060510 Biden Brüssel
7 Maj 2010Stacion i zv.presidentit amerikan Joseph Biden në Parlamentin Evropian. Evropianët pyesin pse nuk erdhi në Evropë vetë Presidenti Obama. Disa javë më parë ai pati anulluar një takim të planifikuar për tu mbajtur në Spanjë. Megjithëse Presidenti i Parlamentit Evropian Jerzy Buzek, vlerësoi me tonet më të larta zëvendëspresidentin, kritika e lehtë nuk mund të mos dëgjohej. „Presidenti Ronald Reagan ka folur më 8 maj të 1985-ës para këtij parlamenti. Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit deri tani që një president amerikan i drejtohet përfaqësuesve të zgjedhur të popullit evropian. Prania juaj këtu, Zoti Zv.president është një simbol për ringjalljen e dialogut në nivelin më të lartë midis dy kontinenteve tona.“
Qeveria Obama - Biden ndryshe nga ajo e Bushit
Pas mosmarrëveshjeve të rënda në kohën e qeverisjes së Bushit, por edhe gjatë luftës së Irakut, qeveria e Obamës ka luftuar për fillim të ri me Bashkimin Evropian. Dhe këtë e tregoi edhe një herë Joseph Biden: „Qeveria Obama - Biden nuk ka asnjë dyshim se një Bashkim Evropian i fortë është i domosdoshëm, prandaj e përkrah atë krejtësisht. Ne besojmë se për mirëqënien dhe sigurinë afatgjatë të Amerikës, BE-ja është absolutisht e nevojshme, për këtë nuk ka asnjë dyshim.“
Biden kaloi në histori dhe tha se ashtu si evropianët dhe amerikanët i zgjidhën së bashku problemet në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe të rindërtimit të Evropës, ashtu mund të zgjidhin së bashku krizat e sotme, qofshin ato të ndryshimit të klimës, të kërcënimeve atomike nga Irani, të Afganistanit ose të krizës ekonomike dhe financiare. „Ne përshëndesim paketën e ndihmës për Greqinë që ka përgatitur Evropa së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, dhe ne do i përkrahim si direkt ashtu edhe indirekt përpjekjet për shpëtimin e Greqisë, nëpërmjet FMN.“
Biden nuk i anashkaloi temat e vështira
Parlamenti Evropian ka bllokuar për shembull paraprakisht transferimet evropiane të bankave në SHBA, për shkak të rezervave në çështjen e mbrojtjes së të dhënave. Biden doli i vendosur para parlamentit për arritjen e një marrëveshjeve për luftimin e terrorizmit. „Me parë ne kemi patur mendime të ndryshme, dhe këto do t`i kemi edhe nganjëherë në të ardhmen. Por unë jam i sigurt se SHBA dhe Evropa do i përballojnë së bashku sfidat e shek. të 21-të, ashtu si në shekullin e 20-të, duke folur me njëri tjetrin, duke e dëgjuar tjetrin, duke qenë të sinqertë me njeri tjetrin.“
Fjalën "dëgjim", Joseph Biden e ka përdorur disa herë edhe gjatë vizitës së tij të parë në Bruksel, pak para zgjedhjes së Obamës, po ashtu si edhe ministrja e Jashtme Hillary Clinton. Kjo është një fjalë që evropianët e dëgjojnë me dëshirë.
Autor: Christoph Hasselbach
Redaktoi: Aida Cama