1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sipërmarrjet e mesme: nuk kemi mall për Dojçmarkën

Danhong Zhang/ Auron Dodi12 Qershor 2013

Deri tani kanë qenë para së gjithash koncernet e mëdha, të cilat janë angazhuar publikisht për ruajtjen e euros. Si mendojnë sipërmarrjet e mesme dhe të vogla për euron? A vuajnë ato nga kriza e euros?

Deutschland Mittelstand F. Dick GmbH & Co. KG
Deutschland Mittelstand F. Dick GmbH & Co. KGFotografi: picture-alliance/dpa

"Unë kam euron, por jo krizën", e përmbledh Harald Kirchgessner, drejtues i një agjencie publicitare në Shtutgart situatën e tij personale. "Ne punojmë në hapësirën gjermane, veprojmë në kuadër kombëtar. Prandaj kriza e euros nuk është problem për ne."

Edhe për fabrikën e automjeteve Scheuerle GmbH, kriza e euros nuk luan asnjë rol, sepse një pjesë të madhe të eksporteve të saj ajo e ka jashtë Evropës. "Ne kemi një rritje shumë pozitive të sipërmarrjes dhe në përputhje me këtë edhe punësojmë punonjësit", thotë drejtuesi i bordit, Andreas Kohler. Në vitin 2012, qarkullimi u rrit me rreth 40 përqind.

Azia kompenson Evropën

Bum ndërtimesh në PekinFotografi: AP

Por prodhuesi i termuseve, Alfi, e ndien krizën e euros. "Ne natyrisht që vëmë re se konsumatorët, veçanërisht në Evropën Perëndimore e kufizojnë konsumin për shkak të papunësisë së lartë dhe blejnë në këtë mënyrë më pak produkte të Alfit", thotë drejtuesi i bordit, Bernhard Mittelmann. Megjithatë, biznesi në zvarritje në Evropën Perëndimore mund të kompensohet për momentin përmes klimës shumë të mirë ekonomike në vendet jashtë Evropës. "Biznesi na ecën shumë mirë në Kinë. Kinezët i duan produktet Alfi, i duan produktet "Made in Germany", i tha Mittelmani DW.

Në përgjithësi, sipërmarrjet e Baden- Vyrttymbergut, në rajonin Heilbronn-Franken e kanë përballuar me sukses eurokrizën dhe aktualisht tregohen të përmbajtur për investimet.

S'ka mall për markën gjermane

Jo mall për markënFotografi: Fotolia/Eva Kahlmann

Parakushti është: shpëtimi i euros nuk dështon. Sipërmarrjet janë të qeta që gradualisht po rikthehet besimi tek euroja. Në dallim nga shumë gjermanë në popull, shumicën e sipërmarrjeve eksportuese me orientim nga eksporti nuk i merr malli për markën gjermane. "Unë nuk dëshiroj kthimin e Dojçmarkës. Euroja na ka sjellë shumë përfitime", thotë Andreas Kohler nga firma Scheuerle. Që qeveria gjermane i hyri njëfarë rreziku për shpëtimin e euros, kjo për të është e justifikuar. "Ajo kujdeset për njëfarë stabiliteti dhe sigurie në planifikim për sipërmarrjet. Mendoj që çmimi për shpëtimin e euros është i lartë, por jo shumë i lartë."

Për Bernhard Schork-un, shefin e Ecom Instruments GmbH, Euroja është më shumë se një monedhë:"Mendoj se euroja është një faktor shumë i madh stabiliteti në Evropë. Ajo është baza për një ekonomi të përbashkët në Evropë." Që në Evropë, për mbi 60 vjet ka pasur paqe, kjo ka të bëjë edhe procesin e integrimit dhe jo së fundi me monedhën e përbashkët, mendon Schork.