1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si zvarrisen proceset gjyqësore në Shqipëri

14 Shkurt 2011

Në Shqipëri është evident zvarritja e proceseve gjyqësore deri në degradimin e tyre, pavarësisht interesimit të madh të publikut për ecurinë e tyre. Një nga rastet më tipike është dosja gjyqësore e “Gërdecit”.

Gjykata e TiranësFotografi: DW / Aida Cama

Kur të pandehruve kryesorë në dosjen gjyqësore “Gërdeci” iu hoq masa e sigurisë “burg pa afat” dhe u vendos për arrest shtëpiak, palët në gjykim mbajtën qëndrime të ndryshme. Falë presionit dhe reaksionit të opinionit publik për bërjen e drejtësisë mbi tragjedinë e 15 marsit 2008 më të vrarë dhe të plagosur rreth 20 km larg Tiranës, avokatët, prokurorët dhe gjykata nisën të falësojnë njeri tjetrin. Avokatët mendojnë se nuk kanë patur gatishmëri nga gjykata që të kenë brenda afateve dosjet dhe dokumentacionin e nevojshëm mbi të cilën ata bëjën mbrojtjen e klientëve. Gjykata pretendon se kanë qënë mungesat e qëllimshme të avokatëve që e kanë zvarritur procesin. Po të pakënaqur janë dhe prokurorët e çështjes.

Artan HoxhaFotografi: DW

Por çështja “Gërdeci” nuk është e vetmja që ka hyrë në kalvarin e shtyrjes së seancave. Ka dhe dosje të tjera për ngjarje të rënda kriminale të cilat kanë nisur prej viteve dhe nuk dihet se kur do të ketë një vendim gjyqësor në lidhje me to.

Drejtori i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Artan Hoxha, e quan të justifikuar shqetësimin e opinionit publik për fenomenin e zvarritjes së proceve gjyqësore. Aq më tepër kur bëhet fjalë dhe për dosje që kanë një vëmendje të jashtëzakonshme për natyrën dhe dëmin e madh që kanë shkaktuar. Hoxha mendon se ecuria e një procesi dhe pritmëria e publikut shfaqet dhe si një kontradiktë që vjen nga moskuptimi i sistemit të drejtësisë. Si në çdo vend demokratik edhe në Shqipëri aplikohet një sistem drejtësie ku i jepen garanci proceduriale dhe konceptuale të pandehurit. Sistemet e drejtësisë të mëparshme ku avantazhin e ka shteti si akuzator ka dhënë pasoja të tmershme, thotë Artan Hoxha për DW.

“Ndaj dhe njerëzimi ka bërë zgjedhjen tjetër: për supergaranci për të pandehurit. Ai dënohet kur provohet fajësia përtej çdo dyshimi. Dhe gjatë gjithë procesit gjyqësor garancitë janë shumë të mëdha. Këto garanci na garantojmë që të mos kemi të pafajshëm të dënuar. Demokracitë e kanë bërë këtë zgjedhje: më mirë të mos kemi një të pafajshëm të dënuar dhe të na shpëtojë ndonjë i fajshëm i padënuar. Por kjo nuk justifikon manovrat të pambështetura në ligj që mund të bëjnë gjatë një procesi gjyqësor."

Idajet Beqiri, Kryetari i Forumit të Avokatëve të Shqipërisë për DrejtësiFotografi: Albanian Advocate Forum for Justice

Artan Hoxha shikon dhe një aspekt që “stimulon” kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore. Sipas tij sistemi i procedurës penale është ndërtuar për raste kur në qëndër është një i pandehur, ose një numër i vogël i tyre. Gjërat nisin të vështirësohen kur numri i atyre që janë në bankën e akuzës është i madh, si psh në rastin e gjykimit të tragjedisë së Gërdecit kur janë 29 të tillë, thotë Hoxha për DW.

“Edhe në marrëdhënie mirëbesimi, edhe në zbatim të procedurave korrekte në një megaproces të tillë menaxhimi i hetimit gjyqësor cënon afatet normale. E keni parasysh që janë dhjetra avokatë, të cilët sikur dhe kërkesa të logjikshme të bëjnë duan kohë, aq më tepër kur ka mes tyre dhe nga ata që duan të përfitojnë ose spekullojnë me procedurat. Por sistemet demokratike ligjore kanë instrumente që i amortizojnë, i minimizojnë këta faktorë kundërproduktivë, siç mund të përmend rolin e dhomave të avokatisë që mund të jenë aktive për të ndëshkuar abuzuesit, keqpërdoruesit e të drejtave proceduriale”.

Kryetari i Forumit të Avokatëve të Shqipërisë për Drejtësi, Idajet Beqiri, e përshkruan si një sëmundje të vjetër në gjykatat e vendit të zvarritjes së proceseve, madje edhe kur ato janë të bujshme dhe kanë interes e ndjeshmëri të madhe tek publiku. Në një proces janë dy palë para gjykatës, avokatët së bashku me të pandehurit dhe prokurorët. Nuk besoj se është e frytshme hedhja e fajit tek njeri tjetri, thotë Idajet Beqiri për DW-në.

GërdeciFotografi: AP

“Ne të paktën në raport me njeri tjetrin jemi të ndërgjegjshëm se kush e ka fajin. Por për mendimin tonë zot i çështjes është gjykata. Në rast se avokati nuk është korrekt dhe nuk shkon në gjykim atëhere gjykata ka listën e atyre që janë rezervë, të propozuar nga dhoma e avokatëve, sepse ata duan punë. Por gjykata në këtë nuk është korrekte dhe nuk e bën detyrën si duhet. Ndonjëherë gjyqtarët, qoftë deh për raste banale, sepse ai mund të ketë një hall të vetin arrin deri aty sa bën një marrëveshje me avokatin që ‘bëj një kërkesë për shtyrjen e gjykimit sepse kam një hall unë sot'. Deri këtu ka arritur puna”.

Për rastin e gjykimit të tragjedisë së Gërdecit së fundi dhe ministria e drejtësisë ka shprehur pakënaqësi për ecurinë e këtij procesi, duke kërkuar që gjithshka ka ndodhur deri më sot të bëhet objekt analizë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë që drejtohet nga Presidenti i Republikës

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama