1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Radio Gjermane DLF për Gjykatën Speciale të Kosovës

28 Maj 2020

Një Gjykatë Speciale pritet të merret tani, 20 vjet pas luftës së Kosovës me krimet kundër njerëzimit. Pyetja se kundër cilëve anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare UÇK, do të ngrihet akuzë është pyetje e nxehtë në Kosovë.

Den Haag Ekaterine Trendafilova, Vorsitzende des Spezialgerichts für Kosovo
Fotografi: DW/Bahri Cani

Në qershor 1999, ushtarë gjermanë të KFOR-it u qëlluan në Prizren nga një makinë e markës Lada. Janë të shtëna që vijnë prej serbëve që ndodhen në largim, pasi futja e trupave shënoi fundin e luftës së drejtuar nga NATO. Pas tërheqjes së serbëve ndodhin akte hakmarrëse kundër civilëve. Kryesisht kundër serbëve, por edhe kundër romëve ose shqiptarëve të Kosovës, për të cilët dyshohej se kishin bashkëpunuar. Ata burgosen, torturohen, përdhunohen, vriten dhe rrëmbehen.

Kirurgu serb Andrija Tomanovic zhduket më 24 qershor 1999 në mes të ditës në Prishtinë. Gruaja e tij, Verica, nuk e sheh më kurrë të shoqin. „Ai ndodhej në spital deri në orën 13:00 dhe ishte në mbledhje me kolegët. Pastaj mori në telefon vajzën dhe i tha që ishte duke ardhur në shtëpi. Kjo ishte e gjitha. Pastaj nuk morëm më gjë vesh për të. Në shtëpi nuk erdhi kurrë. Ne dëgjuam thashetheme, sipas të vilave ai është rrëmbyer nga dy burra, që e kanë futur në makinë. Përveç kësaj nuk kemi më asnjë informacion dhe jemi shumë të dëshpëruar.“

Sqarimi i krimeve të kësaj natyre janë në qendër të kësaj mbrëmjeje informimi në bibliothekën Hivzi Sylejmani në Prishtinë. Corona nuk është kthyer ende në temë këtu, dhe një projektor lëshon në mur imazhe të bardha dhe të purpurta. Rreth 15 studentë janë ulur në karrige ngjyrë portokallije dhe shikojnë kolonat dhe organigramet, që shpjegojnë si është ndërtuar Gjykata Speciale ndërkombëtare për Kosovën.

Një ekip i tribunalit i përgjigjet pyetjeve. Edhe ato të Burbuqe Kastratit. Unë kam lindur në fund të viteve nëntëdhjetë, prandaj nuk kam kujtime politike mbi luftën dhe konfliktin. Unë kam pasur fat dhe jam rritur në paqe. Por në kujtesën e njerëzve lufta dhe konflikti janë ende të gjalla, dhe ne duhet të konfrontohemi me të kaluarën.”

Michael Doyle ka përpara një tufë me dosje. Ai është amerikan dhe drejton ekipin vendas të Gjykatës. Ai mban veshur një xhaketë kostumi të veshur mbi këmishën bojë qielli. Mban po ashtu syze me skelet metali. Tribunali i Kosovës bën hetime për kohën 1998 deri 2000. Për periudhën në të cilën është zhdukur edhe kirurgu, Tomanovic.

„Gjykata Speciale e Kosovës ka mandatin të hetojë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera që kanë ndodhur duke shkelur ligjet e atëhershme. Bëhet fjalë për krime që kanë ndodhur në Kosovë, ose që kanë filluar të ndodhin në Kosovë, dhe janë kryer nga doras ose kundër viktimave që vijnë nga Kosova ose nga Republika Federale e Jugosllavisë. Dhe bëhet fjalë për krime që kanë lidhje me raportin e Këshillit të Europës të vitit 2011.“

Çështja kryesore

Raporti i Këshillit të Europës të ish-të dërguarit special Dick Marty njihet prej shumë vetëve në Kosovë. Marty, zviceran, ngre akuza të rënda kundër UÇK, ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo luftoi për pavarësimin e ish-provincës serbe të Kosovës dhe gëzon status heroik. Njëkohësisht thuhet se, ajo ka lidhje me vepra shumë të rënda, mes të cilave rrëmbim dhe tortura, vrasje ilegale dhe vrasje të civilëve serbë dhe kosovarë. Po ashtu akuzat ekzistojnë edhe për kriminalitet të organizuar si tregti droge, si dhe vrasje e kundërshtarëve politikë.

Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë nuk merret me organizata të caktuara, thekson Solene Moutier. Francezja me flokë ngjyrë kafe punon për ekipin vendas të Tribunalit të Hagës dhe është ulur përballë Michael Doyle, duke parë imazhet me ngjyrë të bardhë dhe të purpurtë.

„Kjo gjykatë merret vetëm me persona të veçantë dhe vetëm me përgjegjësi individuale. Akuzat ngrihen kundër njerëzve që janë përgjegjës për vepra që i kanë kryer si persona të veçantë, jo si përfaqësues të një grupi, një komuniteti, apo një etnie. Kemi të bëjmë vetëm me vepra individuale. Por kjo nuk do të thotë se për vepra të caktuara, Gjykata mund të akuzojë vetëm një doras. Ajo mund të akuzojë edhe dikë që e ka organizuar veprën ose ka dhënë idenë për të. Mund të akuzojë dike që është më lart në post, i cili nuk e ka penguar kryerjen e krimit ose që nuk e ka dënuar dorasin për krimin e bërë.”

Solene Moutier nuk e zë në gojë UÇK-në. Një student i ri me flokë të zeza që ndodhet mes publikut bëlbëzon tërë kohën. Deri sa një moment e ngre zërin. „Unë mendoj se kemi të bëjmë me një gjë thelbësore, të cilën jemi duke e injoruar. Ne e dimë shumë mirë se Gjykata u krijua duke u bazuar në raportin e Dick Marty-t. Dhe kemi të bëjmë gjithnjë me anëtarë të UÇK. Dhe ne mund të flasim hapur për këtë gjë.“ Pjesa më e madhe pohojnë me kokë. Ata mendojnë se përgjigjet që jep ekipi i Hagës janë shumë të përgjithësuara, edhe kur bëhet  fjalë për akuzat e mundshme që mund të ngrihen.

Michael Doyle i njeh mirë këto lloj reagimesh. Raporti i Këshillit të Europës thotë se anëtarë të UÇK kanë bërë krime. Por a mund të luajë raporti rol në gjyq apo jo, varet vetëm nga akuza dhe nga gjykatësi.

Samire Rexhepi ndihet e provokuar nga një mendim i tillë. Në atë kohë dorasit kanë qenë serbët, jo shqiptarët. „Unë jam nga fshati Qirez, në afërsi të Likoshanit, ku janë vrarë më shumë se 20 vetë, mes të cilëve një grua shtatzënë. Unë kam qenë fëmijë dhe nuk më kujtohet çdo gjë që ka ndodhur atë ditë.”

E reja mësuese, vjen nga rajoni i Drenicës në Kosovën qendrore, ish kështjellë e UÇK. Kundërshtarët e UÇK, ishin në fillim policët serbë, pastaj ish-ushtarët e Ushtrisë jugosllave që dominohej nga serbët, ushtri që ekzistonte ende në atë kohë. Duke u drejtuar nga regjia e përgjakshme e kryetarit nacionalist të shtetit, Sllobodan Millosheviç, ata terrorizojnë njerëzit në Kosovë. Ata plaçkisin, shkatërrojnë dhe vrasin familje të tëra gjatë masakrave që kryejnë.

Salla pa dritare e bibliothekës Hivzi Sylejmani fillon të zbrazet dhe Bekim Blakaj e merr me qetësi. Ky burrë që duket i qetë dhe shtruar e ndoqi me vëmendje diskutimin e ndezur për Gjykatën e Hagës. Bekim Blakaj drejton Qendrën për të drejtën humanitare dhe lufton për shtetin e së drejtës dhe për përndjekjen sistematike të veprave të dënueshme, edhe të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Organizata është e pavarur dhe e ushtron veprimtarinë si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

UÇK, 1999Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Slatensek

Rreth 100 të vrarë dhe të plagosur nëpër atentate

„Me thënë të drejtën Gjykata ka ngjallur tek viktimat shpresa shumë të mëdha. Dhe mund të ndodhë që ata të zhgënjehen me shpresat e tyre. Gjykata Speciale nuk do të merret me të gjitha krimet për të cilat flitet në Raportin e Këshillit të Europës. Aq më tepër që nuk do të merret me të gjitha rastet e vrasjeve, që kanë ndodhur pas luftës dhe janë klasifikuar si vrasje politike.“

Nga viti 1998 deri në vitin 2005, janë vrarë dhe plagosur rreth 100 vetë nëpër atentate nga të cilat preken më shumë politikanë të „Ligës Demokratike të Kosovës“, të Ibrahim Rugovës, i cili mezi i shpëton edhe vetë një sulmi. Ndryshe nga UÇK, Rugova organizon rezistencën pa dhunë kundër serbëve.

Ai është Babai me ndikim shumë të madh në pavarësinë e Kosovës dhe ka qenë mbas fillimit të viteve nëntëdhjetë president i shtetit në hije të Kosovës. Sepse pala serbe i dëboi shqiptarët në mënyrë sistematike nga jeta publike. Mbas vitit 1996, shfaqet për herë të parë UÇK. Në luftën e Kosovës të drejtuar nga NATO mbas marsit të 1999, trupa e armatosur guerilase kthehet në aleate të Perëndimit. Në qershor të 1999-ës, serbët detyrohen të tërhiqen nga Kosova, dhe KFOR futet në Kosovë. Rruga e gjatë për pavarësinë e shumëdëshiruar të Kosovës është e lirë.

 „Menjëherë me përfundimin e luftës pati një zhvillim, gjatë të cilit forcat e armatosura dhe jo UÇK e çarmatosur, filloi të përdorte dhunën e armëve. Bëhet fjalë për një deri dy muaj, mbas qershorit 1999, gjatë të cilit UÇK nuk ishte çarmatosur ende. Filloi të përdorte dhunë nga njëra anë për të zvogëluar postet me pushtet, që mbaheshin nga LDK. LDK nuk pati pushtet në situatën e luftës, por ajo kishte pozicione dhe struktura brenda shtetit paralel të shqiptarëve të Kosovës -që tani pas përfundimit të luftës, u morën nga të rinjtë që erdhën në pushtet, që ishin më të rinj në moshë dhe të armatosur. Dhe një nga metodat ka qenë vrasja politike.“ Kështu analizon historiani i Ballkanit, Konrad Clewing nga Instituti i Lajbnicit për studimet në Europën Lindore dhe Juglindore, në Regensburg.

UÇK shpërbëhet në shtator 1999, dhe çarmatoset zyrtarisht, por zemra e saj vazhdon të rrahë: Në shoqatën e veteranëve, një shoqatë me ndikim në Prishtinë. Duke kaluar krah flamurit të UÇK, me shqiponjën e zezë me dy krena, shkohet në zyrën e Hysni Gucatit. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve, i veshur me një kuti me vija, i pret njerëzit rreth tavolinës së madhe prej druri.

"Ne nuk jemi kundër drejtësisë, por jemi kundër një gjykate të qëllimshme, edhe kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, të cilën nuk e pranojmë sepse mendojmë se është raciste. Asnjë nga vrasjet dhe dhunimet për të cilat flitet, nuk është e vërtetë. E gjithë bota e di, që serbët kanë bërë krime lufte. Prandaj në Kosovë erdhën vendet më të mëdha europiane dhe SHBA. Sipas mendimit tim, UÇK sulmohet vetëm për t‘ i bërë qejfin Serbisë dhe Rusisë.“

Thashethemet lëvrojnë

Është ende e paqartë, kundër kujt dhe për cilat krime flitet në Hagë, por thashethemet kanë kohë që lëvrojnë. Sepse raporti i Këshillit të Europës së Dick Marty-t përmend emra, edhe atë të Hashim Thaçit, president i Kosovës dhe njeriu i orëve të para në UÇK. Epiteti që i kanë vënë, është gjarpër.

„Nëse Gjykata nuk thërret Hashim Thaçin për ta marrë në pyetje, atëherë le të mbyllet.“ Konstaton gazetari investigativ, Visar Duriqi. Kur parlamenti kosovar krijoi në vitin 2015 Gjykatën, Hashim Thaçi është ministër i Jashtëm. Lobi i UÇK lufton kundër stuhisë së krijuar, por Thaçi detyrohet që të votojë pro krijimit të Gjykatës.

Presioni që i bëhet Hashim Thaçit nga Brukseli dhe nga Uashingtoni është i madh dhe ai e formulon më vonë duke thënë: "Ajo që kam pas menduar më 2015 dhe që mendoj edhe sot, është se Gjykata Speciale është një padrejtësi historike për njerëzit në Kosovë. Komuniteti Ndërkombëtar na detyroi të krijonim Gjykatën duke kërcënuar me marrjen e masave drastike kundër Kosovës, nëse nuk e krijonim. Nuk ekziston asnjë Gjykatë që të mund të cënonte dinjitetin, integritetin dhe krenarinë e luftës sime për pavarësinë e Kosovës.“

Gjykata Speciale e Hagës është krijuar njësoj si sistemi juridik kosovar. Kryeprokuror është amerikani, Jack Smith. Gati pesë vjet pas krijimit të Tribunalit, ai bëri të ditur akuzën e parë. Një Gjykatë në Hagë është duke parë nëse akuza duhet ngritur tërësisht apo pjesërisht. Vendimi për akuzën e parë do të merret deri në fund të gushtit. Nuk dihet nëse Hashim Thaçi do të merret në pyetje nga Gjykata Speciale. Prokuroria në Hagë nuk e konfirmon as nuk e komenton pyetjen e bërë për këtë. Që nga viti 2019, një seri ish UÇK-shash kanë bërë publike thirrjen nga Gjykata. Mes tyre edhe presidenti shumëvjeçar i Parlamentit, Kadri Veseli. Më parë ai ka qenë shef i shërbimit të frikshëm sekret të UÇK, SHIK, i cili është shpërbërë ndërkohë.

Ramush Haradinaj, mbas marrjes në pyetje 2017Fotografi: Getty Images/AFP/S. Bozon

Edhe ish komandanti i UÇK, Ramush Haradinaj e pati bërë publike thirrjen nga Gjykata, duke dhënë dorëheqjen si kryeministër në korrik 2019. Deklarata e tij e bërë mbas marrjes në pyetje ishte: „Jo, nuk e di pse. Ne kërkuam sqarime. Bëhej fjalë për rolin që kam luajtur unë në UÇK dhe aspekte të tjera, por jo për gjëra konkrete.“

Ramush Haradinaj ka përvojë me gjykatat ndërkombëtare. Në vitin 2005, ai u akuzua nga Tribunali Ndërkombëtar i Jugosllavisë. Për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së Kosovës. Mbas dy proceseve, Haradinaj u shpall i lirë më 2012. Një çlirim nga akuza me hije të gjata. Sepse dëshmitarëve që do të dëshmonin kundër tij iu bë presion, dhe iu morr jeta. Dëshmitarët luajnë rol të rëndësishëm edhe në Gjykatën Speciale. Krimet për të cilat bëhet fjalë, kanë ndodhur para një kohe të gjatë dhe nga hetimet në vendin e ngjarjes rezultatet janë të pakta.

Kush kërkon për lidhjet, jeton në rrezik

Bullgarja Ekaterina Trendafilowa është presidente e Gjykatës Speciale të Kosovës. Në nëntor të 2017, ajo bëri një vizitë që tërhoqi vëmendjen në Kosovë. Konferenca e saj e shtypit kishte publik të madh dhe shumë prej tyre ishin të interesuar edhe për mbrojtjen e dëshmitarëve.

„Kjo është një nga pikat më të rëndësishme për ne, dhe ne jemi duke punuar në mënyrë intensive. Ne në asnjë mënyrë nuk do ta ngrejmë punën tonë në kurriz të jetës dhe sigurisë së atyre që kemi përballë.“ Por Kosova është e vogël dhe shumë ish-komandantë të UÇK janë ngritur duke u bërë pjesë e elitave më me influencë në politikë dhe ekonomi, thotë gazetari Visar Duriqi.

„Komandantët kontrollojnë pompat e benzinës, industrinë e ndërtimit dhe janë aktivë në bujqësi, ku përfitojnë nga subvencionet shtetërore… Kjo do të thotë që firmat kryesore që marrin para publike për ndërtimin e rrugëve apo ndërtesave shtetërore, mbajnë direkt ose indirekt nënshkrimin e tyre.“

Kush kërkon të mësojë për lidhje të tilla, jeton në rrezik. Serbeze Haxhiaj, punon për gazetat dhe portalet kosovare dhe të huaja, duke raportuar shumë për krimet e luftës në Kosovë. „Raportet për krimet që kanë bërë shqiptarët vazhdojnë të jenë tabu. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm me faktet. Unë personalisht kam marrë kërcënime dhe më është bërë presion pikërisht për shkak të raporteve për krimet e mundshme nga të dy palët. Gazetarët që mundohen të raportojnë për krimet e mundshme të kryera nga shqiptarët gjatë dhe mbas luftës, kanë pasur deri tani një ngarkesë të madhe.

Kur bëhet fjalë për proceset për krimet e luftës ose krimet kundër njerëzimit, dëshmitarët kërcënohen, atyre u bëhet presion, ata vriten, thotë Serbeze Haxhiaj. Një rrezik, të cilin ajo nuk e përjashton si mundësi edhe për Gjykatësn Speciale. „Të akuzuarit e mundshëm do të mundohen të eliminojnë dëshmitarët, për të çliruar veten nga akuzat. Mbas 21 viteve, Gjykata do të mbështetet tek dëshmitarët, sepse faktet e tjera nuk janë më prezente.“

Mungon besimi tek mbrojtja e dëshmitarëve

Ky është një lokal i vogël në Graçanicë, afër Prishtinës. Ekipi vendas i Tribunalit të Hagës sapo ka treguar për mandatin dhe mundësinë e pjesëmarrjes së viktimave në proces. Por çështja nuk duket se ngjall shumë interes. Në këtë qytezë të vogël jetojnë kryesisht serbë, njëri prej të cilëve është Oliver Vujovic. Besimi tek mbrojtja e dëshmitarëve do të mungojë, sepse në Kosovë presioni që bëhet nga pushtetarët politikë është gjë e zakonshme. Në punë, gjatë zgjedhjeve, dhe natyrisht edhe para Gjykatës. „Ne jemi duke folur për dëshmitarët. Para se ata të shkojnë të dëshmojnë, u vjen dikush në shtëpi dhe u shtin frikën. Unë nuk po flas për Haradinajn, për njerin apo për tjetrin. Por nëse një i tillë ka pushtet, atëherë njerëzit kanë frikë të flasin.“

Që nga fillimi i 2018, ekipet vendase të Gjykatës Speciale kanë zhvilluar më shumë se 50 takime në Kosovë. Solene Moutier ka folur me shumë njerëz në Pejë, në Mitrovicë, Prizren dhe Prishtinë.
„Gjykata është një gjë që diskutohet, njerëzit kanë mendime të ndryshme për Gjykatën. E rëndësishme është të thuhet se ne nuk vijmë në Kosovë për të bindur njerëzit se Gjykata është një gjë shumë e mirë. Ne nuk mundohemi të ndikojmë mbi perceptimin e njerëzve, por duam të informojmë dhe t’i përgjigjemi pyetjeve.“

Në Kosovë mungon besimi për bashkëjetesën paqësore midis njëri tjetrit, thotë duke shprehur keqardhjen aktivisti serb, Oliver Vujovic. „Tek pajtimi nuk të çon vetëm Gjykata. Ne kemi kaq shumë probleme. Ne mësojmë histori të ndryshme dhe nëse serbët dhe shqiptarët duan të jetojnë bashkë, ata duhet të mësojnë të njëjtën histori, dhe të vazhdojnë hap pas hapi më tej“.

Studentja kosovare shqiptare Burbuqe Kastrati, flet po ashtu në drejtim të ngjashëm: „Në këtë rajon ne mësojmë vetëm për njërën anë të luftës dhe unë mendoj se është gabim i madh, ky që bëjmë ne në rajon. Drejtësia ndërshtetërore mbetet një çështje e rëndësishme, ne duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim. Dhe të sqarojmë çfarë ka ndodhur këtu në vitet nëntëdhjetë.“

Pa drejtësi të pavarur dhe pa bashkëpunim nuk mund të përndiqen krimet, thotë aktivisti për të drejtat e njeriut, Bekim Blakaj. Sepse ai e di se janë dorasit ata që e pengojnë drejtësinë. „Viktimat nuk përfitojnë asgjë nga status quo-ja. Viktimat e krimeve të luftës bëhen edhe një herë tjetër humbësit më të mëdhenj. Dhe ata që kanë bërë krime lufte fitojnë edhe një herë, sepse ata nuk dënohen.“

 

Autore: Andrea Beer, dlf