Sinagoga e Krefeldit mban emrin e një gjermani
6 Nëntor 2008
Shpesh herë 9 nëntori quhet edhe si dita e fatit të gjermanëve. Në këtë datë kanë ndodhur shumë ngjarje, që konsiderohen për Gjermaninë si pika kthesash politike. Ngjarja më e fundit më 9 nëntor është rënia e murit të Berlinit në vitin 1989. Por 9 nëntori ka nisur me ngjarjen e vitit 1848, kur në Vjenë u vra luftëtari i lirisë Robert Blum. Ekzekutimi i tij ishte fillimi i fundit të revolucionit të marsit në Shtetet e Lidhjes Gjermane. Më 9 nëntor 1918 u shpall Republika Gjermane, në vitin 1923 po në këtë datë në Mynih u krye i ashtuquajturi "puçi i Hitlerit", kur për herë të parë tërhoqi vëmendjen NSDAP-ja. Në 15 vjetorin e kësaj ngjarjeje u mblodh udhëheqja e NSDAP-së dhe shpalli natën e pogromës. Kjo ndodhi përpara 70 vjetësh.
Kurt Kähler (Keler), ishte asokohe dhjetë vjeç.
Një mëngjes i ftohtë, dimër, bie shi. Një ditë si shumë të tjera në këtë vjeshtë të pakëndshme. E megjithatë këtë mëngjes Kurt Kähler edhe sot e kësaj dite, pas 70 vjetësh e ka të gjallë në kujtesë. „Më 10 nëntor unë po shkoja në shkollë, isha dhjetë vjeç. Dëgjova që sinagoga po digjet. Ne shkuam në qytet në rrugën e dyqaneve të Krefeldit, të cilat ne e dinim se ishin dyqanet e hebrejve. Këto ishin dyqane elegante dhe gëzonin prestigj në popull. Hebrejtë gëzonin gjithashtu prestigj të madh në qytet."
Në qendër të qytetit fëmijët shohin një pamje të tmerrshme: trotuarët ishin mbuluar me xhama të thyer dhe papritur ata shohin edhe sinagogën e shkatërruar.
Kurt Kähler dhe shokët e tij pyesin të rriturit, përse zjarrëfikësi qëndron indiferent dhe nuk e shuan zjarrin që kish përfshirë sinagogën? Por ata nuk marrin përgjigje. Disa orë më vonë fëmijët dëgjojnë në radio dhe në shkollë, që në mbarë Gjermaninë ishin kryer atentate të ngjashme. "Pamja e sinagogës dhe e zjarrëfikësit që nuk ndërhynte më është ngulitur në mendje. Këtë nuk e harroj gjatë gjithë jetës sime, e kam vazhdimisht para syve. "
Ashtu si shumica e gjermanëve, edhe Kurt Kähler pas fundit të luftës ishte i ndërgjgjshëm për përmasat e përndjekjes së hebrejve gjatë gjithë atyre viteve. Krefeldasi u përbetua, që të angazhohet me të gjitha forcat për hebraizmin. Pasi studioi juridik ai punoi si avokat në Krefeld. Në mesin e viteve 50-të ai nisi të përfaqësojë hebrejtë në proceset për zhdëmtim në bazë të ligjit përkatës.
Kurt Kähler hulumtoi, studioi historinë e banorëve hebrej të qytetit, punoi nëpër arkiva, vizitoi emigrantët në Angli dhe në SHBA. Ai botoi libra dhe mbajti referate. Me kohë avokati krefeldas u bë një njohës i shkëlqyer i hebraizmit në zonën e Rinit.
Në vitet 90-të bashkësia hebreje u zgjerua me ardhjen e hebrejve nga ish-Bashkimi Sovjetik. Qyteti si rrjedhojë vendosi të ndërtojë sinagogën e re. Kryebashkiaku iu drejtua pikërisht Kurt Kähler, nga i cili kërkoi ndihmë. Ai u angazhua dhe krijoi një fondacion. Në funksionin e drejtorit ekzekutiv të fondacionit ai u përpoq për gjithçka: Duke nisur qysh nga marrja e lejes së ndërtimit e deri tek mbledhja e fondit për financimin e projektit. Në 2008 projekti u vu në jetë.
70 vjet më vonë në Krefeld ka sërish një sinagogë. Mbi një mijë anëtarë të bashkësisë kanë tani një vend prehjeje. Në sinagogë ka një bibliotekë, një kafene, ambjente mësimi dhe një sallë të përbashkët.
Sinagoga mban emrin Kurt Kähler. Fillimisht ai e pati të vështirë të ambientohet me këtë emër: „Unë nuk preferoj të më lavdërojnë. Por kuptohet, që këtë e pranova me mirënjohje. E gjitha kjo ma lehtëson disi barrën: Një bashkësi hebreje në Gjermani e emërton sinagogën e rindërtuar pas 70 vjetësh të shkatërrimit me emrin jo të një hebreu, por të një gjermani. "