1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sinjal për rëndësinë e filmit: Berlinalja e 72

10 Shkurt 2022

Festivali i 72-të Ndërkombëtar i Filmit në Berlin hapet sot (10.02) në mbrëmje me një gala festive në Berlinale-Palast në Potsdamer Platz. Filmi i Bujar Alimanit, Virgjëresha Shqiptare, shfaqet në EFM.

Deutschland Berlin | Berlinale | Vorbereitungen
Fotografi: Jens Kalaene/dpa/picture alliance

Për filmdashësit Berlini dhe shkurti kanë një emërues të përbashkët. Është Berlinalja. Festivali Ndërkombëtar i Filmit, i cili sivjet zhvillohet për herë të 72-të. Zakonisht janë festat, tapeti i kuq, rrëmuja, ajo që i jep Berlinit një shkëlqim të veçantë në shkurtin e ftohtë. Por pandemia i ka detyruar organizatorët ta reduktojnë programin dhe një pjesë të madhe të aktiviteteve shoqëruese ose të mos bëhen fare, ose të bëhen vetëm online, si për shembull, Tregu i Filmit Evropian (European Film Market, EFM).

Juria e Berlinales 2022: M. Night Shyamalan, Karim Aïnouz, Anne Zohra Berrached; untere Reihe v.l.n.r: Tsitsi Dangarembga, Ryusuke Hamaguchi, Connie Nielsen, Said Ben SaïdFotografi: Berlinale

18 filma konkurrojnë për arinjtë

Festivali i filmit do të hapet në Pallatin Berlinale në Potsdamer Platz të enjten në mbrëmje me filmin e ri të regjisorit francez, François Ozon: "Peter von Kant". Filmi është bazuar mbi filmin e regjisorit kult gjerman Rainer Werner Fassbinder "Lotët e hidhur të Petra von Kant". Gjithsej në garë kryesore do të shfaqen 18 filma. Se cili prej tyre do të meritojë arinjtë, për këtë do të vendosë një juri ndërkombëtare shtatë anëtarëshe, kryesuar nga producenti, skenaristi dhe regjisori M. Night Shyamalan.

Tema sunduese në këtë Berlinale është dashuria, thonë organizatorët. Dhe kjo ishte një rastësi: "Ishte çmenduri dhe befasi e madhe që shumica e filmave që na erdhën kishin të bënin me dashurinë," tha drejtori artistik Carlo Chatrian, në prag të Berlinales. Jeta në pandemi thuajse nuk luan rol. Sipas Chatrian, kjo temë është e pranishme vetëm në dy filma. Një karakteristikë tjetër. Ngjarjet zhvillohen kryesisht jashtë qyteteve, nëpër provinca, në udhëtime ose në periferi.

Dennis Menochet dhe Isabelle Adjani në filmin "Peter von Kant" që hap Berlinalen 2022Fotografi: Berlinale/FOZ/dpa/picture alliance

Gjithsej do të prezantohen 256 filma të shkurtër dhe të gjatë, të ndara në seksionet Gara kryesore, Berlinale Specials dhe Berlinale Series, Encountres, Shorts, Panorama, Forum dhe Forum Expanded, Generations, Perspektiva e Filmit Gjerman Retrospektive, Klasikët, dhe Homazhi. Ariu i Artë i Nderit për veprën e jetës sivjet i jepet Isabelle Huppert. Ky çmim nderon një nga aktoret më të njohura dhe më të gjithanshme në kinemanë franceze dhe ndërkombëtare. Me këtë rast Berlinale do të shfaqë më 15 shkurt filmin e saj të ri "À propos de Joan (Rreth Joan)" (2021, me regjisor Laurent Larivière). Çmimi është një nga pikat kulmore të kësaj Berlinaleje modeste.

Homazh dhe Ariu i Artë i Nderit për Isabelle Huppert në Berlinale 2022. Pamje nga filmi më i fundit i saj: À propos de Joan, këtu me aktorin gjerman, Lars EidingerFotografi: 247films

Festival në kushte pandemie 

"Berlinale 2022" zhvillohet pavarësisht numrit të shtuar të infeksioneve me Omikron, çka është kritikuar nga shumë politikanë në vend. Për ministren gjermane të kulturës, Claudia Roth (Të gjelbrit), mbajtja e Berlinales tani dhe jo më vonë, siç ishte propozuar nga disa zëra, është një sinjal i qartë për rëndësinë e veçantë që duhet të ketë kultura. "Filmi dhe kultura nuk janë baras me aktivitetet e rëndomta të kohës së lirë, por kanë një rëndësi të madhe për shoqërinë dhe demokracinë", tha Roth për radion gjermane BR24. 

Claudia Roth, ministrja gjermane e Kulturës dhe MediasFotografi: Michael Sohn/AP Photo/picture alliance

Berlinale ka vendosur kështu ta sfidojë  pandeminë, shifrat e së cilës çdo ditë po thyejnë rekorde në Gjermani. Prandaj edhe rregullat e festivalit janë të rrepta: Kohëzgjatja e garës është kufizuar në gjashtë ditë. Nëpër kinema do të zbatohet rregulli 2G plus, pra, lejohet hyrja vetëm me certifikatë vaksinimi ose shërimi plus testin antigjen negativ, jo më të vjetër se 24 orë. Maska mbrojtëse FFP2 duhet të mbahet gjatë gjithë filmit. Dhe kinematë do të jenë me kapacitete të përgjysmuara. 

Carlo Chatrian dhe Marielle Rissenbeeck drejtuesit e Berlinales Fotografi: Stefanie Loos/AFP/dpa/picture alliance

Sërish pa party në "Mama Bar"

“E kemi vrarë mendjen shumë se si të bënim një festival, që të jetë sa më i reduktuar, por edhe ta afrojë filmin sa më shumë me publikun", tha drejtoresha menaxhuese, Mariette Rissenbeek në prag të festivalit. “Filmat që shfaqen këtu kanë nevojë për këtë vëmendje”.

Një pamje që mungon: Radhët e gjata si dikur per bileta, kur filmdashësit flinin te sporteli, të mbuluar me batanije, me termus çaji dhe libër në dorë, për të mos e humbur biletën e filmit më të preferuar. Biletat mund të blihen vetëm online. Një ngushëllim i vogël: Filmat për publikun do të shfaqen deri më 20 shkurt. Edhe një gjë tjetër do të mungojë. Festat dhe pritjet. Dhe kjo do të thotë, se për herë të dytë radhazi do të mungojnë takimi tradicional i kineastëve shqiptarë në klubin berlinez, Mama Bar.

"Virgjëresha shqiptare" në EFM

Për shkak të shifrave të larta të infektimeve ditore, organizatorët vendosën ta reduktojnë programin e European Film Market vetëm në variantin online. Kështu që stenda e përbashkët e dy Qendrave Kombëtare Kinematografike të Kosovës dhe Shqipërisë, që ishte një pikëtakim i rëndësishëm i kineastëve shqiptarë dhe evropianë me ata botërorë, sërish do të mungojë.

Berlinale 2020: Atmosferë nga stenda e Shqipërisë dhe Kosovës

04:38

This browser does not support the video element.

Por jo vetëm kineastët, edhe filmat shqipfolës mungojnë në programin e Berlinales. Kjo ka të bëjë edhe me faktin, se filmat shqiptarë prej kohësh zgjedhin festivale ku llogarisin shanse më reale për të fituar. Dhe jo pa sukses.
Kështu për shembull, filmi "Zgjoi" i Blerta Bashollit, vitin e kaluar e nisi me pjesëmarrjen e suksesshme në Sundance dhe përfundoi deri në përzgjedhjen e ngushtë në Oscar, duke korrur gjatë vitit të kaluar 16 çmime dhe 11 nominime. Edhe filmi i shkurtër "Pa vend" i Samir Karahodës, e nisi rrugën e suksesit këtë vit me Çmimin e Jurisë në Festivalin Sundance. 

Rina Krasniqi, në rolin e Luanës, nga Virgjëresha ShqiptareFotografi: 2021/elsani&neary Media GmbH/www.elsani.com

Gjuha shqipe megjithatë do të dëgjohet edhe në këtë Berlinale, edhe pse vetëm në një prezantim të mbyllur. Prodhimi gjermano-belgo-shqiptaro-kosovar "Virgjëresha Shqiptare" me regjisor Bujar Alimanin, i cili zgjodhi ta jepte premierën botërore në Varshavë në nëntor 2021, e ku u nderua me Çmimin Ekumenik dhe u nominua për çmimin e filmit më të mirë, do të prezantohet të premten, më 11 shkurt, në EFM nga distributori gjerman Playmaker për të nisur kështu rrugëtimin komercial për në kinematë dhe ekranet ndërkombëtare.