220811 Managerhaftung
22 Gusht 2011
Shembujt për dëmet që u kanë shkaktuar vendimet e gabuara të menaxherëve drejtues kompanive të tyre janë të shumta dhe kanë tërhequr edhe vëmendjen e opinionit publik. P.sh. skandali i korrupsionit në koncernin Siemens apo falimentimit i grupit Arcandor, ish KARSTADT-Quelle.
Për raste të tilla si korporata të mëdha edhe kompani të vogla - mundohen të mbrohen ndaj pasojave të gabimeve të rënda të drejtuesve të tyre të lartë. Zakonisht duke bërë një sigurim për "Drejtorët dhe zyrtarët drejtues". Shpesh është fjala për gabime klasike që do t'u sillnin menaxherëve telashe thotë Mark Wilhelm, avokat i specializuar për të ligjet për sigurimet në Düsseldorf. Sipas tij vetëm 20 për qind e të gjitha gabimeve të menaxhimit bazohen në llogaritje të gabuara. Në 80 për qind të rasteve, manaxherët drejtues anashkalojnë pa vënë re diçka, ose injorojnë rregullat apo marrëveshjet:
"Për shembull. Ata ndërmarrin masa mbrojtëse për monedhën. Sipas rregullave si anëtar i bordit drejtues ata kanë të drejtë që të ndërmarrin personalisht transaksione për mbrojtjen e monedhës deri në vlerën 2.5 milion, kurse mbi 2.5 milion duhet të vendosin dy persona. Kemi një situatë kur për shkak të lëvizjeve të tregut kemi ndonjë ndryshim të papritur në vlerë nga sot nesër dhe kështu nuk është më fjala për 2.5 por për pesë milionë. Për një moment menaxheri nuk e mendon se ai lejohet të kryejë veprime vetëm deri në 2,5. Dhe kështu ai ka shkelur rregullat dhe madje me vetëdije. Sepse atij do t'i thonë që ti i dije rregullat, sepse ato ekzistonin. Këto janë gjëra të tilla të vogla që menaxherët i anashkalojnë. "
Shpenzimet për një policë sigurimi për "Drejtorët dhe zyrtarët drejtues" fillojnë nga 600 Euro dhe shkojnë deri në miliona, thotë Marcel Roeder, i cili punon për një kompanti të tillë sigurimesh AON. Sipas tij vërehet një rritje e numrit të gabimeve dhe të dëmeve për të cilat fajin e kanë manaxherët. Në vitin 2007 në të gjithë botën kishte 134 raste, vitin e kaluar 445. Po ashtu është shtuar edhe numri i vendeve ku ndodhin dëme të tilla: Në vitin 2010 ky numër ishte dyfishuar në 60.
Roeder thotë se gjithnjë e më shumë kompani po padisin drejtorët e tyre: "Si p.sh. Bayern LB, MAN, Arcandor, të gjitha këto janë raste të cilat pjesërisht i kalojnë kufijtë e miliardave. Unë nuk dua të them se të gjitha dëmet ishin dëme të siguruara dhe të shkaktuara prej manaxherëve drejtues, por ne tashmë shohim një lidhje për shkak se shuma e tillë natyrisht që nuk mund të merren përsipër nga personat e prekur në vetvete"
Gjatë krizës financiare, shumë politikanë bënë thirrje për ligje më të rrepta për përgjegjësinë e menaxherëve në Gjermani. Sipas avokatit Wilhelm Mark këto janë populizëm i pastër, sepse në Gjermani dispozitat ligjore janë mjaf të rrepta.
Autor: Monika Lohmüller/Pandeli Pani
Redaktoi: Angjelina Verbica