1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të mbrosh fëmijët nga prindërit

Mathias Bölinger12 Korrik 2007

Përllogaritjet tregojnë se në Gjermani një në dhjetë fëmijë nën gjashtë vjeç keqtrajtohet ose lihet pas dore. Numri i kallëzimeve për keqtrajtim fëmije është trefishuar vitet e fundit

Shoqata gjermane për mbrojtjen e fëmijëve konstaton një lidhje midis varfërisë në rritje dhe shtimit të numrit të fëmijëve të lënë pas dore.Fotografi: picture-alliance/dpa

Raste të bujshme si ai i Kevin-it të vogël që u torturua deri në vdekje nga i ati adoptiv trondisin opinionin gjerman. Tani qeveria ka paraqitur një sërë masash për të reaguar më shpejt në të ardhmen.

Kur tetorin e kaluar u gjet kufoma e dyvjeçarit Kevin në frigoriferin e të atit adoptiv nuk ishte vetëm ministrja e familjes von der Leyen që iu bë e qartë se shteti kishte dështuar: 'Kevin-i i vogël ka pasur vazhdimisht kontakt me sistemin shëndetësor dhe me zyrën e ndihmës për të rinjtë. Fëmija njihej, dihej që kjo ishte një familje me rrezikshmëri; por siç duket këto dy sisteme nuk kanë komunikuar me njëri-tjetrin.'

Kjo do të thotë se mjekët nuk e kanë vënë në dijeni zyrën për të rinjtë kur kanë gjetur gjurmë që flisnin për keqtrajtime. Me sa duket edhe zyra për të rinjtë nuk i ka informuar mjekët për kushtet e vështira familjare - prindërit ishin narkomanë. Si pasojë të dyja palët e kanë nënvlerësuar rrezikun. Në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten ministrja kërkon të ngrejë të ashtuquajturën 'qendër kombëtare për ndihmë të hershme'.

Organet shëndetësore, zyrat për të rinjtë, mjekët dhe punonjësit socialë duhet të hartojnë bashkarisht një sistem paralajmërues për të miturit e rrezikuar: 'Qendra kombëtare do të kryejë edhe një analizë sistematike të pikave të dobta dhe gabimeve: Ku ishin deri tani defektet kur u bënë të ditura në publik rastet e tmerrshme. Kjo ka të bëjë gjithnjë me njerëz, por ka të bëjë edhe me defekte në komunikim, gabime në sistem e kështu me radhë. Prandaj nevojitet edhe një qendër mbikqyrëse për të zbuluar se në ç'pika dështuan sistemet e ndihmës.'

Por ministrja e familjes nuk është në gjendje të reformojë sistemet, pasi përgjegjëse për ndihmën për të rinjtë janë komunat. Pra qendra kombëtare do të këshillojë në radhë të parë organet lokale. Ministrja e drejtësisë Brigitte Zypries synon përveç kësaj forcimin e gjykatave familjare. Kabineti ka miratuar tani projektligjin përkatës.

'Ne shpresojmë që me këtë metodë ligjore të ndihmojmë njerëzit në vendet konkrete, në mënyrë që dikush të thotë me autoritetin e gjykatës: Kështu nuk bën!'

Në të ardhmen gjykatat familjare do të kërcënojnë me dënime dhe do të zhvillojnë me prindërit të ashtuquajtura 'biseda edukimi'. Gjatë tyre gjykatësit mund t'i paralajmërojnë për shembull prindërit për rrezikun e humbjes së të drejtës së rritjes së fëmijës, në rast se fëmija nuk dërgohet rregullisht në shkollë. Deri tani gjykatat kishin përgjegjësi vetëm pas heqjes së të drejtës së rritjes së fëmijës - dhe deri sa puna mbërrin këtu duhet të kenë ndodhur shumë zhvillime negative.