Siguria në Kosovë nuk paraqet rrezik
3 Prill 2006
Megjithëse gjatë dy javëve të shkuara në Prishtinë, u shënuan disa incidente, u vendosën mjete shpërthyese në disa rrugë të kryeqytetit, gjendja e sigurisë është stabël. Këtë njoftim e bënë krerët e forcave paqeruajtëse dhe ata të policisë ndërkombëtare, duke nënvizuar se nuk ka shenja, se situata mund të eskalojë gjatë kësaj faze të procesit të bisedave për zgjidhjen e statusit final.
Hetimet për këto raste akoma janë duke vazhduar dhe deri tani nuk ka ndonjë person të arrestuar lidhur me vendosjen e këtyre mjeteve shpërthyese. Mirëpo, policia në Kosovë ka arritur të arrestojë një person të dyshuar se është përgjegjës për vendosjen e mjeteve shpërthyese në korrik të vitit të shkuar, afër institucioneve qëndrore, qeverisë, administratës ndërkombëtare dhe misionit të OSBE-së.
Në një njoftim të policisë thuhet se forcat e rendit kanë arrestuar një person të gjinisë mashkullore i moshës 38 vjeqare, mirëpo, nuk njoftohet për identititetin e tij. Bashkëpunimi i afërt dhe përpjekjet kolektive në mes policisë ndërkombëtare, SHPK-së dhe Departamentit të Drejtësisë gjatë hetimeve të gjata kanë shpënë në kapjen dhe burgosjen e të dyshuarit. Hollësi të tjera në lidhje me rastin nuk do të publikohen, thuhet në njoftimin e policisë. Sidoqoftë, autoritetet ndërkombëtare, kërkojnë nga organet e rendit që të punojnë në vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë. Këtë e tha edhe shefi i zyrës gjermane në Kosovë, Eugen Volfart, pas një takimi që zhvilloi me ministrin e punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës, Fatmir Rexhepi.
Unë shpreha mbështetjen nga ana e Gjermanise për ministrinë e re në punën e saj dhe kërkojë që aktiviteti i saj, të jetë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe poashtu të punojë në krijimin e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Vendosja e rendit dhe ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, janë cështjet themelore në të cilat ministria e re e punëve të brendshme duhet të fokusohet, tha Eugen Volfart.
Ministria duhet të mbledhë rreth vetës ekspertë, që me punën e tyre të tregojnë që Kosova është e aftë të udhëheqë me këtë sektor shumë të rëndësishëm për sigurinë në Kosovë, theksoi Volfart. Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi, thotë se, ministria e re ka për synim krijimin e sigurisë së plotë për të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike.
Ministria e punëve të brendshme dhe ministria e drejtësisë janë dy ministritë më të reja në qeverinë e Kosovës dhe ato cilësohen ndër më të rëndësishmet në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Por, këto dy ministri akoma nuk kanë kompetenca të plota. Duhet të kalojnë një fazë testuese tre mujore, të analizohet puna e tyre në mënyrë që më pas të shqyrtohet mundësia që ato të marrin kompetenca të plota në fushën e sigurisë dhe atë të drejtësisë.