrzentrale" në qytetet e Evropës. Të studiosh do të thotë të lëvizësh - në kampus dhe nëpër botë.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Studentët e shfrytëzojnë periudhën e studimeve për të lëvizur jashtë shtetit

Foto ilustrueseFotografi: picture-alliance/dpa

Studentët nga kontinentet e tjera e çmojnë faktin që në qytetet universitare të Gjermanisë ata mund të lëvizin të sigurt me biçikleta e tramvaje. Sikurse edhe studentët e tjerë nga Gjermania dhe Evropa edhe ata e shfrytëzojnë periudhën e studimeve për të lëvizur me trena, autobusë, aeroplanë dhe mjete të tjera jashtë shtetit.

Sidomos për studentët nga vendet e largëta ky mobilitet kaq i madh nëpër qytetet gjermane është i pazakontë. Veç kësaj ata kanë edhe shumë mundësi të tjera për të udhëtuar gjatë studimeve për të përjetuar kështu Gjermaninë dhe Evropën - dhe kjo është diçka mjaft joshëse.

"Dua të bëj përvojë, të njohë njerëzit dhe të njoh kultura të tjera", thotë studentja Elena.

"Të lëviz e të mos rri tërë kohës vetëm në një vend, të këmbehem me studentët e tjerë", shprehet studenti Niklas. 

"Të jem fleksibël, të lëviz nga njëri vend në tjetrin sa më shpejt dhe sa më thjesht që të jetë e mundur", thekson Julia. 

Gjermania ka infrastrukturë perfekte për lëvizje me biçikletë

Rrugë e veçantë për biçikleta anës RinitFotografi: DW/M. Nelioubin

Pikërisht kjo është për studentët në Gjermani veçanërisht e rëndësishme. Sepse shumë shkolla të larta nuk kanë një korpus qendror ndërtesash, që në Gjermani quhet kampus, por godina të shpërndara nga të katër anët e qytetit. Për të lëvizur nga njëra te tjetra shumë studentë përdorin biçikletat. Këto janë të lira e kanë rrugët e tyre të veçanta, të cilat janë të shtruara mirë. Kjo është një situatë që shumë studentë që vijnë nga jashtë nuk e njohin. Shumë syresh përdorin makinën ose trenat për të shkuar në universitet, si për shembull Peter nga Sydney:

"Biçikletat nuk janë praktike, sepse qyteti është gjigant. Sydney është jashtëzakonisht i madh dhe nëpër rrugë nuk ka korsi për biçikleta. Është e rrezikshme të udhëtosh me biçikletë. Gjëja e parë që pashë kur erdha këtu për herë të parë ishin shumë biçikleta dhe për mua ishte diçka e paparë".

Një infrastrukturë si ajo e Gjermanisë me rrugë enkas për biçikleta dhe mjete të shumëllojshme të qarkullimit publik nuk ka në çdo vend. Miranda nga SHBA-të thotë se në vendin ku ajo jeton nuk mund të bësh agjë pa makinë.

"Ne në Missouri kemi vetëm makina. Këtu në Gjermani ka kaq shumë mundësi të ndryshme. Distancat nuk janë shumë të mëdha."

Qëndrimi në Gjermani shfrytëzohet për të parë sa më shumë nga Evropa


Për dallim nga SHBA-të, në Evropë për shkak të dendurisë së madhe të popullsisë pikat kryesore ku duhet të shkojë njeriu për të kryer nevojat e përditshme janë shumë afër njëra- tjetrës. Prandaj edhe shumë studentë amerikanë e shfrytëzojnë qëndrimin e tyre në Gjermani për të parë sa më shumë nga Evropa. Miranda ka vizituar deri tani 16 vende të ndryshme – me tren, aeroplan dhe Mitfahrzentrale(Mitfahrzentrale përkthyer në shqip: qendër bashkë-udhëtimi, ku persona privatë që udhëtojnë në një drejtim të caktuar marrin me vete bashkë-udhëtarë për të reduktuar kështu kostot e benzinës.) Peteri e përdor shpesh këtë mundësi:

Pamje ilustruese - Mitfahrzentrale në LajpcigFotografi: ZB - Fotoreport

 "Kjo është një mundësi e përsosur për të parë Gjermaninë. Dhe kjo është shumë e lirë, krahasuar me udhëtimet me tren. Ka pasur raste që kemi marrë edhe një makinë me qera për të parë Gjermaninë ose kemi udhëtuar me Interrail. Edhe "blind booking" kam bërë, të gjitha mënyrat i kam shfrytëzuar."

"Blind booking" (prenotim surprizë)është për ata që janë spontanë. Për një çmim prej afro 20-40 Euro, aty blen një biletë aeroplani, e pastaj kompjuteri zgjedh një metropol evropian në të cilin mund të udhëtosh me të. Interrail-i është një mundësi me të cilën mund të udhëtosh me tren për pak të holla, në shumë vende të Evropës. Anna nga Ukraina preferon të fluturojë vetëm në se nuk ka mundësi tjetër. Mobiliteti është për të edhe një çështje e vetëdijes për mjedisin.

 "Udhëtimi me tren për mua është çështje etike. Fluturimet e dëmtojnë ambientin, prandaj edhe unë i përdor ato vetëm kur distancat janë shumë të mëdha.“

Studentët e kanë kthyer gjithë botën në dhomën e tyre të ndenjes


Nuk është vetëm kurioziteti për të njohur kultura të ndryshme ai që shkakton mallin për të largëtën. Edhe për të gjetur një vend pune përvoja me kulturat e tjera është thuajse e detyrueshme. Në epokën e internetit dhe globalizimit studentët e kanë kthyer gjithë botën në dhomën e tyre të ndenjes. Falë ndërlidhjeve të universiteteve dhe shumë bursave është bërë më e lehtë të studiosh në një vend tjetër.

Logo e DAAD-sëFotografi: daad

Sidomos studentët gjermanë preferojnë gjithmonë e më shpesh të shkojnë jashtë shtetit. Mbi 31.000 syresh shkuan në vitin 2010 me bursa të DAAD-së (Shërbimi Gjerman për Këmbimin Akademik) jashtë shtetit. Tendenca është në rritje, sepse njohuritë e gjuhëve të huaja dhe përvoja me vendet e huaja po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Tekefundit një përvojë jashtë shtetit sjell me vete edhe aftësi komunikimi që punëdhënësit gjermanë i vlerësojnë. Studentët që bëjnë përvoja në vendet e huaja shpesh janë më të pavarur, më fleksibël dhe më të hapur. Për hulumtuesin e Azisë, Niklasin, një semestër jashtë shtetit është pjesë e detyrueshme e studimit.

"Një brez i tërë me studentë të rinj lëviz në hapësirën aziatike. Unë e përfytyroj që rinia nuk mjaftohet më me Evropën, por kërkon të njohë edhe pika të tjera në Azi, Amerikë ose më larg".

Vetëm një herë ke rastin të shkosh të banosh jashtë shtetit si student

Pamje nga një korpus universitar në BonnFotografi: Fachhochschule Bonn-Rhein-Sieg


Edhe reforma e Bolonjës synon t'u hapë studentëve rrugë të reja në botë, por kjo nuk është diçka e lehtë kur orari i studimit është aq i ngjeshur. Shumë studentë nuk kanë kohë të punojnë për të kursyer paratë për udhëtime dhe jo çdokush përfiton nga një bursë për të shkuar jashtë shtetit. Por studentët megjithatë vazhdojnë të shkojnë jashtë shtetit. Ata nuk duan t'u mungojë kjo përvojë:

 "Vetëm një herë ke rastin të jesh student dhe vetëm një herë ke rastin të shkosh të banosh jashtë shtetit si student. Të gjithë studentët janë shumë të hapur. Dhe kjo mundësi nuk ndodh shumë shpesh në jetë, mendoj unë".

 

Autor: Nina Treude / Anila Shuka

Redaktoi: Esat Ahmeti

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW